Drejtësia

‘Prova për trafik droge dhe grup kriminal’, rekursi i SPAK kërkon dënimin e Tahirit

Gazeta Si - Ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, nuk duhet të ishte dënuar vetëm “për shpërdori detyre”, por ai duhet të përballet edhe për akuzat “e trafikut të drogës dhe grup kriminal”.

Rekursi i bërë nga SPAK në Gjykatën e Lartë ndaj vendimit për shpalljen fajtor të Tahirit, reflektohet me prova të reja, të cilat mund të ndryshojnë rrjedhën e procesit gjyqësor.

Në dokumentin prej thuajse 30 faqesh, SPAK e konsideron vendim të gabuar që ish ministri Tahiri të dënohet vetëm për shpërdorim detyre.

Sipas prokurorëve, është provuar se Saimir Tahiri ka mbajtur komunikim të vazhdueshëm me kushërinjtë e tij Artan e Moisi Habilaj gjatë kohës që ata kanë trafikuar sasi të mëdha droge nga Shqipëria drejt Italisë.

Në dosje, thuhet se ka prova të mjaftueshme që ai të përballet edhe për veprat penale të trafikut të drogës dhe grupit të strukturuar kriminal.

Për këtë arsye SPAK kërkon prishje të vendimit të Apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me një tjetër trupë gjykuese.

Për këto vepra penale, prokurorët e SPAK-ut, kanë kërkuar 12 vjet burg për të pas paraqitjes së provave të reja në rekurs. I njëjti argument është përdorur në rekurs edhe për të bashkëpandehurin e Tahirit, ish-drejtuesin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

“Nga provat dhe faktet provohet plotësisht roli dhe bashkëpunimi i të pandehurve Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela në kryerjen e veprave penale të ‘Trafikimit të narkotikëve’, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal ‘Kryerja e veprave penale nga organizatat kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, - thuhet në dokumentin e rekursit.

Ish-ministri Saimir Tahiri u dënua me 3.4 vite burg nga Gjykata e Apelit për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi  u provua lidhja e tij me kushërinjtë Moisi dhe Artan Habilaj, lidhje që më tej ka lehtësuar aktivitetin e grupit kriminal.

Pas një seance maratonë në 7 shkurt 2022, GJKKO e dënoi Saimir Tahirin me 5 vite burg për ‘Shpërdorim të detyrës’. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3 vite e 4 muaj burgim.

Tahiri e nisi ‘betejën’ e tij me drejtësinë në vitin 2017, kur kishte 4 vite ministër i Brendshëm. Drejtësia shqiptare e shënjestroi, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj, të afërm të Tahirit. Aktualisht, ai po vuan dënimin në Fier në burgun e sigurisë së zakonshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë