Futboll

Rrokadë te Kukësi, ikën Pakult vjen Cungu

Barazimi në ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve duket se nuk është kaluar pa pasoja tek Kukësi. Klubi verilindor ka vendosur të largojë nga drejtimi i skuadrës teknikun austriak, Peter Pakult.

Lajmi është bërë zyrtar nga vetë klubi kuksian përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka theskuar se austriaku është larguar për shkak se nuk janë përputhur kërkesa dhe ofertën ekonomike.

“FK Kukësi ka vendosur që të mos rinovojë kontratën me trainerin, Peter Pacult.  Dy palët nuk kanë rënë dakort për pretendimet financiare, kështu që klubi i Kukësit, e falenderon për punën e bërë dhe i uron suksese trainerit Peter Pakult, në karrieren e tij të mëtejshme. Klubi dhe ekipi vijojnë me intensitet punën dhe stërvitjen për të kaluar në turin tjetër të Champions League”, shkruhet ndër të tjera në postimin e faqës zyrtare të Kukësit.

Në njoftimin e tij, Kukësi është kujdesur që të theksojë se nuk bëhet fjalë për ndonjë shkarkim, apo arsye që të lidhet me rezultatin e ndeshjes së fundit në "Loro Boriçi". Por sërish dyshimet janë shumë të forta, ndikuar edhe nga fjalët e trajnerit Paklut që pas ndeshjes me Valeta pati deklaruar se nuk ishte i kënaqur me merkaton.

Sakaq menjëherë pas largimit të trajnerit austriak në stolin e nënkampionëve të vendit do të ketë një rikthim. Bëhet fjalë për teknikun shkodran, Armando Cungu. Me shkodranin në stol Kukësi ka luajtur sezonin e parë në Superiligë dhe gjithashtu ka bërë një debutim spektakolar duke shkuar deri në fazën e “play of” të Europa League.

Kukësi ditën e parë do të zbresë në fushë në ndeshjen e kthimit të Champions League me F.C Valeta. Pas atij barazimi zhgënjyes në ndeshjen e parë në Maltë, kuksianët do të kërkojnë me çdo kusht që të marrin një fitore që i kalon në raundin tjetër të Ligës së Kampionëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë