Rend dhe Ligj

Saimir Tahirin e njohu xhaxhai me kushërinjtë Habilaj

Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda i ka vlerësuar si të pamjaftueshme provat e paraqitura nga Prokuroria për të lidhur Saimir Tahirin me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ndërsa e vetmja lidhje e provuar e ish-ministrit të Brendshëm me Habilajt është ajo farefisnore.

Organi i akuzës i mbështet provat tek makina tip Audi A8, që Saimir Tahiri ja ka shitur Artan Habilajt, udhëtimet me skafin e Orest Sotës dhe udhëtimin e përbashkët për në Itali të dy prindërve të Saimir Tahirit me Moisi Habilajn.

Për të treja këto episode, gjykata thotë se ato të krijojnë “dyshimin e arsyeshëm” të lidhjes së fortë të Saimir Tahirit me grupin e Habilajve, por në asnjërin prej këtyre rasteve, sipas vendimit të zbardhur të gjykatës, nuk kalohet caku i “dyshimit të arsyeshëm”. Pra, për gjykatën dyshimet e prokurorisë mbeten thjesht dyshime që nuk janë provuar në dosje dhe për këtë arsye gjykata i ka rrëzuar si prova që të lidhin Saimir Tahirin me trafikun e drogës.

Në rastin e shitjes së Audit, gjykata i referohet procesit gjyqësor të zhvilluar në vitin 2015 në Gjykatën e Fierit ndaj ish-oficerit të antidrogës, Dritan Zagani. Zagani ishte i pari që denoncoi se Habilajt lëviznin të lirë me makinën e Saimir Tahirit, që në atë kohë ishte ministër i Brendshëm.

Për llogari të këtij procesi është marrë në pyetje vetë Saimir Tahiri. Sipas procesverbalit të pasqyruar edhe në dosjen e prokurorisë për Krimet e Rënda, ish-ministri i Brendshëm ka pranuar se ka lidhje farefisnore të largët me Artan, Florian dhe Moisi Habilajn.

“I pandehuri Saimir Tahiri ka deklaruar se me këta shtetas ka lidhje farefisnore shumë të largët, por nuk kujtonte të kishte pasur ndonjëherë njohje personale me Moisi dhe Florian Habilajn, ndërsa tha se me Artan Habilajn mund të jetë takuar nja dy herë vite më parë, por që nuk i kujtohej saktësisht koha”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Në këtë dëshmi, Tahiri pranon se ja ka shitur Audin Artan Habilajt dhe vetë ky i fundit e përsërit këtë. Ndërmjetësues në këtë transaksion ka qenë xhaxhai i Saimir Tahirit, Kujtimi.

“Artan Habilaj ka deklaruar se automjetin në fjalë ia ka blerë në tetor të vitit 2013 Saimir Tahirit, të cilin e ka kushëri të largët. Për shitjen ka ndërmjetësuar shtetasi Kujtim Tahiri, xhaxhai i Saimir Tahirit me të cilin ka kontakte dhe prej të cilit mësoi se Saimiri dëshironte që të shiste makinën e tij tip Audi A8. Ai ka shkuar për të regjistruar kontratën e shitjes në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në Tiranë dhe aty ka mësuar se Saimir Tahiri kishte disa probleme me zyrën e përmbarimit dhe mjeti ishte i bllokuar prej tyre”, thuhet më tej në dosje.

Prokuroria ngriti dyshimet se automjeti ishte lënë vetë në emër të Saimir Tahirit për t’u mundësuar Habilajve qarkullimin pa pengesa dhe shmangien e kontrolleve. Por, gjykata e hodhi poshtë këtë dyshim duke deklaruar se nuk provohej ky pretendim i prokurorisë.

Edhe sa u takon udhëtimeve të Saimir Tahiri me këtë mjet edhe pas shitjes së tij, Gjykata rrëzon pretendimet e prokurorisë se ato provojnë akuzën e pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Gjykata ka rrëzuar edhe dëshminë e një shtetasi italian të arrestuar në Katania si bashkëpunëtor i Habilajve. Antonio Riela ka deklaruar në dëshminë e tij se Moisi Habilaj i kishte thënë disa herë që të mos shqetësohej, pasi në Tiranë kishte një person të pushtetshëm që e mbronte.

Gjatë përgjimeve ambientale dhe atyre telefonike mes Shqipërisë dhe Italisë, prokuroria përfshiu në dosje edhe përmendjen e emrit Saimir nga trafikantët. Në vendimin e arsyetuar, gjykata vëren se ky emër është përmendur dy herë. Por, në të dyja rastet gjykata thotë se nuk kalohet caku i dyshimit të arsyeshëm për të akuzuar Saimir Tahirin si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.

Gjykata ka rrëzuar edhe një tjetër provë të fortë të prokurorisë. Në dosjen e zbardhur që gazeta “Si” disponon bëhet fjalë për një përgjim të shtatorit të 2017, kur , xhaxhai i Saimir Tahiri, Kujtim Tahiri telefonon Artan Habilajn.

Kujtimi: Ku je?
Artani: Në punë. Ça kishe vëlla?
Kujtimi: Më tha ai “D…i madh”, nëse vjen ai që sjell vajzën në Durrës thuaji të vijë të më takojë deri atje, po qe se vjen.
Artani: Po thuaji është urgjent që të vete sot, apo të vete nesër?
Kujtimi: Ja ta pyes.
Artani: Ok vëlla.

Kjo bisedë është regjistruar në orën 18:38 minuta të datës 19 shtator 2019. 20 minuta pas kësaj telefonate, Artan Habilaj merr në telefon Kujtim Tahirin.

Kujtimi: S’ka problem dhe nesër tha.
Artani: Okej, në rregull.
Kujtimi: Po të ishte afër, ashtu tha…
Artani: Ti do vish ndonjë xhiro nesër? Vemi bashkë.
Kujtimi: Nuk e di, flasim nesër.
Artani: Okej, çao çao!

Në dosjen e prokurorisë thuhet se me “D… i madh”, Kujtim Tahiri i referohet Saimir Tahirit, duke e thërritur atë në emër të njërit prej fëmijëve të tij të mitur. Në transkriptimin e përgjimit prokuroria nuk e publikon të plotë emrin e fëmijës, për shkak të moshës së tij, ndërsa në përgjim thotë se emri është thënë i plotë. Dyshimet se në këtë bisedë bëhej fjalë për Saimir Tahirin shtohen nga fakti që ish-ministri i Brendshëm e ka një djalë të cilit i fillon emri me D.

Megjithatë, në vlerësimin e gjykatës as ky përgjim nuk provon se Saimir Tahiri kishte një rol në grupin e strukturuar kriminal të trafikut të lëndëve narkotike. Gjykata rrëzon gjithashtu edhe përgjimet e tjera ambientale të palës italiane, ku prokuroria pretendon se Moisi Habilaj dhe të tjerët flasin për dhurata që i kanë blerë për Saimir Tahirin dhe prindërit e tij. Gjykata thotë se përsa kohë nuk është gjendur asnjë prej materialeve të përmendura në këto përgjime, dyshimet mbesin dyshime.

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u shpall fajtor vetëm për shpërdorim detyre më 19 shtator, në seancën maratonë që zgjati 13 orë në Gjykatën për Krimet e Rënda. Ai u dënua me 5 vite burg dhe pas përfitimit nga gjykimi i shkurtuar dënimi iu ul me 3 vite e 4 muaj burg. Zbutje vazhdoi më tej duke u kaluar në shërbim prove për të njëjtën periudhë kohore.

Tahiri vetë u shfaq i pakënaqur me këtë vendim dhe apeloi çështjen, duke kërkuar pafajësinë. E pakënaqur nga vendimi i gjykatës ishte edhe prokuroria, që gjithashtu e apeli çështjen, që pritet të nisë në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda.

Më Shumë