Futboll

Sampaoli thyen heshtjen: Presion i jashtëzakonshëm mbi Argjentinën

Trajneri më i kritikuar i Botërorit të Rusisë, Horge Sampaoli ka vendosur të thyejë heshtjen dhe të tregojë të vërtetën e tij në stolin e Argjentinës. Ai është kryqëzuar nga i gjithë vendi i tij, shtypi sportiv dhe tifozët, sepse Argjentina me vështirësi kaloi grupin dhe më pas u eliminua nga Franca në fazën e 1/8-ve. Në një intervistë për spanjollen “Marca”, ai ka rrëfyer gjithçka për klimën në skuadër gjatë Botërorit, duke shpjeguar arsyet pse iu “lidhën këmbët” Mesit me shokë.

“Desha të marr kohë për të analizuar aventurën time në krye të Argjentinës, gjatë Botërorit dhe pas tij. Kisha nevojë për kohë që të qartësoja gjërat për të ardhmen time. Nuk jam fshehur kurrë, thjesht jam larguar nga shtypi. Nuk ka reshtur kurrë së foluri me njerëz të futbollit. Humba jetën time sociale, nuk shkoj më në kinema, apo për të pirë kafe në një bar. Dhe askush nuk më ka kritikuar në sy, përkundrazi... Botërori? Ne, stafi dhe lojtarët, ishim të detyruar të fitonim patjetër dhe me këtë presion e kishim të vështirë ta shfaqnim talentin tonë. Çdo ndeshje ishte vuajtje e madhe për ne, por jemi stërvitur mirë dhe i kemi përgatitur ndeshjet me shumë kujdes, edhe pse gjërat nuk shkuan në drejtimin e duhur. Në Argjentinë janë të gjithë të çmendur dhe nëse nuk fiton, të konsiderojnë humbës të madh”, - ka thënë Sampaoli.

Horge Sampaoli, ish-trajneri i Argjentinës

Ish-trajneri i Argjentinës ka folur edhe për çështjen e takimeve mes lojtarëve të skuadrës së tij gjatë Botërorit, duke u fokusuar më shumë te Mesi: “Nuk ishte ky problemi, derisa këto takime mes lojtarëve u bënë të ditur publikisht. Është fantastike të stërvitësh Mesin dhe ta shohësh aq të impenjuar. E ka vuajtur shumë faktin që nuk po triumfonte me Argjentinën, duke qenë lojtari më i mirë në botë. Ka vuajtur faktin që nuk po e udhëhiqte grupin drejt suksesit. Të kesh në ekip lojtarin më të mirë të botës ke detyrimin të jesh shumë kërkues, por edhe pjesa tjetër duhet të jetë në lartësinë e duhur. Ka raste që kjo ndodh, ka raste që nuk ndodh. Kjo ishte sfida jonë e përditshme. Me Leon në ekip nuk na lejohej gabimi dhe na kërkohej me ngulm fitorja”.

Sampaoli u shkarkua nga stoli i Argjentinës pas Botërorit, pasi ai dështim, jo vetëm për rezultatet, por edhe mënyrën e lojës, ishte i papranueshëm. Federata ka vendosur që skuadra të drejtohet nga Lionel Skaloni derisa të zgjidhet trajneri i ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë