Ne rrjet

Samiti i fundit për Merkel

Takimi i G7 në Cornwall është i fundit për kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila po bisedon kokë më kokë me krerët e shteteve dhe qeverive të shtatë vendeve më të zhvilluara industriale.

Për herë të parë, Joseph Biden po merr pjesë si President i SHBA-ve. "Unë jam një nga njerëzit që mund të shpreh shumë qartë atë që duan," tha Merkel në një nga samitet e shumta të G7. Ky është Samiti i saj i 15-të G7.

Kancelarja gjermane u përball dhe i mbijetoi politikisht përplasjeve me shumë lider: Berlusconin, Sarkozi dhe Trump. Të gjithë erdhën dhe ikën. Ajo është e vetmja që ka mbetur.

Por gjithçka ka ndryshuar që nga Trump. Ekspertët e quajnë një pikë kthese në marrëdhëniet gjermano-amerikane, sepse deri në mbërritjen e Trump, nuk kishte rëndësi për Gjermaninë nëse kishte një Demokrat apo një Republikan në Shtëpinë e Bardhë.

Europa dhe Gjermania tani duhet të ndihmojnë Biden në mënyrë që Amerika të ndihmojë përsëri botën. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas thekson se me Biden, do të fillojë rinovimi i diçkaje që dikur merrej si e mirëqenë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

"Të them të drejtën, ne kemi qenë duke pritur për një kohë të gjatë për këtë. Ka pasur incidente në vitet e fundit nën administratën e mëparshme të SHBA që kanë ngritur shqetësime se rendi ndërkombëtar do të pësojë lëkundje të fuqishme", thotë ministri.

Qëllimi kryesor i takimit të parë personal të liderëve të shtatë vendeve më të zhvilluara në botë prej dy vjetësh është forcimi i demokracive të botës kundër shteteve autoritare, thotë një diplomat i lartë, që ka përgatitur takimin. Prandaj për Angela Merkel është e rëndësishme që të takojë presidentin Biden. « Ai përfaqëson aprovimin e multilateralizmit që na ka munguar në vitet e fundit”, tha Angela Merkel pas mbërritjes në Carbis Bay duke nënkuptuar me këtë presidentin Donald Trump që nuk i vlerësonte instanca të tilla ndërkombëtare, si G7.

Temat ekonomike dhe ato të politikës së jashtme dominuan ditën e dytë të samitit të G7-s, ku vendet më të zhvilluara ranë në ujdi për krijimin e një iniciative globale infrastrukturore si kundërpeshë ndaj Kinës.

Krerët e shtatë shteteve dhe qeverive të vendeve të industrializuara vendosën të shtunën që vendeve të varfra t'u ofrojnë partneritete „të orientuar nga vlerat, cilësore dhe transparente", bëri të ditur Shtëpia e Bardhë. "Nuk bëhet fjalë të dalësh kundër Kinës ose të matesh me Kinën, por të krijosh një vizion pozitiv alternativ për botën”, tha një përfaqësues u Shtëpisë së Bardhë.

Merkel ishte e para që mbështeti planin infrastrukturor për vendet e varfra të presidentit amerikan, Joe Biden. Ai synon të jetë një kundërpershë ndaj “Rrugës së re të Mëndashit", të cilin Pekini po e nxit me zgjerimin e infrastrukturës së transportit, atë tregtare dhe industriale. Një sërë vendesh, sidomos SHBA e shohin me sy kritik rritjen e vazhdueshme të influencës së Kinës dhe e akuzojnë Republikën Popullore të Kinës, se i përdor projektet e këtij programi, si mënyrë për të rritur influencën e saj gjeopolitike. Sipas një përfaqësuesi amerikan, presidenti Joe Biden kërkon më shumë distancim nga Kina dhe krahas planit infrastrukturor global kërkon edhe një pozicionim kundër punës së detyruar të pakicës uigure ne Kinë.

Kancelarja Merkel dhe përfaqësues të vendeve të BE kanë qëndrimin, se Kina nuk është vetëm rival sistemi dhe konkurrent ekonomik, por në disa çështje edhe partnere. « Kemi nevojë për të gjithë në botë », tha Merkel. « Duhet të bashkëpunojmë, sidomos në temën e mbrojtjes së klimës dhe biodiversitetit. Këtu nuk do arrihen asnjëherë zgjidhje pa Kinën. » Vendet e G7-s duan të flasin edhe për strategjinë e tyre kundrejt Rusisë. Marshimet e fundit të trupave në Ukrainë dhe shtypja e opozitës në Rusi dhe Bjellorusi e bëjnë të nevojshme një përgjigje të fortë, thuhet nga diplomatët e G7-s, që përgatisin deklaratën e samitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë