Ne rrjet

Sa mirë të jesh student në Kosovë

Sabina Veizaj - “Emri student në Prishtinë është një respekt që vërehet mes qytetarëve”- më thotë Astrit Pajaziti, Kryetar i Këshillit studentor për drejtimin e Gjeodezisë në Universitetin e Prishtinës.

I habitur nga vështirësitë e tmerrshme sipas tij, me të cilat përballen studentët shqiptarë, duke ndjekur edhe protestën e kësaj jave në Tiranë, më tregon se stduentët në Kosovë kanë shumë lehtësira.

Në Kosovë viti i parë i studimeve Bachelor është falas, viti i Absolentit quhet. Për vitin e II dhe të III tarifat janë respektivisht nga 50 euro, provimet falas dhe diplomimi falas. Niveli master e ka tarifën, tre semestra nga 150 euro e për çdo provim 2,5 euro, kurse diplomimi 100 euro. “Në se nuk humben vite e nuk ka ngecje, studentët meritor shpërblehen nga ministria apo universiteti. Tek ne, nëse studenti ka notë mbi 9.0, shpërblehet me një bursë prej 900 euro. Mesatarja 9,0 vlen për Ekonomi dhe Filozofi, ndërsa Inxhinieri, Arkitekturë dhe Mjekësi është 8.5. Ata studentë që arrijnë këtë mesatare brenda vitit akademik, aplikojnë për bursë dhe i marrin ato para”-tregon për gazetën “Si”, Astriti.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka marrë vendim gjithashtu që të lirojë nga pagesa çdo student, i cili në atë universitet ka dhe një motër ose vëlla të regjistruar.

“Familjet kosovare që kanë më tepër se një student në Universitetin e Prishtinës do të paguajnë vetëm për një student, ndërsa për studentë të tjerë nuk do të paguajnë”, shkruan në vendimin e tij UP, por që sipas Astritit vlen për të gjitha universitetet në Kosovë .

Në Shqipëri, sipas VKM-së për Vitin Akademik 2018-2019, Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Institutit të Studimeve Europiane kanë rritur tarifën; Shkencat Humane kushtojnë 168,000 lekë, nga 150,000 vitin e kaluar.
Tarifat e regjistrimit, përkatësisht 1,600 lekë për ciklin e parë, 2,500 lekë për ciklin e dytë dhe 3000 lekë për programet e dyta dhe transferimet.


TARIFAT E SHKOLLIMIT CIKLI I PARE PER VITIN AKADEMIK 2018-2019


TARIFAT E SHKOLLIMIT CIKLI I DYTE “MASTER SHKENCOR”, KOHE E PLOTE PER VITIN AKADEMIK 2018-2019


TARIFAT E SHKOLLIMIT CIKLI I DYTE “MASTER SHKENCOR”, KOHE E PLOTE PER VITIN AKADEMIK 2018-2019

Tek më pyet për tarifat në Shqipëri dhe unë i tregoj tarifat për çdo fakultet, Astrit më thotë : “për universitet privat a publik bëhet fjalë dhe për ekonominë gjermane apo shqiptare janë këto tarifa”?

Astriti më tregon më tej se edhe kushtet në Qendrën Studentore janë të shkëlqyera.
“Qendra studentore është si banesë. Kemi dhoma që mund të akomodohen 3 vajza/djemë në një dhomë dhe 1 banjo (me dush brenda) e korridor të përbashkëta për dy dhoma. Rryma, ngrohja e përgjithshme dhe uji i ftohtë janë 24 orë. Kurse ujin e nxehtë vetë studentët kanë rënë dakord me votim për ta patur nga ora 17:00-22:00. Dhe të gjitha shërbimet që përmenda futen në pagesën 20 euro në muaj. Kurse në lidhje me ushqimin paguajmë 15 euro në muaj për dy vakte. Dhe Qendra Studentore ndodhet në mes të Prishtinës duke patur të gjithë fakultetet afër” – më tregon Astriti. Ai thotë se Qendra Stduentore në Prishtinë ka dhe shumë lehtësira të tjera; Bibliotekën, internet falas, salla leximi të cilat janë rinovuar së fundmi dhe terrene sportive.

“Veç ka shumë rregull, sidomos për hapësirën e përbashkët. Në fillim, kur pranohemi (sepse për në QS aplikojnë dy-fishi i atyre që pranohen, sepse ka shumë më shumë kërkesa se sa kapacitet) paguajmë 250 euro dhe nëse dëmtojmë diçka nga pasuaria e Qendrës Studentore, na mbahen paratë, nëse jo na kthehen pasi ti dorëzojmë çelësat e dhomës”

Astriti më tregon se ka një kushëri student në Univeristetin e Tiranës, në Fakultetin e Mjekësisë . “Atje është shumë keq. Kur i krahasojmë Qendrën Studenti këtu dhe atje, në Tiranë, kushtet e banimit janë tmerr dhe paguajnë 45 000 lekë në vit vetëm fjetje, pa asnjë kusht dhe që nuk kanë fare lirime studentët, qoft mjekësi apo transport”

Ai thotë se studentët në Kosovë, kanë gjithashtu ID KARTELË , kartelë studentore që gëzojne falas shërbimet shëndetësore.
“Me ID kartelë kemi zbritje në transport 30%, kemi zbritje edhe në shumicën e shoppingut në butiqe dhe ushqim sepse e kemi të shoqëruar edhe me BOX kartelën studentore e në plot vende kemi zbritje. Në teatër shkojmë,  falas kurse kinema gëzojmë zbritje 50%”.

“Moti e kemi ditë që Tirana nuk e respekton këtë shtresë, ama deri në këtë masë s’e kemi besuar as vetë ”-më thotë gjatë bisedës Astriti.
Gjithashtu, “ne për trafikun URBAN, vijon më sqaron Astriti, për lehtësirat që kanë studentët e Prishtinës dhe Kosovës në tërësi, paguajmë biletë mujore dhe i përdorim gjithë autobusët e Prishtinës sa herë na duhen. Janë dy forma; nëse e merr BILETE MUJORE, vetëm të një linje - është 10euro. Për shembull, linja 4 që unë e përdor, e paguaj 10 euro në muaj. Por ka edhe biletë mujore të integruar që shfrytëzon më shumë linja shembull; 1, 3, 4, 15 apo linjat që i ka TU Prishtina e kjo për studentë është 12 euro në muaj. Dhe këto janë të mirat e të qenurit student në Prishtinë ”

Por, probleme kemi dhe ne, vijon bisedën ai “Në aspektin me ble librin, që me t’u dhënë mundësia me kry provimin. Kemi edhe tek ne ashtu problemesh si tek ju”. 
Astriti më tregon se janë një grup studentësh që janë të angashuar në mirëinformimin e studentëve të Universitetit të Prishtinës. Sidomos atyre për inxhinieri. Ata janë një strukturë e organizuar dhe Astriti në Fakultetin e tij ka të drejtë vendimmarrjeje.

“Ne kemi shumë raste kur kemi bllokuar fakultetin dhe kemi larguar profesorin komplet nga fakulteti.”- më shpjegon ai duke më thënë se është në mbështetje të studentëve shqiptarë sepse po kërkojnë të drejtat e tyre më minimale. Ai do të donte që studentetët e Prishtinës dhe Kosovës ti bashkoheshin Tiranës, por janë në sezon provimesh. Por po mendon që të solidarizohen në një marrshim në Prishtinë .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë