Ne rrjet

Sa emigrantë vdesin në kamionet për në Angli?

Gjetja e trupave të 39 emigrantëve në një kamion frigoriferik ka alarmuar jo vetëm Britaninë e Madhe por autoritetet europiane. Viktimat, të cilët ishin të gjithë shtetas kinezë, kishin zgjedhur këtë rrugë të rrezikshme, ashtu si edhe shumë emigrantë shqiptarë, me shpresën se do të mund të fillonin një jetë të re në Britaninë e Madhe,

Policia britanike ka zbardhur tanimë itinerarin e udhëtimit të vdekjes, i cili do të ishte i fundit për viktimat dhe është i ngjashëm me atë që ndjekin edhe shumë të rinj shqiptarë. Ata mësohet se kanë patur një vdekje të ngadaltë dhe të tmerrshme.

"Të fusësh 39 persona në një kontenier metalik të mbyllur tregon një përbuzje për jetën njerëzore", tha Jackie Doyle-Price, një anëtare e Parlamentit që përfaqëson zonën ku u gjet kamioni. "Gjëja më e mirë që mund të bëjmë në kujtim të atyre viktimave është t'i gjejmë autorët dhe t'i nxjerrim para drejtësisë".

Kamioni me 39 viktimat brenda duket se kishte ndjekur dy itinerare të ndryshme përpara se të gjendeshin në një park industrial, 40 kilometra në lindje të Londrës në lumin Thames.

Policia britanike thotë se ata besojnë se kontejneri ishte nisur nga porti i Zeebrugge në Belgjikë për në Purfleet të Angli, ku mbërriti të mërkurën në mëngjes. Ndërkohë kamioni mësohet se udhëtoi nga Irlanda e Veriut për të marrë kontejnerin ku ishin fshehur viktimat në portin anglez. Në momenti që kontenieri ka mbërritur në Britaninë e Madhe, viktimat kishin humbur jetën.

Shoferi i kamionit, një 25-vjeçar nga Irlanda Veriore, u arrestua me dyshimin për vrasje.

Kamioni ishte i regjistruar në Bullgari në një kompani në pronësi të një shtetasi irlandez, por është ende e paqartë origjina. Belgjika tha ndërkohë se ka hapur një hetim. Në Parlament, Kryeministri Boris Johnson la mënjanë krizën e Brexit dhe u zotua të luftonte trafikantët e qenieve njerëzorë. "Të gjithë do të dalin para drejtësisë," tha ai.

Kamioni ku u gjetën 39 trupat. Gazeta Si, 24 tetor 2019

Numri i viktimave ishte tronditës, megjithëse është bërë zakonshme në vitet e fundit që emigrantë të paligjshëm të gjenden herë pas here të vdekur në automjete të mbyllura pasi janë braktisur nga trafikantët.

Kjo tragjedia risolli kujtimet e vdekjes së 58 emigrantëve në vitin 2000 në një kamion në Dover të Anglisë dhe vdekjen në vitin 2015 të 71 emigrantëve nga Siria, Iraku dhe Afganistani të cilët u gjetën të mbytur në pjesën e pasme të një kamioni frigoriferik që ishte braktisur në një autostradë afër kufirit hungarez.

Emigrantë, përfshirë këtu edhe ata nga Shqipëria, mbërrijnë në brigjet angleze duke përdorur anije të vogla për kalimin e Kanalit të La Manchit. Po ashtu, ata gjenden ndonjëherë në bagazhet e makinave që zbarkojnë nga tragetet që lidhin Francën dhe Anglinë.

Por gjetja e 29 trupave në një park industrial ishte kujtesë se bandat e trafikimit të qenieve njerëzore janë fuqizuar.

Si hyjnë emigrantët në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar?

Që nga mbyllja e kampeve të emigrantëve në Francë, në 2016 ka pasur më pak përpjekje për të hyrë në Mbretërinë e Bashkuar nga emigrantët nga Shqipëria, Lindja e Mesme apo Europa. Por hyrja e paligjshme në Britani po koordinohet gjithnjë e më shumë nga bandat e organizuara kriminale.

Këto udhëtime po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme pasi trafikantët po transportojnë emigrantët në kontejnerë dhe automjete frigoriferike,

Një investigim i “BBC” zbuloi se nga viti 2013 deri në 2016-ën u arrestuan 27.860 persona për hyrje të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Në të njëjtën periudhë u arrestuan pati 2.482 trafikantë.

Numri i përgjithshëm i njerëzve që jetojnë në Britani në mënyrë të paligjshme është vlerësuar të jetë 900,000 persona Gjatë këtij viti, më shumë se 950 njerëz, përfshirë të paktën 80 fëmijë, kanë kaluar kanalin që e lidhë Francën dhe Britaninë e Madhe.

Çfarë destinacioni ndjekin shqiptarët

Anglia mbetet një tokë e premtuar për shqiptarët të cilët kërkojnë që të shkojnë me çdo mënyrë në këtë vend. Shumë të rinj shqiptarët, provojnë mënyra të ndryshme për të mbërritur deri në Britani, ku një ndër mënyrat kryesore është ajo me kamion.

Mediat daneze shkruajnë së fundmi se çdo vit tragetet dërgojnë më shumë se 20,000 kamionë në Angli, por duket se kohët e fundit në ngarkesa përfshihen dhe shqiptarë. Ata kanë publikuar dhe një video ku shihen të rinjtë shqiptarë të shtrirë në shasitë e kamionëve dhe sapo kalojnë kufirin ata vrapojnë për t’u fshehur dhe më tej për të nisur një jetë të re.

Prej disa muajsh porti i Esbjergut ka përjetuar rritje të trafikut nga shqiptarët, të cilët hyjnë ilegalisht në zonën e portit dhe fshihen në dhe nën kamionë që dërgohen me tragete në Britani të Madhe.

Tashmë në tre muajt e parë të vitit, 54 shqiptarë janë ndaluar në port, pasi kanë tentuar të hyjnë në mënyrë të paligjshme në Angli. Udhëtimi për në Kanalin Anglez zgjat 18.5 orë, por kjo nuk i ndalon shqiptarët që të provojnë dhe këtë mënyrë që shihet dhe si e vetmja për ta që të arrijnë në Angli.
Në vitin 2016, një tjetër kamp i ngjashëm me atë të Calais është zbuluar në Francë, i cili ishte kthyher një vendstrehim për shqiptarët që kërkonin të emigrojnë nga shkëmbinjtë francezë drejt Britanisë së Madhe.

Sipas banorëve të Dieppe, shqiptarët e fshehur në shkëmbinjtë e thepisur francezë, rreth 200 km nga Calais, kërkonin me çdo kusht të emigronin në Angli.

Emigrantë shqiptarë teksa tentojnë të kalojnë Tunelin e La Manshit, pranë Kalesë, Francë

Kryebashkiaku i komunës bregdetare, Sebastien Jumel tha në atë kohë se po përpiqej të bënte më të mirën e tij për t’u kujdesur për emigrantët, por vendimi i tyre është që të shkojnë në Angli sepse është më mirë se në Francë.

“Po, është një numër i konsiderueshëm refugjatësh që kanë ardhur në Dieppe për të kaluar më pas në Angli dhe në jemi të shqetësuar për këtë gjë. E dimë që ka trafikantë mes tyre.”, u shpreh ai për gazetën “Europea”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë