Ne rrjet

Rusia e bindur: Po përgatitemi të pranojmë kapitullimin e Ukrainës

E përditshmja ruse, pro qeveritare, Pravda ka publikuar kushtet e Rusisë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë (i ashtuquajturi Operacioni Special Ushtarak) dhe për të vendosur paqen në vend.

Në një artikull të botuar me titull “Moska shpall kapitullimin e Ukrainës për herë të parë, pas Operacionit Special Ushtarak”, lexohet ndër të tjera:

"Rusia po përgatitet të pranojë kapitullimin e Ukrainës. Perëndimi është informuar të përgatitet gjithashtu. Për herë të parë, udhëheqja ruse ka formuluar zyrtarisht një qëndrim në lidhje me kapitullimin e pakushtëzuar të Ukrainës."

Gazeta më poshtë citon deklaratat nga përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya:

"Shumë shpejt, e vetmja temë për çdo takim ndërkombëtar në lidhje me Ukrainën do të jetë dorëzimi i pakushtëzuar i regjimit të Kievit. Unë ju këshilloj të gjithëve që tani e tutje të përgatiteni".

Pas paralelizmit midis paqes së mundshme në Ukrainë dhe vizitës së fundit të Presidentit Lukashenko në Moskë, në gazetë ngrihet pyetja: "Si do të duket kapitullimi i Ukrainës?" dhe vazhdon me tezën:

- Çarmatimi dhe dorëzimi i ushtrisë së armikut të mundur;

- Pushteti do të merret nga administrata ushtarake fitimtare;

- Struktura e ardhshme politike e vendit të mundur do të përcaktohet nga fituesi;

- Fituesi do të organizojë një gjykatë (për të gjykuar) regjimin, udhëheqësit dhe zyrtarët e tjerë;

- Fituesi do të vendosë nivelin e dëmshpërblimeve që i detyrohen.

Duke ritheksuar titullin " Në këtë fazë, cilat do të jenë kushtet që Moska do të pranojë paqen?" gazeta thekson:

- Shfuqizimi i dekretit të Vladimir Zelensky që ndalon çdo negociatë me Federatën Ruse;

- Pranimi i realiteteve në terren dhe atyre të parashikuara në Kushtetutën e Federatës Ruse, duke njohur veçanërisht rajonet e Sevastopolit, Krimesë, DPR, LPR, Kherson dhe Zaporizhia nga ish-Ukraina si territore ruse;

- Denazifikimi dhe demilitarizimi i Ukrainës, që do të thotë heqja e ideologjisë së Bandera-s dhe kthimi i gjuhës ruse në statusin e gjuhës shtetërore, reduktimi i Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe armatimeve të saj, garanci me shkrim nga perëndimi në lidhje me mos hyrjen e Ukrainës në NATO, si dhe një rishikim i Kushtetutës së Ukrainës dhe ligjeve të tjera.

Në mbyllje, në artikull shkruhet se "Kievi nuk është gati për të përmbushur këto kushte. Natyrisht, as Perëndimi nuk është. Ata ende shpresojnë për një mrekulli - ndoshta një grusht shteti në Federatën Ruse, ndoshta diçka tjetër, megjithëse pak a shumë kanë hequr dorë nga çdo shpresë për mrekulli”.

Gjithashtu, media ruse nuk përjashton edhe mundësinë që pas kapitullimit të Ukrainës, “Perëndimi të përfitojë nga fitorja ushtarake e Rusisë për të 'kafshuar' disa territore nga ish-Ukraina”.

Komente të tilla gjenden në shtyp, megjithëse qëndrimi i Presidentit rus Vladimit Putin për këtë çështje është ende i paqartë. Megjithatë, duke qenë se situata ndryshon me shpejtësi, është e mundur që as hungarezët, as polakët dhe as rumunët të mos fitojnë asgjë. Ose (ndoshta mund të fitojnë diçka) në këmbim tërheqjes së tyre nga NATO”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë