Treg

Rusia dhe Ukraina bien dakord, marrëveshja e grurit zgjatet për 60 ditë

Rusia ka rënë dakord të zgjasë marrëveshjen e grurit të Detit të Zi për 60 ditë të tjera pasi më parë la të kuptohet se mund të bllokonte zgjatjen.

Marrëveshja, e ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia, u nënshkrua për herë të parë nga Rusia dhe Ukraina në korrik të vitit të kaluar , duke lejuar që mallrat bujqësore ukrainase të transportohen në Detin e Zi dhe në tregun global.

Ajo u zgjat për 120 ditë në nëntor. Zgjatja e së hënës, vetëm disa ditë përpara afatit të saj më 18 mars, ishte vetëm gjysma e asaj.

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergey Vershinin tha pas bisedimeve me OKB-në se vendi i tij "nuk kundërshton një vazhdim tjetër të 'Nismës së Detit të Zi' pas skadimit të mandatit të saj të dytë më 18 mars, por vetëm për 60 ditë".

Ministri i infrastrukturës së Ukrainës, Oleksandr Kubrakov, tha se zgjatja 60-ditore "bie ndesh me dokumentin e nënshkruar nga Turqia dhe OKB", por gjithsesi e pranoi atë, duke shtuar se "Ne jemi duke pritur për qëndrimin zyrtar të OKB-së dhe Turqisë si garantues të iniciativës”.

Deri më tani, rreth 24.1 milion ton janë eksportuar si pjesë e "Iniciativës së grurit të Detit të Zi", sipas OKB-së.

Moska është ankuar më parë se megjithëse marrëveshja siguron eksportin e mallrave bujqësore ruse, sanksionet ndaj industrive të tjera, si bankat, kanë penguar tregtinë ruse.

"Qëndrimi ynë i mëtejshëm do të përcaktohet mbi përparimin e prekshëm në normalizimin e eksporteve tona bujqësore, jo [me fjalë], por me vepra," tha Vershinin.

"Ai përfshin pagesat bankare, logjistikën e transportit, sigurimin, 'shkrirjen' e aktiviteteve financiare dhe furnizimet e amoniakut nëpërmjet tubacionit Tolyatti-Odessa," shtoi ai.

Rusia ka thënë gjithashtu se mallrat ukrainase shkojnë kryesisht në vendet më të pasura, diçka që ajo beson se është kundër qëllimit të marrëveshjes.

Rusia pezullon marrëveshjen e grurit për shkak të sulmeve ndaj flotës së saj


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë