Ngjarje

Sa shumë nuk u binden kufizimeve! Por edhe Kodi Penal ende nuk i dënon dot

Oficeri i policisë në postbllokun e vendosur ngjitur me Pallatin me Shigjeta, i bën me shenjë një automjeti të kuq që të ndalojë. Secili nga dy burrat kuptohen pa folur. Shoferi nxjer menjëherë një dokument që tregon se ai po lëviz me autorizim. Këtu polici dhe qytetari përshëndeten duke lëvizur kryet. Por ndërsa drejtuesit e mjeteve tregohen të kujdesshëm pas paralajmërimit të kryeministrit, ndaj dhe kanë aplikuar tek e-Albania, nuk ndodh e njëjta gjë me kalimtarët. Siç mëson Gazeta “Si”, fluksi i qytetarëve në rrugë është shumë më tepër i lartë se kërkesat dhe aplikimet në adresën e-Albania, ku duhet të njoftohet dalja nga banesa i vetëm një anëtari të familjes. Për tetë ditët e fundit, pasi kryeministri fali të gjitha gjobat përmes një daljeje publike, policia raporton se ka vazhduar me prerjen e fletëve të gjobave ndonëse jo me të njëjtin zell. Siç bën me dije burimi policor, nga data 18 prill deri më datën 26 prill, 2215 qytetarë u gjobitën nga patrulla të ndryshme në të gjithë vendin, pasi kishin shkelur urdhërin për të qëndruar në shtëpi.
“Shumë qytetarë justifikohen me pretendimet nga më të ndryshmet dhe më të padëgjuarat. Përshembull më ka mbetur në mendje batuta e një gruaje, e cila kur e ndaluam pohoi se kishte dalë të kërkonte vajzën, që sipas saj doli pa leje nga shtëpia se ishte nervozuar. Ajo nuk kishte kryer asnjë telefonatë në sallën operative dhe asnjë njoftim për problemin që kishte, ndërkohë që ishte e dukshme që po bënte ecje”, tregoi për Gazetën “Si” një nga efektivët e policisë. Vetëm gjatë orëve të fundit morën procesverbalin për dalje nga shtëpia përtej fashës së lejuar 219 qytetarë, ndërkohë që shtatë të tjerë raportohen nga data 18 prill të kenë shkelur karantinimin e detyrueshëm, pasi një nga të afërmit e tyre ka rezultuar me Covid-19 apo kanë pasur kontakte me një individ të infektuar dhe për rrjedhim duhet të mbyllen në shtëpi për 14 ditët në vazhdim.
Por për asnjërin nga këta individë që shkelin karantinën e detyrueshme nuk mund të nisin hetimet, derisa të hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal që parashikojnë burg nga 2 deri në 3 vjet në rast të moszbatimit të urdhërit për vetkarantinim dhe nga 3-8 vjet burgim për ata qytetarë që përhapin në popullatë sëmundjen e rrezikshme. Amendimet e Kodit Penal u votuan në datën 16 prill, u dekretuan nga Presidenti i cili të vetmen rezervë pati transparencën e ndryshimeve ligjore, ndërkohë që ligji frenues i pandemisë hyn në fuqi jo më vonë se 10 ditë nga data e dekretimit. Duke llogaritur afatet që se kur një ligj hyn në fuqi sipas ligjit numër 78- 2014, konstatohet se Presidenti e dekretoi ligjin ku flitet për parandalimin e infeksionit, në datën 22 prill. Çka do të thotë se në rastin më të mirë publikimi në Fletoren Zyrtare duhet të ndodhë në datën 27 prill dhe 15 ditë nga kjo datë, ndryshimet hyjnë në fuqi. Pra, sipas kësaj përllogaritjeje, kushdo që thyen karantinën dhe përhap infkesionin do të mund të hetohet për një kundravajtje të tillë vetëm pas datës 12 maj, atëherë kur edhe ndryshimet hyjnë në fuqi. Disa juristë pohojnë për Gazetën “Si”, se gjatë kësaj kohe prokurorët dhe policia janë në pamundësi juridike për të hetuar apo referuar shkelësit që dalin dhe thyejnë karantinën apo kushdo që infekton qoftë dhe me mosveprim, pra duke dalë nga shtëpia por pa dashur të infektojë të tjerë, ai në fakt e realizon diçka të tillë. “Askush nuk mund të hetohet për diçka që ka kryer kur ligji nuk ishte në fuqi”, tregoi për Gazetën “Si” një prokuror që shpjegoi logjikën e veprimeve hetmore bazuar në Kodin Penal.

Por avokati Adriatik Lapaj, i kontakuar nga Gazeta “Si” shkon përtej këtij këndvështrimi dhe hyn edhe në thelbin e ashpërsimit për ata që shkelin karantinën, duke iu bashkuar juristëve që janë skeptikë. “Ndryshimet në Kodin Penal në gjykimin tim janë në shkelje të Kushtetutës sa i takon aspektit procedurial pasi janë bërë me procedurë të përshpejtuar duke ardhur në kundërshtim me nenin 83, pika 3, që e ndalon në mënyrë kategorike”, thotë Lapaj. Këto ndryshime - shton më tej ai - vijnë në kundërshtim edhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe konkretisht: Vendimin numër 19 datë 3 maj 2007, Vendimin numër 9 të datës 23 mars 2010, Vendimin numër 23 të datës 8 qershor 2011 dhe veçanërisht vendimin numër 5 të datës 5 shkurt 2014.
Avokati vijon më tej edhe me përmbajtjen e dispozitave kur thotë se “ato paraqesin problem në aspektin e provueshmërisë së veprës penale pasi vepra e parashikuar nga neni 89/b – përhapja e sëmundjeve infektive – nga mënyra si është ndërtuar paraqet thuajse pamundësi për përmbushjen dhe vërtetimin e anës objektive të veprës penale”.
E thënë akoma më thjeshtë - sipas avokatit - “është thuajse e pamundur për organin e hetimit dhe akuzës të provojë dhe ngrejë akuzë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm për infektimin e një qytetari nga një tjetër, pasi jeta është dinamike dhe nga moment i infektimit e deri tek evidentimi mjekësor mund të kalojnë ditë të tëra dhe numri i kontakteve të të infektuarit mund të jetë shumë i madh, duke pamundësuar provueshmërinë e burimit të infektimit. Gjithashtu dispozita ngarkon me përgjegjësi edhe infektimin nga pakujdesia. “Përkthyer me një rast praktik: do të dënohej dikush që ka teshtirë dhe nga kjo mund të jetë infektuar një person tjetër”, thotë Lapaj.
Avokati tregon për Gazetën “Si” se i shikon të vështira këto ndryshime për t’u aplikuar dhe me kosto administrative për shtetin, pasi proceset kërkojnë kohë dhe teste mjekësore dhe do të ketë probleme provueshmërie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë