Gazeta Si – Për të mos ndikuar negativisht te publiku për një informacion më të saktë dhe pa prishur hetimet, policia do të ndryshojë formën e komunikimit.
Në një konference për mediat, Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se institucioni që ai drejton do të ndjekë një standard të ri me më shumë transparencë dhe informacion të saktë dhe verifikuar për qytetarët.
Së pari, të gjitha të dhënat statistikore mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin dhe sigurinë publike do të jenë të aksesueshme në mënyrë të plotë në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.
Së dyti, për ngjarjet në dinamikë, titullarët e Policisë në vendngjarje do të japin informacionin e nevojshëm për mediat dhe publikun, në kohë reale dhe të shoqëruar dhe me informacionin paraprak nga zëdhënësi i Policisë. Kjo praktikë tashmë ka nisur dhe do të konsolidohet më tej.
Së treti, drejtuesit e drejtorive vendore të Policisë, me stafet e tyre, do të zhvillojnë konferenca mujore për të bërë transparente punën, rezultatet dhe sfidat në çdo qark.
Së katërti, për ngjarje me impakt të lartë publik apo operacione të rëndësishme policore, Policia e Shtetit do të informojë në kohë dhe në mënyrë të plotë, nëpërmjet kanaleve zyrtare.
Sipas tij, ndryshimet vijnë edhe si reagim ndaj publikimit të lajmeve kriminale në mënyrë të fragmentuar apo të nxituar, që krijojnë një ndjenjë pasigurie që jo gjithmonë pasqyron realitetin.
“Mbingarkesa me lajme kriminale, të dhëna në mënyrë të fragmentuar apo të nxituar, krijon një ndjenjë pasigurie që jo gjithmonë pasqyron realitetin. Informacioni i pakonfirmuar, jo vetëm dëmton hetimet por edhe besimin e qytetarëve dhe institucioneve”, shpjegoi Hita.
Ai shtoi se qytetarët kanë nevojë për “informacion të saktë të unifikuar dhe të përgjegjshëm”, por jo të “alarmohen”.
Hita shpjegoi gjatë konferencës për mediat pse ka pezulluar drejtuesit e Policisë së Durrësit, pas aksidentit tragjik në Spitallë, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i platosur rëndë.
“Ishte një ngjarje shumë e rëndë, që ka tronditur gjithë opinionin publik dhe, njëkohësisht, edhe mua personalisht. Pezullimi i punonjësve të policisë lidhet me verifikimin që po kryen Drejtoria e Standardeve Profesionale, për të parë hap pas hapi të gjithë procedurën dhe mënyrën se si kanë vepruar punonjësit e policisë në atë zonë, si edhe për të nxjerrë mësime që do të shërbejnë për rritjen e sigurisë rrugore në komunitet”, tha Hita.
Ai shtoi se Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për një protestë paqësore të opozitës, e cila do të mbahet të premten në bulevardin para kryeministrisë.
“Për sa i përket protestës që do të zhvillohet nesër, Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që të marrë detyrimet e saj për sa i përket një protestë të qetë dhe paqësore. Kjo protestë do të zhvillohet dhe leja është kërkuar për ta bërë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit dhe aty duhet të jetë e përqëndruar. Në rast të veprimeve jo ligjore nga ana e protestueseve do të procedojmë në bazë të procedurave standarde”, tha Hita.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje