Bota

Rusia kërcënoi se do të fundoste anijen amerikane në Detin e Japonisë

Rusia njoftoi se një anije luftarake e saj ndoqi dhe më pas dëboi nga ujërat territoriale ruse në Detin e Japonisë një anije luftarake amerikane.

Moska akuzoi se anija amerikane “USS John S. Mçain” kishte hyrë në ujërat e saj territoriale me dy kilometra pranë Gjirit Pjetri i Madh. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se shkelja ishte pikasur dhe paralajmëruar se do të goditej. Pas kësaj, sipas Rusisë, anija amerikane u tërhoq.

Sipas njoftimit të Rusisë, destrojeri i flotës së paqësorit, “Admiral Vinogradov” përdori një kanal komunikimi ndërkombëtar për të paralajmëruar anijen amerikane për mundësinë e përplasjes pasi kishte hyrë në ujërat territoriale ruse”.

Marina amerikane hodhi poshtë pretendimet ruse. Ajo mohoi se ka shkelur ujërat territoriale të moskës në incidentin që thuhet se ka ndodhur ditën e martë në ujërat e Detit të Japonisë të vendosura mes Japonisë, Rusisë dhe Gadishullit Korean.

“Deklaratat e Federatës Ruse në lidhje me këtë incident janë të rreme. USS John S. Mçain nuk u dëbua nga asnjë territor i asnjë shteti”, deklaroi zëdhënësi i marinës amerikane, Joe Keiley.

Ai tha se SHBA nuk përulet para asnjë kërcënimi dhe të pranojë pretendimet ilegjitime territoriale, si ato të bëra nga Federata Ruse.

Incidente të tilla mes SHBA dhe Rusisë janë të rralla. Destrojeri rus, “Admiral Vinogradov” është përfshirë vitin e kaluar në një tjetër incident me një anije amerikane në Detin e Kinës. Atëherë, si Rusia, ashtu edhe SHBA fajësuan njëra-tjetrën për këtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë