Futboll

Sampaoli justifikon Messin dhe merr përgjegjësitë e humbjes

I gozhduar nga të gjitha anët për zgjedhjet që kishte bërë para dhe gjatë ndeshjes me Kroacinë, trajneri argjentinas, Jorge Sampaoli mori përsipër gjithë përgjegjësinë e humbjes, që mund t’u kushtojë argjentinasve eleminimin e parakohshëm nga Kupa e Botës.

Kritikat u adresuan edhe ndaj kapitenit Lionel Messi, por Trajneri i nënkampionëve të Botës shfajëson totalisht atë.

“Messi është i kufizuar dhe nuk mund të dalë në lojën e tij pasi skuadra nuk funksionon ashtu siç duhet për ta ndihmuar. U kërkoj ndjesë tifozëve dhe jam unë përgjegjësi për të gjithë këtë situatë”, deklaroi Sampaoli.

Ndjesa nuk pranohet nga mediat dhe 44 milionë argjentinas.

“40 milionë argjentinas të fajësojnë ty për zgjedhjen e Caballeros”, “Le të flasim për zhgënjimin dhe turpërimin që pësuam” dhe “Pse nuk i detyron dot lojtarët e tu që t’i pasojnë Messit?”, ishin disa nga komentet e gazetarëve më të njohur sportivë në Argjentinë.

Edhe për këto akuza, Sampaoli jep versionin e tij.

Lionel Messi dhe Jorge Sampaoli gjatë ndeshjes kundër Kroacisë

“Messi është kapiteni ynë dhe ne thjesht nuk mund t’i pasonim atij për të gjeneruar lojën dhe zgjidhur situatat ashtu siç është mësuar. Punuam fort që të arrinim këtë, por gjithashtu fort punoi edhe kundërshtari ynë për të ndaluar Messin para se të niste aksionet. E humbëm këtë betejë dhe disa nga lojtarët nuk arritën që të përshtaten me skemat e mia, e ndoshta unë s’i vendosa në fushë ashtu siç duhet”, deklaroi ai.

Argjentina ka vetëm një pikë pas dy ndeshjeve, e do të jetë e detyruar të fitojë ndeshjen ndaj Nigerisë, por kjo mund të mos mjaftojë. Fatet e “Albiceleste”-ve do të përcaktohen sot pas ndeshjes së orës 17:00.

Nëse Islanda kalon Nigerinë, atëherë Argjentina përveçse duhet të fitojë ndaj nigerianëve me shumë gola diferencë në sfidën e fundit, do të duhet të shpresojë edhe në një humbje të Islandës ndaj Kroacisë. Nëse kjo ndodh, Argjentina e Islanda do të kenë 4 pikë dhe do të merrte vlerë golavarazhi.

Nëse ndeshja mes Islandës e Nigerisë përfundon në barazim, Argjentina duhet të fitojë me afrikanët dhe të shpresojë në një barazim ose fitore të Kroacisë ndaj Islandës.

Opsioni i fundit është edhe më i mirë për skuadrën nënkampione të botës, e ka të bëjë me humbjen e Islandës ndaj Nigerisë. Në këtë pikë, Argjentinës do t’i duhet të fitojë me shumë gola diferencë ndaj nigerianëve dhe të shpresojë që Kroacia të fitojë apo të barazojë me Islandën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë