Mendim

Rrudhja e klasës së mesme

Nga Meri Lika - Kur fola për ndihmën që qeveria duhet t’u japë bizneseve të vogla dhe të mesme, përmenda se goditja e këtyre bizneseve do të thotë goditje e klasës së mesme. Dhe kam theksuar se “Klasa e mesme është garantuesi i përparimit shoqëror dhe demokracisë. Pa një klasë të mesme, të dy janë në rrezik. Nëse klasa e mesme përmirëson nivelin e saj socio-ekonomik, ajo krijon rritje në punësim dhe të ardhura në ekonominë më shumë se çdo klasë tjetër në piramidën sociale”.

Në vendin tonë qeveria është shkrirësi serial i NVM-ve, dhe si rrjedhim i kësaj, qeveria është goditësja kryesore e klasës së mesme, sepse te NVM-të përfshihen profesionet e lira: stomatolog, avokat, noter, auditues ligjor, kontabilist, vlerësues, arkitekt, etj., por edhe të vetëpunësuarit e tjerë, të cilët së bashku me profesionistët e bizneseve të mëdha, përbëjnë klasën e mesme. Deri tani kjo klasë është goditur nga shumë paketa fiskale, duke filluar që nga tatimi mbi pagën, i cili taton më shumë atë që paguhet më shumë, duke vazhduar me pagat referuese të vitit 2016 ku u goditën madje dhe u diskriminuan profesionet e lira. Qeveria i ka mbytur këto biznese dhe e ka asfiksuar klasën e mesme. Por nuk mjaftoi vetëm qeveria, sërish klasa e mesme po goditet rëndë edhe nga pandemia.

Nëse qeveria nuk vepron shpejt për të ndryshuar politikat, e ardhmja e NVM-ve është e zymtë. Pa NVM nuk ka klasë të mesme. Post karantina do të sjellë shumë falimentime. Post pandemia do të ketë shumë pezullime aktiviteti.

Klasa e mesme është klasa që punon, por dhe është më aktive në nivel shoqëror dhe ekonomik. Ajo është klasa të cilën politikanët përpiqen të gënjejnë disa vite dhe ta mbajnë të aktivizuar dhe pastaj ta çaktivizojnë kur i marrim atë që ajo nuk mund ta paguajë dhe e fusin në politika të këqija publike nga të gjitha partitë dhe qeveritë, pa përjashtim.

Sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik OECD, të majit 2019, familjet me të ardhura mesatare janë rreth 25% deri 47,5% e totalit për vendet e varfra kurse, në vendet e zhvilluara kjo shifër shkon 60% deri ne 65%.

Nisur nga këto të dhëna kuptohet pse ndikimi i kësaj klase në vendet e varfra është shumë i ulët.

“Në kushtet e post-pandemisë, klasa e mesme po noton në ujëra shumë të pasigurt. Qeveritë duhet të dëgjojnë shqetësimet e njerëzve dhe të mbrojnë e promovojnë nivelin e jetesës së klasës së mesme. Kjo do të ndihmojë që të nxitet rritja ekonomike dhe të krijohet një pëlhurë sociale më kohezive dhe e qëndrueshme”, kështu është shprehur Angel Gurria, Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së.

Kostoja e jetës për klasën e mesme është rritur më shpejt sesa inflacioni. Perspektivat e tregut të punës janë shumë të pasigurta. Frika më e madhe e kësaj klase është prekja e varfërisë. Klasa e mesme është ajo klasë që e ka marrë më seriozisht këtë krizë, kjo klasë është më e frikësuara dhe si rrjedhim është dhe klasa që ka më pak besim se ringritja do të vijë shpejt. Kjo është klasa, e cila asnjëherë nuk merr ndihma nga qeveritë dhe e tillë do të jetë situata edhe tani, sepse qeveria ka parë vetëm lëmoshën dhe tani po “sulmohet” me kërkesa nga bizneset e mëdha, por nuk ka asnjë plan apo ndihmë për motorin e shoqërisë dhe të demokracisë për klasën e mesme.

Ajo që është në diskutim në këtë krizë, nuk është vetëm dalja sa më shpejt që të jetë e mundur nga humnera, dhe për këtë të gjitha qeveritë, përveç qeverisë tonë, kanë qenë shumë aktive, por edhe kthimi në një strukturë më të ekuilibruar shoqërore dhe më pak e polarizuar.

A do të ulet përqindja e klasës së mesme në këto kushte?

Patjetër që po, nisur kjo nga rreziku që klasa e mesme po mbetet pa ndonjë ndihmë apo mbështetje. Ky grup do të jetë shumë i brishtë, në kushtet kur janë duke përballuar një kredi apo një punë tashmë të pasigurt. Nëse kriza do të zgjasë më shumë se sa mendohet, ky grup do të transformohet shumë shpejt në grupin e të varfërve.
Shumë prej tyre, tashmë, kanë pësuar një ulje të të ardhurave dhe e dinë që vitin e ardhshëm nuk do të jenë në gjendje t'i mbështesin fëmijët e tyre në një shkollë private, të shlyejnë kredinë, apo të përballojnë kosto të cilat nuk janë vetëm për ushqim dhe veshje të domosdoshme. Këtu janë të përfshirë, stomatologë, avokatë, noter, audit ligjor, kontabilist dhe shumë profesionistë të tjerë të vetëpunësuar ose të punësuar, të cilët kanë mbetur shumë muaj pa punë dhe rezervat e tyre tashmë kanë arritur nivelet minimale.
Shumë prej arritjeve që kjo klasë kishte deri tani nuk do mund t’i ketë më, si pushime jashtë vendit, dalje të shpeshta nëpër restorante, këto shpenzime që janë simbole të konsumit për klasën e mesme do të pakësohen. Ëndrrat e tyre për një shtëpi apo për një makinë të re janë zhdukur.

Kjo është një krizë që do të nxjerrë në pah çdo pabarazi që kemi pasur para fillimit të saj dhe se pabarazia do të ushqehet akoma me skenarë të ardhshëm. Skenari post-pandemik do të shënohet shumë nga përmasat dhe kohëzgjatja e kësaj krize. Nëse kriza zgjat më shumë se një vit, ndryshimet te klasa e mesme do të jenë të mëdha dhe kjo do të na rrezikojë shumë demokracinë.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë