Futboll

Rud Gulit, superstari i pandreqshëm që dilte jashtë korit

“E majtë e Kolombos, grushton portieri Bumbesku, rrëmujë në zonë, Gulit dhe gol gol, gol, gol”. Ishte 24 maj i 1989-ës, zëri i të madhit Bruno Picul, stadiumi “Camp Nou”. Nuk harrohet ajo finale e Kupës së Kampionëve dhe fjalët e komentatorit të njohur italian. Çdo tifoz i Milanit të saj kohe, diku në dollap ka një videokasetë me regjistrimin e RAI-t me shiritin e konsumuar nga “Rewind&Play” për të shijuar herë pas here golin e avantazhit kuqezi.

Atë e gol e pasuan edhe tre të tjerë: Van Basten, pastaj sërish Gulit dhe sërish Van Basten. Një mbrëmje e paharrueshme, që e shenjtëroi Milanin e Arrigo Sakit në nivelin ndërkombëtar. Kupa me veshë të mëdhenj u ngjyros përsëri kuqezi pas 20 vitesh pritje, në kulmin e një rrugëtimi europian të jashtëzakonshëm të filluar pak muaj më parë.

Gulit pozon me "Topin e Artë". Gazeta Si, 30 mars 2020

Vitosha Sofia e eliminuar pa problem në turin e parë, Crvena Zvezda e eliminuar me penallti në 1/8-at, – falë edhe mjegullës së Beogradit, – Verder Bremeni i mundur në çerekfinale me minimumin e sforcos, pastaj kryevepra në gjysmëfinale ndaj një Real Madridi të mbushur me yje, me një 5-0 në “San Siro”, në një nga paraqitjet më të mira të një skuadre që futbolli botëror kujton sot. Një Milan perfekt, në gjendje të luante një melodi futbollistike pa stonuar: Saki dirigjenti i orkestrës, në fushë 11 instrumentistë të jashtëzakonshëm, të gjithë të pazëvendësueshëm. Njëri prej tyre ishte më i pazëvendësueshmi, violina e parë e Milanit të të pavdekshmëve dhe që quhej Rud Gulit.

I lindur në Amsterdam, më 1 shtator 1962, “Tulipani i zi” erdhi te Milani në verën e 1987-ës, gati 25 vjeç dhe në shkëlqimin e tij fizik dhe atletik, duke u bërë pastaj një nga futbollistët më të titulluar në botë: 1 “Top të Artë” të fituar në vitin e parë me Milanin, 1 Europian me Holandën si kapiten, 2 Kupa Kampionësh, 2 Superkupa të Europës, 2 Kupa Interkontinentale dhe shumë trofe të tjerë në nivel kombëtar. Protagonist në fushë për shumë vjet, por edhe superstar jashtë kuadratit të gjelbër. Gulit në Itali ishte një personazh i rrallë, një tip i ashpër, aspak diplomat, me një inteligjencë mbi mesataren, i aftë që në një sekondë të bënte për vete të gjithë sportdashësit, milanistë ose jo.

Gulit me fanellën e PSV-së. Gazeta Si, 30 mars 2020

I pari që u dashurua me shikim të parë me të ishte presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, i cili e kishte takuar në Spanjë një vit para se ta blinte, gjatë trofeut “Gamper” të 1986-ës. Berluskoni, që sapo e kishte shpëtuar Milanin nga një krizë e thellë financiare, ishte ftuar nga presidenti i Barcelonës, Josep Luis Nunjez, në turneun dedikuar themeluesit të klubit katalanas. Barcelona atë edicion u ndesh me PSV Eindhovenin dhe në radhët e ekipit holandez binte në sy një lojtar 191 centimetra i gjatë, 91 kilogramë, i fortë dhe i shpejtë, me profilin e një sprintieri. Për 11 sekonda bënte 100 metra, kishte një forcë të pazakontë, jashtë normës.

“Kavaljeri” nuk kishte dyshime: holandezi me gërsheta, - gjithmonë i identifikuar me këtë model flokësh, - duhej të ishte një lojtar u Milanit me çdo kusht. Ai djalosh me një teknikë të lartë, të shoqëruar me një goditje vdekjeprurëse, ishte i aftë të mbërthente sytë e 80 mijë tifozëve në “Camp Nou” me atë çfarë bënte në fushë, edhe pse nuk ishte pjesë e të zotëve të shtëpisë. Ishte ai zbulimi i mbrëmjes, veçanërisht për presidentin Berluskoni.

Gulit dhe Maradona gjatë një ndeshje Milan-Napoli. Gazeta Si, 30 mars 2020

Një lojtar shpresëdhënës i rritur nga ana futbollistike në rolin e liberos, që më pas, me të rinjtë e PSV-së u spostua më përpara. Berluskonit i treguan edhe për provën e dështuar të Gulit në moshën 16-vjeçare tek Ajaksi, por ai ishte i bindur: ai lojtar duhej të vishte fanellën e Milanit. U deshën 13 miliardë lira dhe bisedime të gjata që PSV-ja ta shiste lojtarin e saj dhe kështu, më 15 prill të 1987-ës Gulit u gjend në Milano, përpara një turme gazetarësh për të bërë prezantimin zyrtar. Kampionati vazhdonte ndërkohë, – ndryshe nga sot, kur konsiderohet skandal prezantimi i një lojtari afër fundit të sezonit, – dhe në stolin e Milanit ishte ulur një Fabio Kapelo i ri, që e kishte nisur si zëvendës i Liedholm dhe trajner i parë për 6 javët e fundit.

Milani ishte në garë për një vend në Kupën UEFA, që e arriti duke mundur 1-0 Sampdorian në një ndeshje të gjatë shtesë në Torino. Një gazetar në sallë e pyeti holandezin: “Nëse Milani nuk do të kualifikohej për në Kupën UEFA, ju çfarë do të bënit?” Përgjigja e blerjes së re të kuqezinjve i la të gjithë gojëhapur: “Në Holandë ka një proverb që thotë: nëse nëna ime do të kishte “vegla”, do të ishte babai im”.

Jo keq si kartë prezantimi për Gulit. Mjaftoi një fjali për t’u dhënë të kuptonin të gjithëve se me kë kishin të bënin. Kur iu bashkua Milanit në verë, përveç këmishëve me vija dhe kuadrate, solli me vete edhe gjithë karizmën dhe sharmin e tij, gati për të konfirmuar në çdo aspekt personalitetin e tij të rrallë. E bënte thuajse gjithmonë në fushë me paraqitjen sublime, si ajo para më shumë se 80 mijë spektatorëve në “Meazza” më 3 janar të 1988-ës, kur Milani mundi Napolin e Maradonës 4-1, duke nisur përmbysjen e madhe që në maj solli titullin e parë të erës Berluskoni, i vetmi i fituar nga Arrigo Saki. “Gazzetta dello Sport” të nesërmen kishte në faqen e parë titullin: “Lind superMilani. Napoli i shkatërruar, në shenjën e Gulit”.

Gulit feston një gol ndaj Sampdorias. Gazeta Si, 30 mars 2020

Holandezi realizoi një gol, dha një asist dhe goditi shtyllën: kur Saki e ndërroi me Masaron, “San Siro” i dhuroi duartrokitje pa fund. Të gjithë ishin dashuruar me “Simbën”, siç e quajti i madhi Xhani Brera, duke e krahasuar me mbretin e pyllit. Nga ajo ditë Milano dhe jo vetëm u pushtuan nga Gulitmania: gjithkund po shfaqeshin gërshetat e vogla të flokëve, një popullaritet i pakufijshëm që arriti të eklipsonte edhe kapitenin e atëhershëm të Napolit, mitin Diego Armando Maradona.

Atë vit miti u pasurua me triumfin europian me Holandën. Në Mynih ishte Rud Gulit kapiten dhe shënues i mbrëmjes, që shënon pikën më të lartë të karrierës me kombëtaren holandeze, fitimit të kampionatit europian. Por Gulit futbollist ishte edhe ai i Askolit, një muaj e gjysmë pas shpërthimit në “San Siro” kundër Napolit. Minuta e 7-të në stadiumin “Del Duca”, Gulit ndalet me një faull banal në mesfushë, i hakërrehet arbitrit Kornieti, i cili e ndëshkon me të verdhë, pastaj ngrihet në këmbë dhe e duartroket arbitrin, që e çon para kohe në dush.

Por drita e Gulit nuk ndalonte kurrë së shkëlqyeri. Larg terrenit të lojës dëgjoheshin deklaratat e tij, gjithmonë jashtë korit dhe pa kompromis. U bë popullor dedikimi i “Topit të Artë” i vitit 1987 për Nelson Mandelën, liderin e “African National Congress” dhe luftës për të drejtat e njerëzve me ngjyrë, por ende i burgosur i regjimit të Johanesburgut që nga korriku u 1963-shit.

Gulit në versionin këngëtar dhe në luftë kundër diskriminimit racor. Gazeta Si, 30 mars 2020

Lufta kundër diskriminimit racor afrikano-jugor merrte një pjesë të mirë të kohës së Gulit. Ka mbetur në memorie shfaqja e tij në PalaTrusardi, gjatë një koncerti të “Revelation Time”, një grup holandez i muzikës rege, me të cilin Rud ishte shumë i lidhur. Në skenë Gulit u shndërrua në vokalistin e grupit, duke kënduar para rreth 8 mijë spektatorëve me zërin e tij të fuqishëm. Kishte veshur një bluzë të zezë, ku shkruhej: “Stop Apartheid”. Rud Gulit, para se të ishte një futbollist jashtë të zakonshmes, ishte një njeri “sui generis”.

Milano e fundit të viteve ’80 kishte fatin të njihte edhe një Gulit më të “lehtë”, më pak të impenjuar. Një Gulit që, për shembull, u hiqte trurin shumë femrave adhuruese të tij, me të cilat ndante ndonjë mbrëmje duke e tepruar me alkoolin. Edhe Saki, pavarësisht profesionalizmit dhe vizionit të tij për rregullin në dhomën e zhveshjes, e fali më shumë se një herë. Gulit ishte i pakorrigjueshëm, por i domosdoshëm.

Të mendosh që mëngjesin e Vitit të Ri 1988, në përgatitjet për ndeshjen Milan–Napoli, Saki i donte të tijtë në Milanelo, por holandezi shkoi pasdite në stërvitje me sy të ënjtur, pasi akoma nuk i kishte dalë pija. Trajneri i kërkoi shpjegime dhe Gulit minimizoi gjithçka, duke u justifikuar me një festë të vogël mes miqsh për të pritur Vitin e Ri. Dy ditë më pas Saki e aktivizoi titullar dhe ajo që ndodhi është histori.

Gulit, kampion Europe me Holandën në 1988. Gazeta Si, 30 mars 2020

Ditë të këqija do të vinin edhe për holandezin. Në mars të 1988-ës, teksa Milani luftonte për titullin dhe po bëhej gati të udhëtonte drejt Avelinos, bashkëshortja e Gulit ishte e alarmuar, sepse ai nuk ishte kthyer në shtëpi një natë më parë. Ajo kontaktoi stafin e Milanit për të mësuar më shumë, por Gulit nuk ishte në ekip dhe nuk ishte paraqitur fare. Pas shumë kërkimesh, bashkëpunëtorët e Sakit e gjetën të përgjumur në një sallë pritjeje në aeroport. Arrigo Saki nuk tha asgjë për momentin. Me mbërritjen në hotel, ai shkoi në dhomën e sulmuesit dhe t’i bërë një “dush” dhe aty trajneri ishte i papërmbajtshëm: “E ke parë veten në pasqyrë? Nuk të vjen turp? Dukesh si një fantazmë. Është hera e parë që shoh një të zi të bëhet i bardhë”, - ishin fjalët e tij.

Në fushë ndaj Avelinos Gulit nuk preku top me këmbë, ndërsa disa javë më pas, në derbi, ishte një “bishë”. Pas ndeshjes me Interin, Rud Gulit foli me trajnerin për të mbyllur debatin. Ai donte të shfajësohej për çfarë ndodhi në Avelino dhe jo vetëm. Pas mbrojtjes holandezi kaloi në sulm, duke i thënë Sakti që të mos e përmendte më ngjyrën e lëkurës së tij. Saki i kërkoi falje për ofendimin dhe më pas gjithçka u kthye në sintoni të plotë mes të dyve. Milani rinisi vrapin dhe në fund fitoi titullin kampion. Në verë Gulit u shpall kampion Europe me Holandën, ndërsa vitin pasardhës e bëri këtë gjë edhe në nivel klubesh.

Gulit dhe Van Basten festojnë me Kupën e Kampionëve. Gazeta Si, 30 mars 2020

Pas fitores së madhe ndaj Real Madrid në gjysmëfinale të Kupës së Kampionëve, presidenti Berluskoni shkoi të takonte skuadrën për ta përgëzuar për arritjen, por edhe për t’u kërkuar të gjithëve një sforco: të mos bënin seks për 30 ditë. Gulit nuk ishte dakord, u ngrit në këmbë dhe iu drejtua Berluskonit me fjalët: “Unë, i mbushur plot, nuk vrapoj dot!” Edhe këtë radhë, ajo që ndodhi më pas është histori.

“E majtë e Kolombos, grushton portieri Bumbesku, rrëmujë në zonë, Gulit dhe gol, gol, gol”. Kur gjermani Tritschler vërshëlleu tri herë për fundin e ndeshjes me Steauan e Bukureshtit, u realizua ëndrra e popullit kuqezi dhe e një djaloshi me gërsheta që i tregonte botës Kupën e Kampionëve. Sot ka nostalgji për futbollistë që kanë treguar vlera në fushë, por edhe për historitë që ata kanë lënë pas.

https://youtu.be/5JgR0DCHXuY
Disa nga momentet më të bukura të lojës së Rud Gulit. Gazeta Si, 30 mars 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë