Futboll

Sanksionet e Donald Trump “zbathin” Iranin

Kur Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga marrëveshja e arritur me Iranin për programin bërthamor të këtij të fundit, Kombëtarja ishte duke u grumbulluar për të nisur fazën përgatitore për Botërorin e Rusisë.

Pak e besonin në atë kohë se rikthimi dhe ashpërsia e sanksioneve amerikane do të cenonte edhe mbarëvajtjen e skuadrës përfaqësuese iraniane në fushatën e saj futbollistike në finalet e botërorit.

Kombëtarja iraniane kishte lidhur një kontratë me kompaninë Nike dhe halli më i madh që kishte ato ditë ishte refuzimi që i bënin njëra pas tjetrës skuadra të ndryshme për ndeshje miqësore. Mes atyre që refuzuan të luajnë kundër Iranit ishte edhe Kosova, që si shkak gjeti faktin që Irani nuk pranoi të luajë me tifozë në stadium.

Por, faza përgatitore pa thuajse asnjë ndeshje miqësore serioze ishte halli më i vogël. Tani Irani është vënë përballë faktit të kryer: lojtarët e tij nuk kanë këpucë për të luajtur në botëror.

Mesfushori iranian, Saeid Ezatolahi

Kompania amerikane Nike njoftoi tërheqjen nga kontrata e furnizimit me atlete të lojtarëve iranianë, nga frika e ndëshkimit prej sanksioneve të Donald Trump.

“E kemi të pamundur që të furnizojmë në këtë moment futbollistët iranianë me atlete. Në bazë të ligjeve amerikane, shkelja e sanksioneve të vendosura ndëshkohet me gjoba të majme”, deklaroi Nike, duke kërkuar ndjesë në fund.

Trajneri portugez i Iranit, Carlos Queiroz reagoi i tërbuar.

“Është e papranueshme që gjatë gjithë kësaj periudhe lojtarët të zhvillojnë stërvitjen dhe të ambientohen me një lloj atletesh dhe pak ditë para nisjes së ndeshjeve zyrtare t’i zëvendësojnë ato. Kjo do të na penalizojë jashtë mase”, tha ai.

Queiroz kërkoi ndërhyrjen e FIFA-s.

“Ne jemi sportistë dhe si të tillë nuk mund të bëhemi pjesë e politikës”, shtoi ai.

Për rastin reagoi edhe Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Trita Parsi.

“Nuk e kuptoj këtë vendim të Nike, pasi të furnizosh nuk është njësoj si të shesësh dhe në këtë rast ata nuk po na shesin. Pres ende një sqarim të detajuar se ku preket Nike nga sanksionet”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë