Ekspozite

Rrugëtim përmes 240 fotografish: Brenda Muzeut të Gjon Milit

Brezi im erdhi në një kohë kur, fotografia po përparonte me hapa të mëdhenj, duke krijuar shtysën për të eksperimentuar dhe për të kërkuar qasje të reja, do ta përshkruante kohë më pas artin e fotografisë të një gjenerate, korçari i famshëm Gjon Mili.

Bashkë me thënie të tij, në të dikurshmen “Shtëpi Rumune”, në zonën këmbësore të qytetit të Korçës, vizitorët kanë mundësi të kundrojnë nga afër dyqindedyzet vepra të fotografit me famë botërore.

Foto Kortezi:DRKK Korçë

Përjetime, lëvizje dhe personazhe të shquar të epokës, ku Mili jetoi dhe mjeshtëroi teknikën e dritës stroboskopike dhe blicin elektronik, si piktori Pablo Picasso, regjisori Alfred Hitchcock apo rikrijimi i veprës së famshme surrealiste të Marcel Duchamp, “Nudo duke zbritur nga shkallët”, vijnë të ndalura në kohë për vizitorin modern.

Foto kortezi:DRKK Korçë

“Koha vërtet mund të ndalet”, do të thoshte dikur Gjon Mili, i përkushtuar i gjithi jo vetëm për të bërë art, por me kureshtjen prej shkencëtari – ishte diplomuar si inxhinier elektrik në Institutin Teknologjik të Masaçusetsit – dëshironte t’i ruante të pakalbshëm nga koha subjektet e tij, pavarësisht lëvizjeve, befasisht të dhunshme.

Foto kortezi:DRKK Korçë
Foto kortezi: Ministria e Kulturës
Foto kortezi: Ministria e Kulturës

Mili nuk sjell vetëm subjektet, por i ka transportuar ata në kohë, bashkë me lëvizjen. Për këtë fotografitë e tij duken përjetësisht në një proces të papërfunduar lëvizjeje, të gjallë, pavarësisht kohëve. Duke punuar me profesorin e tij Harold Edgerton në MIT, Gjon Mili ishte pionier në përdorimin e instrumenteve stroboskopikë për të mbërthyer një sekuencë veprimesh në një fotografi.

Foto kortezi: Ministria e Kulturës
Foto Kredit: Rozafa Shpuza

“Pas një dekade u vela me stroboskopiken, sepse kisha bërë thuajse gjithçka dhe nuk doja të përsërisja më veten”, do të shprehej Gjon Mili, gjithnjë në kërkim të eksperimentimit, të risisë. Bashkë me thëniet e tij të njohura rreth fotografisë, vijnë citime edhe nga bashkëkohës së tij të shquar, që vlerësojnë punën e një jete që u ekspozua në revistat më prestigjioze të kohës, ndër to “LIFE” .

Foto kredit: Rozafa Shpuza
Foto kortezi: Ministria e Kulturës

Picasso që vizaton ajrin , seria e fotografive të realizuara nga Gjon Mili, i cili udhëtoi në jug të Francës për të takuar piktorin e famshëm, është renditur në 500 fotografitë më të mira të 150 viteve, i përfshirë në “Photo book”, albumin londinez, të realizuar më 2002-shin. Sportistë, balerinë, aktorë, skulptorë, politikanë bëhen të gjithë subjekte të fokusit të Milit.

Foto kortezi: Ministria e Kulturës
Foto kortezi: Ministria e Kulturës

Muzeu, brenda tij, krahas punëve të shquara, që ngjallin interes për cilindo vizitor, ofron një përjetim në Dhomën e Eksperimentit, me fokus në dritën stroboskopike, shpikur nga Mili dhe Dhomën e Fotografimit me Dritë, ku vizitori mund të marrë një suvenir, realizuar me teknikën e Milit.

Foto kortezi: Ministria e Kulturës
Foto kortezi: Ministria e Kulturës

I lindur në Korçë, asokohe pjesë e Vilajetit të Manastirit në Perandorinë Osmane, Mili e kaloi fëmijërinë në Rumani, ndoqi kolegjin kombëtar “Gheorghe Lazăr” në Bukuresht e më vonë, në vitin 1923 emigroi drejt ShBA-së. Më 1939 –ën , nisi të punojë si fotograf për revistën LIFE, një post që e mbajti derisa vdiq, më 1984-ën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë