15 restorante në Sardenjë të Italisë po marrin pjesë në një nismë pilot që synon të kufizojë përdorimin e telefonave inteligjentë gjatë vakteve familjare dhe të nxisë komunikimin mes prindërve dhe fëmijëve.
Nisma, e quajtur A tavola senza schermi (“Në tavolinë pa ekrane”), drejtohet nga Anna Cau, avokatja e popullit për fëmijët në ishull, në kuadër të një fushate kundër përdorimit të tepërt të ekraneve nga të miturit.
Gjatë një periudhe prove njëmujore, familjet që darkojnë në restorantet pjesëmarrëse do të lënë mënjanë telefonat dhe pajisjet e tjera elektronike. Në këmbim, stafi do t’u ofrojë një “kit ribashkimi”, të përgatitur nga federata italiane e pediatërve, me lojëra, vizatime dhe materiale për të nxitur bisedat familjare.
Paketa përfshin gjithashtu një broshurë mbi rreziqet e ekspozimit të tepërt ndaj ekraneve dhe këshilla për menaxhimin e përdorimit të rrjeteve sociale në shtëpi.
Sipas Cau, qëllimi nuk është vetëm vendosja e ndalimeve, por krijimi i mjediseve që i ndihmojnë prindërit dhe fëmijët të kalojnë kohë së bashku dhe të ndërveprojnë pa pajisje elektronike.
Nisma u zhvillua në bashkëpunim me degën e Sardenjës të Fipe-Confcommercio-s, shoqatë që përfaqëson sektorin e restoranteve dhe shërbimeve të lidhura me të.
Presidenti i saj në ishull, Emanuele Frongia, tha se 15 restorantet janë bashkuar vullnetarisht me projektin, i cili synohet të zgjerohet në të ardhmen mbi baza vullnetare.
Sipas tij, gjatë vakteve jashtë shtëpisë, bisedat familjare po zëvendësohen gjithnjë e më shpesh nga heshtja, ndërsa prindërit u japin fëmijëve telefona për t’i mbajtur të qetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje