Opinion

Sandër Lleshi, pakt i heshtur PS-LSI?

Mentor Kasa - Opozita e kërkonte prej muajsh largimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm dhe ndoshta nuk u zu edhe aq në befasi ditën e shtunë, kur Kryeministri Edi Rama njoftoi përmes rrjeteve sociale se kishte pranuar dorëheqjen e tij. Por, duket e sigurt, të paktën deri më tani që emri i propozuar nga Kryeministri Edi Rama për pasues të Xhafajt në krye të Ministrisë së Brendshme e ka zënë në befasi opozitën e bashkuar.

Emri i Sandër Lleshit është përmendur fare pak nga deputetët e Partisë Demokratike. Fillimisht ka qenë ish-Kryeministri Sali Berisha, që përmes një postimi në rrjetet sociale deklaronte denoncimin e “qytetarit digjital”, sipas të cilit gjenerali merrte dy rroga.

https://www.facebook.com/SaliBerisha/photos/a.400031620157751/1139662152861357/?type=3&theater

I dyti që reagoi ishte Genc Pollo duke ngritur disa pyetje të vështira për ministrin e ri të Brendshëm. Deputeti demokrat në 8 pyetjet e ngritura kërkon të dijë se cilat kanë qenë këshillat e Sandër Lleshit për Kryeministrin Rama për trafikun e drogës, kanabizimin e vendit e deri tek ligji i 2014 për Forcat e Armatosura.

Ditët, javët dhe muajt në vazhdim do të japin një panoramë më të plotë të qëndrimit opozitar karshi emrit të ri në krye të Ministrisë së Brendshme, por ajo që mund të thuhet deri më tani është se me këtë lëvizje, Edi Rama i ka paraprirë një qëndrimi të mundshëm të opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhje në kushtet kur Ministri i Brendshëm do të vazhdonte të ishte Fatmir Xhafaj.

Zgjedhjet organizohen nga Ministria e Brendshme dhe përvoja e 2017 e klima aktuale na mëson se mundësitë që Partia Demokratike të bojkotonte zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, nëse në krye të kësaj ministrie do të ishte një njeri politik, e për më tepër Fatmir Xhafaj, që ishte shënjestra e vazhdueshme e akuzave të saj, ishin të mëdha.

Por, me Sandër Lleshin ky argument i Partisë Demokratike bie. Puna si këshilltar për sigurinë i Kryeministrit vërtet e ka lidhur me Edi Ramën, por zyrtarisht ai është një njeri apolitik. Nuk është anëtar partie dhe vjen me profil të ngjashëm me kolonelin Dritan Demiraj, të cilin demokratët e vendosën ministër të Brendshëm në zgjedhjet e përgjithshme të 2017, sipas marrëveshjes Rama-Basha.

Pra, kushtit të mundshëm PD për pjesëmarrje në zgjedhje vetëm me një ministër “teknik”, Edi Rama i parapriu që këtë tetor. Nga ana tjetër, vetë opozita nuk ka një qëndrim të unifikuar për Sandër Lleshin.

Në 2013, në muajt e fundit të qeverisjes së PD-së, gjenerali u lirua nga detyra me urdhër të ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami dhe firmosje të ish-Presidentit Bujar Nishani. Ky historik mund ta bëjë të “papërshtatshëm” për PD.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, duke folur gjate nje seance parlamentare. Foto LSA

Po LSI? Vetë Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka heshtur deri më tani për këtë temë. Daljen e fundit publike ajo e ka më 26 tetor, një ditë para dorëheqjes së Fatmir Xhafajt dhe emërimit të Sandër Lleshit. Po ashtu, edhe në rrjetet sociale nuk ka asnjë deklaratë të saj për këtë temë.

Kjo forcë politike nuk e ka komentuar ende drejtpërdrejtë emrin e Sandër Lleshit dhe që prej tryezave të përbashkëta me PD-në dhe aleatët e tjerë në rrethe, në mos e ka zbutur ka rralluar akuzat ndaj Qeverisë.

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili komentoi ndryshimet në kabinet, por në shënjestër të ironisë së tij nuk ishte Sandër Lleshi, por drejtpërdrejtë Kryeministri Edi Rama.

https://www.facebook.com/petritvasil/posts/1970567386576417

Me logjikën e këtij postimi, Petrit Vasili reagoi edhe të dielën dhe po përmes rrjeteve sociale. Edhe këtë herë, për të pak rëndësi ka se kush emërohet në kryet të Ministrisë së Brendshme, përsa kohë në krye të Qeverisë është Edi Rama.

https://www.facebook.com/petritvasil/posts/1971099319856557

Energjitë kësaj force politike për të sulmuar qeverinë nuk i mungojnë, por zbehja e tyre pas arrestimit të grupit të Shijakut dhe grupeve të tjera në Lezhë e Shkodër e daljes së përgjimeve të Vangjush Dakos, të bën të dyshosh për një pakt të heshtur me Edi Ramën për zgjedhjet e ardhshme.

Nëse për opozitën, figura e Sandër Lleshit mbetet ende për “t’u njohur”, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e ka të qartë se ai është një shërbëtor besnik i Edi Ramës dhe lëvizjen e interpreton si kurth të Kryeministrit për të tërhequr në Parlament deputetët opozitarë.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=554147481696363&id=100013033472627

Koha do të provojë nëse vërtet pas emrit të Sandër Lleshit ka një pakt të fshehtë PS-LSI, apo nëse opozita do të bjerë në “grackën” e Edi Ramës dhe të rikthehet në Parlament, sipas Ylli Manjanit. Ajo çfarë mund të thuhet deri më tani është se “opozita e bashkuar” nuk duket edhe aq e bashkuar përballë emrit të Sandër Lleshit si ministër i ri i Brendshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë