Keshilla

Sa e mundur është të mbash Ramazan dhe të hash një dietë të shëndetshme?

Gjatë Ramazanit kërkohet të konsumohet ushqim me orar të reduktuar përfshirë dhe ujin. Për sa ndikon kjo tek njerëzit që duan të konsumojnë një dietë të shëndetshme, çfarë mund të hanë për të kompensuar energjitë e humbura nga mungesa e ushqimit gjatë ditës, Gazetasi.al ka biseduar me nutricionisten  Hyrida Basha e cila tregon për shumë paqartësi që lidhen me një dietë të shëndetshme gjatë muajit të Ramazanit.

Çfarë ndodh me organizmin e njerëzve gjatë muajit të agjërimit?

Gjatë kohës kur nuk konsumojmë ushqim, trupi përdor rezervat e veta të depozituara në mëlçi dhe muskuj. Por trupi ujin nuk e depoziton dot ashtu siç depoziton energjinë, ndaj veshkat në këtë rast ruajnë sa më shumë të munden ujë duke mos e tretuar nëpërmjet urinimit. Ndryshimet në ngrënie mund të sjellin kapsllëk. Ndaj duhen konsumuar shumë fibra nëpërmjet, drithërave, frutave, perimeve, bishtajoreve. Rekomandohet dhe kryerja e aktivitetit fizik. 

Në varësi të motit, vendit, kohëzgjatjes së agjërimit ndonjëherë vihet re dehidrim, dhimbje koke, mungesë përqendrimi, lodhje, ndaj është e rekomandueshme të konsumohen produkte me kafeine si kafe çaj kakao, konsumi i produkteve likuide si suprat, fruta, lëngje, perime, sallata të cilat ndihmojnë rehidrimin. Ato që agjërojnë duhet të eliminojnë produktet shumë të ëmbla ose shumë të kripura, kështu eliminojnë dëshirën për të pirë ujë. Vakti i  parë, syfyri duhet të jetë i plotë dhe energjik pasi pararend një ditë të gjatë pa ushqim dhe ujë. 

Çfarë përfshin një dietë e shëndetshme në muajin e Ramazanit?

Konsumoni sa më shumë ujë ndërmjet Iftarit dhe Syfyrit. Temperaturat janë në rritje, kështu djersitja nxitet më shumë dhe duhet zëvendësuar ky harxhim i ujit dhe elektroliteve. Hidratimin mund ta rrisni dhe duke ngrënë ushqime me përmbajtje të lartë të ujit. Disa nga produktet mund të jenë sallatrat dhe frutat.

Syfyri duhet të përmbajë mjaftueshëm energji që të përballojë ditën deri në iftar. Konsumoni karbohidrate komplekse si:  fruta, perime, bishtaja. Konsumoni bulmet 0.5-1 % yndyrë. Përfshini frutat e thata , peshkun, vajin e ullirit, sojën, kështu merrni dhe nivelin e duhur të proteinave  dhe vajrave të shëndetshëm.

Disa sugjerime për Syfyr:

Smoothie me bulmet ose kefir ku të përshihet tërshëra dhe fruta të freskëta, supë me thjerrëza, karota, selino, hudhër, kungull i mbushur me perime dhe drithëra komplekse.

Konsumi i 3 hurmave arabe është një traditë për çeljen e iftarit. Ato janë një burim i shkëlqyer i fibrave. Përveç këtyre shijoni në Iftar edhe proteina shtazore si; peshku, mishi i pulës si dhe proteina vegjetale nëpërmjet perimeve dhe pseudo drithërave si kuinoa etj. Përdorimi i perimeve siguron sasi të larta të vitaminave. Duhet të evitoni ushqyerjen e shpejtë, mundohuni të qëndroni gjatë në tavolinë.

Disa sugjerime për Iftar:

Pulë e pjekur me perime e shoqëruar me qiqra të ziera dhe marinuar me erëza.

Peshk me oriz integral dhe perime.

Qofte, perime shoqëruar me humus dhe sallatë.

Sa ndikon ky regjim në organizmin e njeriut?

Nëse njerëzit mendojnë se gjatë agjërimit thjesht ndryshojnë ciklin gjumë-zgjim apo mënyrën e të ushqyerit, janë duke menduar shumë pak. Gjithçka në trup ndryshon. Ora biologjike ndryshon proceset metabolike dhe psikologjike. Metabolizmi ulet në mënyrë që të menaxhojë energjinë në mënyrën më të mirë të mundshme. Rezultatet e studimeve kanë treguar se agjërimi gjatë muajit të Ramazanit ka efekte të përziera kjo në varësi të kushteve të motit, temperaturës, kushteve shëndetësore të agjëruesit etj. Disa studime kanë treguar se personat mbipeshë kanë pasur mundësi të humbasin peshë, por padyshim që e kanë marrë këtë peshë menjëherë pas agjërimit. Për këtë arsye sugjerohet që personat që duan të humbasin peshë gjatë Ramazanit dhe të mos e marrin mbrapsht këtë peshë, duhet patjetër ti nënshtrohen një plani ushqimor të mirë balancuar. Një ndikim në vlerat e yndyrave në gjak ndërkohë mendohet se ndikon pozitivisht në forcimin e sistemit imunitar.

A ka një gabim që bëjnë besimtarët gjatë muajit të agjërimit me ushqyerjen?

Një nga gabimet që bëhet është se disa persona konsumojnë mes vakte pas iftarit me mendimin se do të lënë vaktin e syfyrit për të mos u shëndoshur apo ndoshta edhe për të mos prishur gjumin e mëngjesit. Kjo absolutisht nuk duhet të bëhet. Gjithmonë syfyri duhet të konsumohet. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të kenë reagime të vlerave të sheqerit në gjak dhe dehidrimit. Kështu njerëzit do të ndjejnë shpërqendrim, dembelizëm etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë