Lajme

Ruçi: Reforma në Drejtësi, një ndër arritjet më të mëdha të parlamentarizmit

Në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e parlamentarizmit shqiptar po zhvillohet edhe Konferenca Shkencore “100 vjet Parlamentarizëm” në Pallatin e Kongreseve.

Gjatë fjalës së hapjes, kryeparlamentari Gramoz Ruçi tha se parlamentarizmi ka një histori shekullore.

 “Mirënjohje për veprimtarinë shekullore të parlamentit shqiptar. Mirënjohje presidentit Wilson që ndali copëtimin e Shqipërisë. Me ardhjen e viteve ’90 filloi një kapitull i ri në parlamentarizmin shqiptar. Kuvendi ynë ka një përvojë të gjatë me institucionet homologe ndërkombëtare. 100 vjet nuk janë pak për të reflektuar dhe për të nxjerrë mësime. Ne kemi ende sfida përpara", u shpreh ai.

Ndër të tjera, Ruçi tha se një ndër arritjet e mëdha të parlamentarizmit shqiptar është edhe reforma në drejtësi.

“Reforma në drejtësi përbën një arritje të madhe për parlamentarizmin shqiptar. Kuvendi është i përkushtuar për hapjen e negociatave. Kryesia e OSBE është një përgjegjësi dhe sfidë edhe për Kuvendin”, tha kryeparlamentari.

Në kuadër të festimeve do të çelet dhe ekspozita dhe do të shfaqet dokumentari “100 vjet parlamentarizëm shqiptar”.

100-vjetori i Kongresit të Lushnjës u përshëndet edhe nga kreu i shtetit, Ilir Meta, i cili tha se vendimet e Kongresit janë mesazhe për reflektim edhe në ditët e sotme.

Kongresi i Lushnjës, një nga më të rëndësishmit në historinë e kombit shqiptar

Kongresi i Lushnjës i zhvilloi punimet nga 21-31 janar të vitit 1920, në të cilin u miratua një akt kushtetues për pavarësinë e plotë të Shqipërisë si dhe zgjodhi këshillin e lartë prej 4 vetash, që do të kryente funksionet e kryetarit të shtetit dhe një këshill kombëtar me 37 veta. Kryeministër u zgjodh Sulejman Delvina.

Është një nga kuvendet kombëtare më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.

Në Kongres morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i Kongresit ishte studimi i situatës së brendshme dhe të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin nga rreziku i copëtimit të Shqipërisë. Mbledhja e dytë e Kongresit u mbajt më 24 janar ku u zgjodh si kryetar i Kongresit Aqif Pashë Elbasani.

Mbledhja e tretë u mbajt më 30 janar, ku vendosi mbas shumë diskutimesh që të bëheshin protestat më të ashpra, kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve, për zbatimin e Paktit të fshehtë të Londrës, i cili ishte mbajtur më 26 prill të vitit 1915-të, pakt i cili sanksiononte copëtimin e Shqipërisë. Pas këtij vendimi, mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së Durrësit, si në situatën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Doli përfundimi se ajo qeveri ishte përpjekur me çdo kusht për ta penguar mbajtjen e Kongresit të Lushnjës.

Për këtë arsye, kongresi vendosi unanimisht rrëzimin e qeverisë së Durrësit.

Në mbledhjen e fundit që u mbajt më 31 janar pasdite, kongresi zgjodhi anëtarët e Senatit dhe u vendos që delegatët të mos shpërndaheshin derisa qeveria të merrte në dorë frenat e vendit. Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 janarit të vitit 1920, kongresi u dha fund punimeve të tij, duke vendosur Tiranën, për kryeqytet të Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë