Keshilla

Sa nevojë këto ditë për kondicioner! Por kujdes…

Kondicioneri është “shpëtimi” ynë në ditët që temperaturat janë relativisht të larta pasi freskon ambientin, than lagështirën dhe na ndihmon të freskohemi. Por autoritetet shëndetësore paralajmërojnë shpesh qytetarët se ajri i kondicionuar nuk është i këshillueshëm. Si ndikon kondicioneri në gjendjen tonë shëndetësore?

Mjekja Mimoza Bushi

Gazeta “Si” ka kontaktuar me mjeken e përgjithshme Mimoza Bushi e cila tregon se çdo gjë me tepri është e dëmshme.

Mjekja shpjegon se gjatë kësaj periudhe organizmi i individëve është delikat pasi ndërrimi i stinëve jep impaktin e vet.

Bushi tregon se nëse ajri i kondicionuar që përdoret me tepricë mund të shkaktojë një sërë sëmundjesh.

"Tani është periudha që na vijnë shumë njerëz me ftohje muskulare, bronkopneumoni apo dhe me tonsillite që në gjuhën e përditshme ju themi bajame. Kjo gjë ndodh sepse individët janë të predispozuar të përdorin më së shumti kondicionerin ndërkohë që dalin në diell të fortë pastaj dhe kjo bën që organizmi të jetë konfuz dhe të reagojë, pra të shfaqë sëmundjet. Une gjithmone u këshilloj pacientëve të mi që të lënë një dritare apo derë pak hapur në mënyrë që ajri të qarkullojë. Gjithashtu një kategori tjetër e rrezikuar janë dhe njerëzit që kanë probleme me lëkurën pasi ajri i ftohtë bën që një lëkurë e ndjeshme të thahet. Nuk vlen të them që mosha e tretë dhe fëmijët duhet të mundohen të rrinë sa më larg pasi siç dihet, janë më të ekspozuarit ndaj çdo lloj shqetësimi "i thotë Bushi Gazetës "Si".

Por, si çdo gjë, edhe diskutimi i përdorimit apo jo të kondicionerit ka dy qasje.

Benardi i cili importon, instalon dhe rregullon kondicionerë i tregoi Gazetës "Si" se nuk është e vërtetë që kondicionerët nuk duhet të përdoren apo janë të dëmshëm deri në atë masë që ne shprehemi.

“Mund t’i përdorim kondicionerët pa u shqetësuar për aq kohë sa ndjekim disa rregulla të thjeshta. Kondicioneri ka disa filtra që mbledh bakteriet dhe mykun. Që të shmanget kjo ai duhet të pastrohet çdo 5 muaj dhe të mbahet i pastër gjithë kohës. Kondicioneri është ndërtuar në një mënyrë të tillë që të gradohet në bazë të temperaturës jashtë i kombinuar me ambientin ku ndodheni. Për shembull, do të ndikojë negativisht kur temperatura jashtë është 37°, ti e vendos kondicionerin në 18° e në një periudhë të shkurtër lëviz nga të dyja temperaturat. Apo dhe të ndizet e të lihet në punë për 12 orë a më shumë në një ambient relativisht të vogël. Kështu mblidhet gjithë ajri i ftohtë në një hapësirë të vogël e krijohet ambient i freskët, më shumë seç duhen për temperaturat që janë të stinës. Do të këshilloja mos të përdoren shumë kondicionerët në ambiente të vogla siç janë veturat. Aty ndoshta ndikon negativisht pasi ajri që del nga kondicioneri nuk ka hapësirë të qarkullojë e për pasojë dhe të jep shqetësime” u shpreh Benardi.

Copyright © Gazeta "Si"
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës "Si", në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë