Futboll

Rudi Vata: Partizani s’ka lojtarë me peshë që ta shpallin kampion

Jasir Asani dhe Esat Mala nuk shënuan dhe Partizani jo vetëm që nuk fitoi, por u mund në shtëpi nga një rival direkt si Skënderbeu. Një humbje që peshon te të kuqtë, pasi kanë humbur edhe kreun e renditjes. Në këtë ndeshje ndaj një ekipi të fortë u kuptua se skuadra e Gegës ka krijuar një lloj varësie nga treshja Asani-Mala-Bardhi, ndërkohë që në mbrojtje nuk jep siguri.

Ndeshjen Partizani-Skënderbeu e ka analizuar edhe ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata. I ftuar në “Rubrika Sportive” në RTSH, ai tha mes të tjerash se përvoja e madhe e korçarëve bëri të vetën, ndërsa Partizani, sipas shkodranit të njohur, nuk ka lojtarë me peshë që ta shpallin kampion:

Nga ndeshja Partizani-Skënderbeu, 0-2

“Doja shumë të shikoja Partizanin, pasi ndeshja me Skënderbeun ishte një test i mirë për të. Nuk ka qenë kaq mirë sezonet e fundit, por e mposhti eksperienca e Skënderbeut. Muzaka dhe Radas kanë fituar trofe në Shqipëri, e dinë si fitohet, kurse Partizani ka shumë lojtarë të rinj, me tipare të njëjta. Asani dhe Mala janë të lëvizshëm, por nuk kanë autoritetin dhe peshën e duhur për ta shpallur kampion ekipin. Trajnerit Gega i duhet një lojtar i fuqishëm në sulm, që e dërgon topin në rrjetë.

E ritheksoj se fitoi eksperienca e Skënderbeut, që ka në ekip lojtarë si Radas e Vangjeli, me një moshë të caktuar, por që i japin ekipit qetësi në momente të vështira. Goli i Muzakës vendosi fatet e ndeshjes, sepse më pas Partizani nuk kishte forcë për të reaguar. Skënderbeu e meritoi fitoren, edhe pse jam i bindur se do të ishte i kënaqur edhe me një pikë”, - tha ish-kapiteni i Kombëtares, Rudi Vata. Ai foli shkurt edhe për çështjen “Trashi”, duke theksuar se lojtari ka gabuar dhe se drejtuesit e stafi i Partizanit kanë bërë vetëm detyrën.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë