Biznes

‘Sam Bankman-Fried, i pafajshëm’

Pushimet e Joseph Bankman dhe Barbara Fried ishin pak a shumë të njëjtat.

Fëmijët e rritur u kthyen në shtëpi për festa. Djali i tyre, Sam Bankman-Fried, kreu i FTX, një platformë të kripto tashmë jashtë funksionit, bëri njësoj. Ai fluturoi për në Palo Alto, Kaliforni, më 22 dhjetor dhe u nis pas ditës së fundit të vitit.

Por ai e bëri në rrethana pak më ndryshe nga shumica. Pas kolapsit të perandorisë së tij me kriptomonedha në nëntor, Bankman-Fried u arrestua në Bahamas para se të ekstradohej në Nju Jork për t'u përballur me akuzat e mashtrimit dhe pastrimit të parave. Ai fluturoi në Kaliforni pasi një gjykatës në Nju Jork pranoi ta lironte atë me një garanci 250 mln dollarë, të paguar nga prindërit e tij dhe dy miq. Kjo e detyron atë të jetojë me prindërit, të mbajë një byzylyk monitorimi në këmbë dhe të shfaqet në gjykatë. Më 3 janar ai u kthye në Nju Jork, për tu shpallur i pafajshëm ndaj akuzave që i ishin vënë në fytyrë.

Nuk është e qartë se kur apo nëse do të nisë gjyqi për të. Ka mundësi që Bankman-Fried, që vazhdon të thotë se nuk ka pasur asnjë qëllim për të mashtruar njerëzit, të bëjë një marrëveshje për pranimin e fajit me prokurorët. Nëse bëhet në gjyq, ai do të përballet me dëshmi të ish-kolegëve të tij, si Caroline Ellison që drejtonte Alameda-n dhe Gary Wang, bashkëthemelues i FTX.

Më 21 dhjetor, Ellison u deklarua fajtore për shtatë akuza të cilat mund të sjellin një dënim maksimal prej 110 vitesh burg, duke përfshirë mashtrimin online dhe komplotin për të kryer pastrim parash. Wang, ndërkohë, u deklarua fajtor për akuzat e mashtrimit që mund të çojnë deri në 50 vjet.

Provat që Ellison dhe Wang i dhanë prokurorëve kanë ndihmuar në akuzat ndaj Bankman-Fried. Parashtrimet e tyre sugjerojnë se që kur FTX u krijua për herë të parë në 2019, Bankman-Fried kanalizoi në mënyrë të pahijshme depozitat e klientëve në Alameda. Ata gjithashtu sugjerojnë që ai e urdhëroi Ëang të krijonte softuer për të përjashtuar fondin mbrojtës nga procedurat e rëndësishme të FTX. Rregullat u krijuan për të siguruar që pozicionet tregtare që klientët kishin marrë para për t'i hapur, mbylleshin nëse tregtimet lëviznin kundër tyre. Përjashtimi i lejoi Alamedës të kishte një bilanc negativ në bursë; me fjalë të tjera, i lejon firmës të marrë hua asetet e klientit.

Për më tepër, akuzat kundër Ellison sugjerojnë që Bankman-Fried udhëzoi partneren e tij të biznesit (dhe ish-partneren romantike) të mbështeste çmimin e monedhës FTX. Bankman-Fried e kishte krijuar vetë këtë kriptovalutë dhe ia kishte dhënë Alamedës pa pagesë, në mënyrë që fondi mbrojtës të mund ta përdorte atë për të marrë hua edhe më shumë para nga institucione të tjera kripto. Pasi kishte krijuar mënyra të shumta që Alameda të merrte hua sa më shumë që të ishte e mundur, Bankman-Fried më pas e përdori firmën si "derrkuc, bankën e tij personale", sipas seksionit - duke disbursuar donacione politike, duke blerë prona dhe duke bërë investime sipërmarrëse. Ellison dhe Wang duken të gatshëm të vërtetojnë se këto ngjarje kanë ndodhur.

Duke pasur parasysh informacionin që ka dalë qëkur FTX ra, pyetja më interesante për trashëgimëtarët e firmës dhe perandorinë e Bankman-Fried nuk është më ajo që ndodhi. Qartazi miliardë dollarë të klientëve përfunduan në Alameda. Pyetja e madhe, ende pa përgjigje është se pse Bankman-Fried dhe kolegët e tij e bënë këtë dhe si pritën ata të përfundonte?

Mosfajësimi i Bankman-Fried përgatit terrenin për një gjyq të mundshëm që mund t'i afrohet më shumë përgjigjeve. Ose ndoshta e vërteta do të dalë ndryshe.

Një detaj tjetër i veçantë i periudhës së pushimeve në shtëpinë e Bankman-Fried është se prindërit dhe djalin e tyre thuhet se e vizitoi Michael Lewis. Gazetari i njohur e ka ndjekur Bankman-Fried që nga mesi i vitit të kaluar në përgatitje për një libër. Qëllimi i vizitës së tij të fundit ishte, me sa duket, të diskutonte të drejtat e filmit.

Burimi: TheEconomist/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë