Mendim

Rudina (Azem) Hajdari që me PD e lidhi vetëm emri i të atit…

“Unë quhem Rudina Azem Hajdari”. E para herë, që e bija e tij, Rudina Hajdari, e theksoi në një nga seancat kuvendore të majit, kur një grup burrash u mblodhën nën tymin e duhanit për t’i hequr ofiqin parlamentar.

Po. Ajo është Rudina Azem Hajdari, rrugëtimi i së cilës në Partinë Demokratike mbaroi ende pa filluar.

Rudina Hajdari hyri në PD si e bija e të atit.

E katapultuar nga SHBA ku jetonte prej vitesh, e mirëshkolluar dhe me  orientim edukues krejt perëndimor, Rudina, u gjend një ditë në çadrën e PD, para kryeministrisë, këtu e tre vjet më parë.

E favorizuar nga koraca e një imazhi të ri, e papërlyer ashiqare me makinacionet politike shqiptare dhe as me afera korruptive të Tiranës, Rudina Hajdari, nuk i përngjante açik ambientit politik shqiptar.

Një grua dhe nënë që nuk e ndihmoi as shqipja dhe as theksi i zbutur amerikan, Rudina u bë objekt gazmore për do lapsuse fillimisht nga të majtë (sa ua desh interesi) dhe u përqesh po aq, edhe nga të djathtë, kur vendosi të mos u bindet për mandatin.

Rudina Hajdari nuk e gjeti veten në Partinë Demokratike.

Qysh në fillim, ajo mbeti një zë i dubluar nga zyrtarë të PD-së, pa i dhënë asaj mundësinë që fundja të “piqej” siç do ta shigjetonin jo pak disa veteranë të selisë blu se, “ajo ishte e papjekur politikisht ndaj dhe gabonte”.  

Ajo nuk mundi as të flasë për të atin edhe në ditën e tij, kur Lulzim Basha synoi ta shfrytëzonte atë vetëm si dekor në ditën e 8 dhjetorit. Asaj nuk iu lejua fjala…

E dyzuar në qëndrimet e saj, se herë do të linte mandatin  kur u frymëzua nga protesta studentore e 2018-ës, për të bërë më pas të kundërtën, Rudina Hajdari u pa si mish i huaj në partinë që e vetmja gjë që po e lidhte ish emri i të atit.

Ajo u lëkund gjithaq nga oferta e Astrit Patozit për të qenë pjesë e partisë “Bindja Demokratike” për tu tërhequr më pas se, nuk ish momenti.

Ajo ruan lidhje korrekte me përfaqësitë diplomatike, është e qetë, e brishtë, herë herë naive për ambientin politik shqiptar, përcjell një pamje të paqtë dhe aspak të sforcuar, dhe mbi të gjitha, siç thotë vetë ajo, nuk duron dhunën. Një porosi që ajo ia dha edhe të vëllait, Kirit, teksa ajo brenda Kuvendit dhe ai jashtë kangjellave protestonte në krah të Lulzim Bashës, kundër taborës së mbetur në Kuvend, këtu e një vit më parë.

Me lidhje familjare të forta, ku respekton si vendimet e të vëllait, e thotë se nuk e lidh të ardhmen e saj politike me fatin e të ëmës në gjyqësor, Rudina Hajdari, nuk prodhoi  transparencë tjetër në raport me PD-në.

Ajo po shkëputet edhe në sigël nga PD për t’ju bashkuar një tjetër nisme, asaj “Thurje”, në krijimin e një partie të re.

Kësaj here, Rudina po ikën e ndjekur nga silueta e saj.

As nga emri i të atit, të cilin PD dhe shumë syresh të saj po synojnë ta shkëpusin dhunshëm, duke mbrojtur me fanatizëm emrin e tij sa herë u leverdis të oshtijnë për liri e demokraci

Në PD vetëm Kiri Hajdari, të cilin, i ndjeri Azem ia kish lënë amanet partisë, aty ku për ironinë e fatit, ai u përjashtua, jo një, por dy herë…

Edhe e bija (Rudina) në gjurmët e të atit, por në një tjetër rrugë…/ N.P


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë