Mendim

Rusia ende krahason Kosovën me Krimenë, por ato s’janë aspak të ngjashme

Fakti që ndodhej në Samitin e Paqes në Paris, nuk e ka ndaluar Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov të krahasonte Krimenë me Kosovën. Ai ka folur në këtë forum për pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar si një gabim të madh të Perëndimit. Krahu i djathtë i presidentit rus Vladimir Putin ka akuzuar shtetet perëndimore për standarde të dyfishta, duke thënë se “kur diçka është në interes të Perëndimit, ata e konsiderojnë të drejtën e njerëzve për vetëvendosje si të shenjtë, mirëpo kur diçka nuk lidhet me interesat e tyre, atëherë ata e shpallin këtë të drejtë si të paligjshme”. Ilustrim i këtyre deklaratave ka qenë sigurisht Kosova dhe Krimea.

https://twitter.com/mfa_russia/status/1194572559704039426

“Krahasoni Kosovën dhe Krimenë: një referendum është mbajtur në Krime, por në Kosovë nuk ka pasur referendum. Megjithatë Kosova është njohur menjëherë si shtet i pavarur nga shumica e vendeve perëndimore”, ka thënë ai.

Vetëm pak muaj më parë, Presidenti Putin bëri një tjetër paralelizëm të ngjashëm midis Kosovës dhe Katalonjës, duke akuzuar Bashkimin Europian për standarde të dyfishta pasi miratoi pavarësinë e Kosovës, por nuk njihte shkëputjen e rajonit spanjoll. Në fakt, krahasime të tilla duket se janë “asi nën mëngë” i Rusisë për të akuzuar Brukselin se ndërhyn në sovranitetin dhe integritetin rajonal të kombeve europiane, një kartë që u përdor gjithashtu edhe si një arsyetim për aneksimin e Krimesë në vitin 2014.

Shkrim në alfabetin cirilik në Mitrovicë: Kosova është Serbi; Krimea është Rusi

Në fakt, pavarësia e Kosovës ishte një humbje e madhe shpirtërore si për Serbinë, ashtu edhe për Rusinë, e cila u detyrua të pranonte një rezolutë paqeruajtëse, pas sulmeve ajore amerikane kundër Serbisë, pavarësisht lidhjeve të Moskës me Beogradin dhe interesave ruse në Ballkan. Ky hap pasqyroi dobësinë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike të Rusisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Pavarësisht zemërimit ndaj veprimeve ushtarake të NATO-s në vitin 1999, ka pasur pak udhëheqës rusë që mendonin se mund t’i kundërpërgjigjeshin ndërhyrjes së Perëndimit në Kosovë.

Megjjithatë “hakmarrja” e Rusisë erdhi disa vite më vonë, kur Putin aneksoi Krimenë nga Rusia, duke ngritur paralele të ngjashme midis saj dhe Kovovës. Në fakt, po ta shikosh njërën anë të monedhës, Kosova nuk është shumë ndryshe nga Krimea. Krime ishte një republikë autonome, me shumicën e qytetarëve që i përkisnin një pakice etnike. Shqiptarët që jetonin në Kosovë kishin frikë nga represioni serb, ashtu siç rusët që jetonin në Krime kishin frikë nga nacionalistët ukrainas.

Por... Kosova nuk është Krimea

Por ka një ndryshim të madh: Kosova u mbështet nga SHBA-ja dhe Perëndimi në betejën e saj për pavarësi, pasi ishte një rajon që kishte shpallur pavarësinë një dekadë më parë dhe kishte vuajtur nga abuzimet sistematike. Në vitin 1999, NATO përdori forcën ushtarake për të penguar dhunën dhe terrorin e pashembullt të ushtrisë serbe në një republikë autonome, ndërsa Rusia veproi në mënyrë të fshehtë dhe paqësore në Krime, duke marrë kontrollin e gadishullit në mënyrë efektive.
Ndryshe nga rusët, shqiptarët e Kosovës kanë prova të ligjshme dhe të dokumentuara të abuzimeve dhe gjenocidit serb para se të shpallnin pavarësinë.

Në Rezolutën 1199 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (në favor të së cilës ka votuar edhe Rusia), vendet anëtare ngrejnë shqetësime për "përdorimin pa dallim të dhunës nga forcat serbe dhe ushtrisë jugosllave në Kosovë, të cilat kanë rezultuar në viktima të shumta civile".
Në Prishtinë, veprimet e NATO-s lanë një shtet të pavarur de facto, edhe pse Kosova u përfshi më vonë në negociata frustruese mes interesave serbe dhe ruse. Referendumi i Krimesë, nga ana tjetër, erdhi më pak se dy javë pasi Rusia mori kontrollin e rajonit. Duke u kthyer prapa në kohë, dallimi i madh midis Kosovës dhe Krimesë është edhe fakti se SHBA mori masa pas një sërë përpjekjesh të dështuara diplomatike. Rusia, nga ana tjetër, zgjodhi fillimisht të merrte kontrollin e Krimesë dhe më pas të negocionte. Analistët vlerësojnë se ndryshim tjetër i madh është edhe fakti se Krimeja u aneksua për qëllime strategjike dhe kombëtare, ndërkohë që Kosova u shkëput si një shtet i pavarur për t’i dhënë fund përndjekjes, dhunës, përdhunimeve dhe dëbimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë