Analize

Salvini kundër mafies rumune. Po asaj shqiptare kur i vjen radha?

Matteo Salvini ka ndërmarrë një betejë të ashpër kundër mafies rumune në Itali, duke u zotuar të deportojë nga vendi i tij të gjitha grupet kriminale nga Rumania. Së fundmi ministri i Brendshëm italian njoftoi plot entuziazëm në rrjetet sociale deportimin e 13 kriminelëve rumunë, duke paralajmëuar se ky ishte vetëm fillimi i luftës së tij ndaj mafias.

“Të trembëdhjetë kriminelët, të dënuar për përdhunim, vrasje, skllavëri, rrëmbim, prostitucion të detyruar, u dërguan në Rumani bazuar në një marrëveshje të nënshkruar në 2003”, shkruante ai. “Kriminelët që strehohen në burgjet tona duhet t'i shërbejnë dënimet e tyre në vendin e tyre të origjinës. Ky është vetëm fillimi," shtoi ai.

Retorika e ashpër e Salvinit rreth emigrantëve që shkelin ligjin, duke veçuar në radhë të parë rumunët, si komunitetin mw të madh në Itali, ka ngritur mjaft shqetësime në vendin fqinj. Mediat italiane raportojnë se zëvëndëskryeministri po nxit jo vetëm ndjenjat anti-emigrantëve në Itali, por edhe se ka “armatosur” policinë për të luftuar bandat e emigrantëve.

https://www.facebook.com/salviniofficial/posts/10156516619113155

Këto zhvillime ka të ngjarë të prekin në mënyrë të drejtëpërdtrejtë jo vetëm emigrantët rumunë por edhe bandat shqiptare të cilat kanë fituar një famë aspak pozitive përgjatë viteve të fundit. Antimafia italiane thekson në raportin e saj për vitin 2017, se mafia shqiptare ishte një nga tre klanet më të fuqishme në vendin fqinj. Në këtë raport vihej në dukje se ‘Ndrangheta’, mafia shqiptare dhe ajo rumune janë grupet më të mëdha kriminale në Itali.

“Fushat e tyre të interesit janë trafiku dhe shitja e drogës, shfrytëzimi i prostitucionit dhe krimet kundër pronës, me vjedhje e grabitje në apartamente. Gjithnjë e më tepër shqiptarët e rumunë po punojnë së bashku, duke shfrytëzuar rrugët ballkanike për trafikun e drogës e të armëve, ndërkohë që është rritur edhe bashkëpunimi me krimin e organizuar italian”, thuhej në raportin e DIA-s.

Ndërkohë, gazeta e famshme italiane “L'Espresso” shkruante disa muaj më parë se grupet kriminale shqiptare konsiderohen mjaft të fuqishëm e të rrezikshëm dhe merren kryesisht me trafikimin e marihuanës dhe grabitjen e vilave dhe apartamenteve luksoze.

Shkak i artikullit të L'Espresso, është bërë grabitja e apartamentit të prindërve të ministrit të brendshëm Matteo Salvini nga disa banda emigrantësh,. Për revistën italiane, në biznesin mjaft fitimprurëses të grabitjeve, pas rumunëve, renditen grupet kriminale shqiptare.

"Biznesi fitimprurës nga grabitjet ndahet me kumbarët (padrinot) e Tiranës", shkruan l'Espresso. "Mafia shqiptare për momentin konsiderohet kupola e huaj më e fuqishme dhe më e rrënjosur në Itali."

Sipas saj, së bashku me trafikimin e drogës, trafikun e qenieve njerëzore, së fundmi mafia shqiptare merret dhe me grabitje kryesisht në territorin verior e qendror të Italisë.
“Krahu kriminel i punës vjen nga Tirana , Durrësi dhe nga qyteti i vogël i Milotit ku kanë dhe bazën bandat më aktive shqiptare që veprojnë në Itali. Këto banda nderojnë tre rregulla; respektin, besnikërinë dhe familjen. Jo rastësisht grabitësit që janë pjesë e organizatave kriniale shqitpare kanë lidhje gjaku mes tyre”, thekson gazeta.

"Ata veprojnë në grupe të vogla, jo të lidhura mes tyre", ka deklaruar për l'Espresso nënkoloneli i Departametit të Antimafias Marcello Manca. "Jo rrallë për shkak të të ardhurave të larta, tërheqin vëmendjen e familjeve të fuqishme që përpiqen t'i fusin nën kontrollin e tyre. Kemi shumë shqiptarë d që duan të vijnë e të grabisin në Itali. Edhe nëse kapen bëjnë vetëm 24 orë burg e pastaj lihen të lirë" deklaroi ai.

Vetë Matteo Salvini është shfaqur mjaft i ekzaltuar një muaj më parë nga deportimi i një të riu shqiptar, të arrestuar për tentativë vjedhjeje, duke paralajmëruar të gjithë emigrantët që janë të dënuar për krime si trafiku i drogës apo sulmet seksuale se do të përballen me riatdhesim të menjëhershëm. Ai që është në dukje një postim i thjesht ishte në fakt prova e fundit e antipatisë që ministri i Brendshëm italian ka ndaj shqiptarëve.

Dëbimi i 21-vjeçarit në sajë të këtij dekreti ka të ngjarë të pasojë shumë të tjera, pasi Salvini ka rritur ndjeshëm fondet për policët dhe anti-mafian italiane me qëllim ndjekjen, dënimin dhe më pas dëbimin e të gjithë emigrantëve që merren me trafik droge apo vjedhje. Salvini deklaroi se do të rriste kontrollin ndaj çdo emigranti që merrte kamionin për të shkuar në Itali, një paralajmërim që duket se u drejtohej edhe shqiptarëve që emigrojnë drejt vendit fqinj.

Në një vizitë në Pulia, disa muaj më parë, ministri i Brendshëm italian i shpalli publikisht luftë rrjeteve mafioze të drejtuara nga emigrantët, në veçanti ato që shfrytëzonin punëtorët e huaj për punë në bujqësi apo ndërtim.

“Këtu në Pulia ka një problem të madh mafioz… ka kriminelë që unë synoj t’i zhduk nga rruga dhe qyteti me të gjitha mjetet ligjore në dispozicion", tha Salvini në një konferencë shtypi.

Kreu i Lega Nord tha se fushata e tij kundër emigrantëve do të shfaroste të gjitha bandat kriminale që kishin lidhje me emigrantët. Sipas tij, rrjetet mafioze kishin përfituar nga "emigracioni i pakontrolluar".

Dekreti Salvini prek në mënyrë të drejtpërdrejtë shqiptarët, pasi në Itali jetojnë 460 mijë emigrantë shqiptarë, por vetëm 140 mijë e të cilëve kanë marrë nënshtetësinë italiane. Duke qenë se pjesa dërrmuese e tyre punojnë në të zezë, ata nuk kanë mundësi të integrohen në jetën sociale italiane, një pjesë, duke iu bashkuar shpesh herë bandave kriminale shqiptare. Kjo ka bërë që në burgjet italiane të jenë gati 2 800 shqiptarë, pothuajse njësoj sa rumunët dhe të dytët vetëm pas marokenëve.

45-vjeçari ka rritur ndjeshëm retorikat kundër emigrantëve pas miratimit të një dekreti sigurie, cili u miratua në nëntor 2018 dhe hedh poshtë një sërë të drejtash të
azilkërkuesve duke u mohuar lejet e qëndrimit për mbrojtje humanitare. "Ky dekret do të na ndihmojë të luftojmë më shumë mafian dhe kontrabandistët, për të dëbuar kriminelët dhe për t’u mohuar shtetësinë ndaj terroristëve", shkruan Salvini.

Në tetë muajt e fundit, rreth 250 nga postimet e Salvinit kanë adresuar emigracionin, krahasuar me 60 për krimin e organizuar.

Nicola Gratteri, një nga prokurorët më të respektuar të anti-mafias italiane ngre alarmin se ministri i Brendshëm nuk po lufton mafien nga rrënjët, por me merret me degët më tgë parëndësishme të saj, siç janë grupet kriminale të emigrantëve.

“Për shembull Ministria e Brendshme ka ndërmarrë një fushatë të egër kundër asaj që Salvini e ka përshkruar si një kërcënim të madh, mafien nigeriane. Në muajt e fundit, magjistratët kanë arrestuar dhjetëra persona nga komuniteti nigerian, me dyshimin se i përkasin klaneve mafioze. Por ata e dinë shumë mirë se s klanet nigerianë janë në varësi të mafies italiane”, thotë ai.

Sipas prokurorit, Salvini dhe mbështetësit e tij janë duke i justifikuar politikat e ashpra kundër emigracionit, duke rritur frikën ndaj bandave të emigrantëve, pavarësisht se këto të fundit varën dhe bashkëpunojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me mafien italiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë