Politike

Schengen Ballkanik, Vjosa Osmani ç’nuk i thotë Edi Ramës: Është fatkeqësi!

Vjosa Osmani e quan gabim të rëndë vendimin e kryeministrit Edi Rama, për një Schengen Ballkanik me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kandidatja e LDK-së për kryeministre, e cila do të formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës sëbashku me Albin Kurtin, e ka cilësuar “fatkeqe” idenë e mini-Schengenit Ballkanik të kryeministrit Rama, presidentit Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri Zoran Zaev.

“Mendoj se është një fatkeqësi që një gjë e tillë ka ndodhur. Nuk e di nëse kryeministri Rama është konsultuar me dikë në Kosovë para se të arrijë një marrëveshje të tillë, por është totalisht e gabuar ”, ka thënë Osmani.

Ajo ka kritikuar edhe kryeministrin Rama duke thënë se Shqipëria nuk duhet t’i bashkohej kurrë kësaj nisme pa Kosovën.

“Përtej kësaj, ne po shohim që jo vetëm që Serbia po e pengon Kosovën, por edhe Shqipëria e injoron atë në këtë rast. Është absolutisht e gabuar që Shqipëria të pranojë të arrijë një marrëveshje në të cilën Kosova nuk është pjesëmarrëse, madje si shtet i pavarur”, ka thënë Osmani në një intervistë për KTV.

Kur Kosova vendosi tarifën doganore 100% ndaj mallrave serbe, Shqipëria rezultoi një nga përfitueset e mëdha. Vetëm katër muajt e parë që pas vendosjes së taksës, eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës u rritën me tre miliardë lekë më shumë.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev dhe presidentin serb, Aleksadër Vuçiç, 12 tetor 2019

Në kohën që taksa është ende në fuqi, mundet që marrëveshja me Serbinë të krijojë një kanal të ri tregtie, e cila mund të zhvlerësojë “embargon kosovare”.

Tarifat në thelb ishin politike dhe erdhën edhe si presion për njohjen e Kosovës. Gjatë konferencës në Novi Sad, kryeministri Rama deklaroi se Serbia nuk do ta bllokojë Kosovën, por kjo do kohë për t’u vërtetuar.

Shumë ekspertë në Prishtinë janë të bindur se ky projekt bëhet për të krijuar ‘Jugosllavinë e re’, ku Serbia do të ketë rolin kryesor, e Shqipëria e Maqedonia e Veriut do të jenë plotësuese të këtij plani. Autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë asnjë detaj për këtë marrëveshje, por mediat serbe e cilësojnë si një arritje për ekonominë e tyre.
Edhe analistët në Prishtinë janë të bindur se Serbia është e vetmja që përfiton nga ky projekt, pasi do të ofronte anëtarësimin në BE në vitin 2025. “Si me shkop magjik do të zgjidheshin të gjitha problemet regjionale: “Në BE do të ishte edhe Mali i Zi, Shqipëria do të zgjohej nga zhytja në baltën e vet politike dhe do të reformohej shpejt dhe Serbisë do t’i përshpejtohej hyrja”, shkruan analisti kosovar Veton Surroi.

Ai dënon kryeministrin shqiptar që i bashkohet një iniciative të tillë me Serbinë kur nuk ka ndërmarrë hapa për të përmirësuar tregtinë e lirë më Kosovën.

“Kryeministrit Rama ka pasur hapësirë të papengueshme për të liberalizuar komunikimin ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, por nuk ka asnjë ndërmarrës nga Shqipëria dhe Kosova që do të konsiderojë se mes dy vendeve ka hapësirë lirie ekonomike. Nëse nuk e bënka mes Shqipërisë e Kosovës, si e bënka mes Shqipërisë e Serbisë?”, pyet Surroi.
Ai thotë se vendet e rajionit e kanë tanimë një marrëveshje të tregtisë së lirë, CEFTA-n.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë