Njerez

“S’dua picat për fëmijët, kanë virus në karton”. Gjykata zgjidh sherrin mes të divorcuarve

Covid-19 vazhdon të shtojë tensionet jo vetëm mes anëtarëve që jetojnë nën të njëjtën çati, por edhe mes atyre që dikur ishin një familje dhe që për shkaqe të ndryshme i kanë kthyer shpinën njëri-tjetrit. Gazeta “Si” disponon vendimin e një urdhëri mbrojtjeje të shpallur nga Gjykata pikërisht gjatë karantinimit të shoqërisë. Burri, i cili siç rezulton në vendimin e zbardhur, ishte divorcuar prej mëse pesë vitesh. Por ndërsa secili nga partnerët ka vazhduar jetën, shtetasi O.B., i merakosur për fëmijët e mitur që ishin të karantinuar me të ëmën, i ka furnizuar shpesh me ushqime. Njëri nga fëmijët e ka porositur të atin edhe për një picë. Ai ka rendur ta çojë tek banesa ku jetonin fëmijët dhe ish-bashkëshortja, por diçka e tillë ka acaruar ish-gruan që, nën dyshimet se virusi Covid-19 gjendej në kartonin e picës, ka nisur të akuzojë 40-vjeçarin O.B. Kaq ka mjaftuar që të rinisë sherri. Në përfundim, Gjykata i tërhoqi vëmendjen gruas duke i dhënë të drejtë asaj vetëm në një pikë, që ish-partneri mos t’i afrohej asaj. Por babai i dy fëmijëve mund të vazhdojë t’i takojë e të kujdeset për djalin 12 vjeç dhe për vajzën 7 vjeçe.
Çështja u hap në Gjykatë me kërkesë të V.T., 38 vjeçe nga Përmeti. Siç rezulton në vendimin që Gazeta “Si” e disponon ekskluzivisht, gruaja e nxehur pasi dyshonte se me merakun e kujdesin e tepruar ish-bashkëshorti po i rrezikonte nga Covid-19, ka pretenduar se ndihej e dhunuar. Dhe një pretendim i tillë është pranuar pjesërisht nga Gjykata që lëshoi urdhërin sipas rregjistrit themeltar 8379, që e detyron O.B. të mos i afrohet familjes së karantinuar, por diçka e tillë nuk i heq atij të drejtën për të takuar fëmijët. Pikët maksimale 40-vjeçari i ka marrë në sytë e Gjykatës kur ka treguar se meraku i tij ishin vetëm fëmijët dhe se ai jetonte vetëm për kërkesat e tyre. Më herët në vendimin e divorcit Gjykata kishte urdhëruar detyrimin e babait për të kontribuuar për rritje dhe edukim me shumat përkatëse, por njëkohësisht i kishte dhënë të drejtën për t’i marrë fëmijët e vegjël çdo fundjavë të çdo muaji dhe për t’i marrë me pushime nga data 1 deri në 5 prill dhe dy sezone të tjera.
Gjykata vlerëson duke iu referuar dëshmisë së të dyve: “Babai i ka takuar fëmijët çdo javë nga e premtja në të shtunë. Pas shpalljes së pandemisë, të dy ranë dakord që fëmijët të qëndronin me mamanë dhe babai të mos i takonte në kushtet kur ai punonte shofer dhe mund t’i ekspozonte ata ndaj infektimit. Rezulton se më herët ai ka pasur komunikim të rregullt dhe të shpeshtë me fëmijët dhe siç thotë i padituri, ai nuk rri dot pa komunikuar me fëmijët e tij”.
Por gruaja, sipas dosjes që Gazeta “Si” disponon, i ka vënë shkelmin këtij “pakti” pikërisht ditët e karantinimit në shtëpi, kur ish-partneri interesohej se tepërmi për ushqime dhe për kërkesat e fëmijëve. Shtetasja V.T. është ndjerë në ankth nga prania e ish-partnerit që herë sillte një qese me ushqime dhe së fundmi kishte nisur edhe pizza. “Të shtunën kërkoi të sillte disa ushqime. I solli dhe ia pranova. Pastaj në orën tetë të darkës më thotë “dua të sjell edhe një picë”. Unë nuk pranova duke pasur parasysh situatën e Covid-19. “Nuk ua jap dot fëmijëve një pizë”, i thashë pasi po i ruaj. I thashë të mos e sillte se nuk e pranoja, ndërsa ai më tha “merre se e kam sjellë tani, hape derën ndryshe do ta shkelmoj”. Nuk e hapa derën pasi ai është njeri i dhunshëm. Ai erdhi në shtëpi dhe po i binte derës. Unë nuk ia hapa dhe njoftova policinë”, tregon 38-vjeçarja V.T.
Por burri që më pas u urdhërua t’i qëndrojë larg shtëpisë së bashkëshortes por jo fëmijëve, e quajti gjithçka kujdes prindëror dhe mall për fëmijët.
O.B. shprehet në vendimin ku Gjykata ka regjistruar me audio edhe dëshminë e tij: “Mua më intereson kujdesi ndaj fëmijëve. Zonja e di mirë që unë bëj 4 kilometra që t’u çoj fëmijëve dhe familjarëve të tjerë qumësht që ajo mos të dalë e mos të ketë kontakt jashtë. U kam çuar ushqime çdo mëngjes, këtë e kam bërë çdo ditë të karantinimit. Atë ditë mora djalin në telefon dhe tek po flisja i thashë “a të të sjellë babi edhe një picë?”. E kërkoi dhe i thashë picerisë t’ia niste me motorist. E orientova për adresën dhe kur shkoi atje më tha nuk e hap askush derën. I thashë ish-gruas në telefon ta merrte picën dhe, nëse nuk e donin, të mos e hanin. Mbase e kam tepruar se e mallkova me gjithë shpirt. Gjatë këtyre ditëve të Covid-19 ne ramë dakord që mos t’i takoja fare fëmijët nga situata, por edhe sepse ish-gruaja jeton me prindërit dhe nuk dua të rrezikoj askënd. Unë punoj shofer dhe udhëtoj jashtë Shqipërisë, por çdo ditë flas më fëmijët në telefon se jam shumë i lidhur. Edhe picën ua dërgova nga dashuria”.
Por siç përmend Gjykata edhe pse është shumë e vështirë për të provuar pretendimet, debati që lindi për shkaqe banale mund të ishte shmangur nëse çifti do të kishte shfaqur tolerancë e mirëkuptim. “Ata kanë vepruar në mënyrë që secili prej tyre ka ndikuar drejtpërdrejtë në lindjen e konfliktit që mund të ketë degraduar në dhunë psikologjike, duke e bërë paditësen të ndjehet e frikësuar për jetën dhe shëndetin”, përshkruhet më tej. Por gjykata vlerëson se gruaja duhet të kishte mbajtur sjellje më tolerante ndaj veprimit të ish-burrit, i cili po përpiqej të kujdesej për fëmijët, aq më tepër kur vetë palët pranojnë heqjen dorë nga ana e të atit për t’i takuar në fundjavë për t’i ruajtur nga infeksioni. Megjithatë, në përfundim, Gjykata urdhëron ish-partnerin mos t’i afrohet 38-vjeçares. Por ky urdhër nuk cenon të drejtat e babait për të kontakuar dhe takuar me fëmijët. “Rekomandojmë që të mbyllet procesi dhe që palët të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të aktivizohen të dy në jetën e fëmijëve për të krijuar një atmosferë të shëndetshme”, thuhet më tej në vendimin e Gjykatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë