Bota

Rubio vë në pikëpyetje rolin e NATO-s: Cili është kuptimi i Aleancës?

Nga Gazeta ‘Si’– Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka vënë në pikëpyetje kuptimin e ekzistencës së NATO-s, pasi disa vende aleate refuzuan përdorimin e bazave ushtarake për operacionet amerikane gjatë konfliktit me Iranin.

Në një intervistë për Fox News, Rubio deklaroi se një nga arsyet kryesore pse ai e ka mbështetur NATO-n ka qenë mundësia që SHBA të ketë qasje në baza ushtarake në territorin e vendeve aleate.

“Kur partnerët e NATO-s të refuzojnë përdorimin e këtyre bazave kur pikërisht kjo është arsyeja kryesore pse NATO është e dobishme për Amerikën- atëherë cili është kuptimi i Aleancës?”, tha Rubio.

Ai përmendi në veçanti Spanjën si një prej vendeve që, sipas tij, refuzoi përdorimin e bazave amerikane gjatë operacioneve kundër Iranit.

“Po fillon të duket si një marrëdhënie ku janë aleatë vetëm kur u leverdis atyre”, u shpreh Rubio.

Megjithatë, sekretari amerikan veçoi disa vende që, sipas tij, mbështetën menjëherë SHBA-të, duke përmendur veçanërisht Portugalinë.

“Ata thanë po edhe para se t’i kërkonim”, deklaroi Rubio, duke shtuar se edhe Polonia, Rumania dhe Bullgaria ofruan mbështetje.

Në kontrast, ai përdori tone të ashpra ndaj Spanjës.

“Të tjerë, si Spanja, u sollën tmerrësisht, thjesht tmerrësisht keq”, tha Rubio, duke argumentuar se kjo ngre pyetje serioze mbi qëllimin e Aleancës nëse SHBA nuk mund të përdorë bazat ushtarake në kohë konflikti.

“Pse jemi aty? Vetëm për t’i mbrojtur ata, dhe jo për të promovuar interesat tona kombëtare? Kjo është një pyetje shumë legjitime që duhet t’i japim përgjigje”, shtoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë