Ne rrjet

Salvini dekret të dytë për dëbimin e emigrantëve

Gjykata Europiane e Drejtësisë ka paralajmëruar Ministrin e Brendshëm italian, Matteo Salvinin se asnjë emigrant nuk mund të dëbohet nëse jeta ose liria e tij është në rrezik në vendet e origjinës.

Reagimi i autoritetit të lartë europian erdhi pasi Salvini njoftoi hartimin e një dekreti të dytë për dëbimin e emigrantëve, i cili ka ngritur jo pak shqetësime në vendin fqinj.

Nëpërmjet këtij dekreti, Salvini synon të deportojë nga vendi i tij të gjitha grupet kriminale dhe emigrantët e dënuar në Itali. Por më 14 maj, Gjykata e BE-së përjashtoi dëbimin e refugjatëve dhe emigrantëve të cilët i kanë shpëtuar persekutimit në vendin e tyre të origjinës, edhe nëse ata janë të dënuar për krime në Itali.

Retorika e ashpër e Salvinit rreth emigrantëve që shkelin ligjin, duke veçuar në radhë të parë rumunët, si komunitetin më të madh në Itali, ka të ngjarë të prekë edhe emigrantët shqiptare të cilat kanë fituar një famë jo edhe aq pozitive përgjatë viteve të fundit.

Ministri i Brendshëm ka miratuar nëntorin e kaluar dekretin e parë që siguron pezullimin e kërkesave për azil, si dhe dëbimin e menjëhershëm të refugjatëve dhe azilkërkuesve të dënuar në shkallën e parë për sulme seksuale, trafik droge apo vjedhje.

Partitë opozitare të krahut të majtë në Itali përshëndetën vendimin e Gjykatës Europiane si një goditje të ashpër ndaj politikës se koalicionit populist kundër emigrantëve.

"Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të ndryshojmë këtë Europë duke votuar Lega Nord më 26 maj", tha Salvini duke komentuar vendimin e Gjykatës.

"Unë nuk dua të ndryshoj dekretin tim, emigrantët që përdhunojnë, vjedhin dhe merren me drogë duhet të kthehen në shtëpi," tha ai.

Matteo Salvini

Megjithatë, ndikimi i vendimit të Gjykatës Europine ka të ngjarë të jetë shumë i vogël, sipas Matteo Villas, një hulumtuesi në Institutin Italian për Studime Ndërkombëtare Politike (ISPI).

"Ajo që po ndodh sot do të vazhdojë të ndodhë edhe pas vendimit të Gjykatës Europaine të Drejtësisë. Pasi t’u mohohet mbrojta humanitare, emigrantët që vijnë në Itali nuk do të mund të riatdhesohen dhe do të mbeten emigrantë ilegalë", tha ai.

Nga viti 2013 deri në vitin 2017, Italia lëshoi 23.045 urdhra për dëbim, por vetëm 4% e këtyre emigrantëve kanë lënë vendin fqinj. "Dëbimi i emigrantëve është një problem i zakonshëm, i cili tregon se riatdhesimi nuk mund të jetë zgjidhja e vetme për emigrantët e paligjshëm që janë të pranishëm në territorin e një vendi të BE-së", tha Villa.

Javën e kaluar, Salvini projektligjin e ri, i cili shihet si një vazhdim i "dekretit të parë që ai paraqiti në nëntor. Megjithëse nuk është diskutuar nga kabineti, ai premton të jetë më kontradiktor se i pari.

Pjesa më e diskutueshme ka të bëjë me gjobat që Salvini dëshiron t’i vërë anijeve që shpëtojnë emigrantët në det të hapur dhe i transportojnë në Itali. Salvini ka premtuar ta forcojë ndjeshëm politikat e emigracionit që nga marrja e detyrës, duke mbyllur disa herë portet italiane për anijet që transportonin emigrantët e shpëtuar në Mesdhe.

Partia e tij Lega Nord është forca shtytëse e retorikës kundër emigracionit dhe është e vendosur për të dëbuar 500,000 emigrantë të paligjshëm, përshirë këtu edhe qindra qytetarë shqiptarë, të cilët nuk janë pajisur ende me dokumente italiane. Salvini, i cili është edhe zëvendëskryeministri i Italisë, ka përsëritur vazhdimisht qëllimin e qeverisë të “shfarosur” të gjitha bandat kriminale që kishin lidhje me emigrantët. Sipas tij, rrjetet mafioze kishin përfituar nga “emigracioni i pakontrolluar”.

Dekreti Salvini prek në mënyrë të drejtpërdrejtë shqiptarët, pasi në Itali jetojnë 460 mijë emigrantë, por vetëm 140 mijë kanë marrë nënshtetësinë italiane. Duke qenë se pjesa dërrmuese e tyre punojnë në të zezë, ata nuk kanë mundësi të integrohen në jetën sociale italiane, një pjesë, duke iu bashkuar shpesh herë bandave kriminale shqiptare. Kjo ka bërë që në burgjet italiane të jenë gati 2 800 shqiptarë, pothuajse njësoj sa rumunët dhe të dytët vetëm pas marokenëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë