Drejtësia

Rikthehet çështja ‘Tahiri’, ish-ministri kërkon pafajësinë në Apelin e Posaçëm

Thuajse dy javë pasi Gjykata e Lartë zbardhi vendimin, dosja në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-zyrtarit të lartë të policisë së Vlorës, Jaeld Çela është regjistruar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Gjykata e Lartë vendosi rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme me argumentin se gjatë procesit kundër Saimir Tahirit ka pasur shkelje procedurale.

Në 28 shtator të këtij vitit Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i dha një fitore proceduriale ish-ministrit të Brendshëm dhe e gjeti të parregullt vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Çështja pritet të rikthehet tek një trupë tjetër në Apel, me shortin që do të hidhet këtë të enjte dhe me ish-ministrin që do të kërkojë pafajsinë e plotë.

Apeli e ktheu çështjen për rigjykim në shkallën e parë, me argumentin se kjo gjykatë kishte gabuar në rikualifikimin e akuzës nga “trafik i narkotikëve” në “shpërdorim detyre”.

Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit. 

Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.

Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Në vendimin e arsyetuar të gjykatës në shtator të këtij viti, nuk rezultonte asnjë fakt që ta përfshijë ish-ministrin në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin me grupin kriminal të Habilajve, kreu i të cilëve është Mojsi Habilaj, i gjykuar në Itali, por aktualisht në arrati, duke thyer në Katanias masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Sipas gjykatës, pas përgjimeve edhe të prokurorisë italiane ,ku Habiljat diskutojnë për dhurata që do ja japin ministrit, çmohet fakti se nuk ka prova të mjaftueshme për t'i lidhur këto dhurata apo shuma monetare se do të shkonin tek Tahiri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë