Ne rrjet

Rritja e rasteve, Beogradi shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Ndërsa BE u dha dritën jeshile serbëve dhe malazezëve për të lëvizur, situata e përkeqësuar nga Covid-19 ka bërë që qeveria e Serbisë të rikthejë masat e kufizimit për të frenuar përhapjen e koronavirusit.   

Këto masa shtesë, duke i paraprirë situatës, do të jenë në fuqi deri në 18 korrik, ndërsa shërbejnë vetëm për Beogradin, i cili ka shpallur gjendjen e emergjencës.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se klubet e natës dhe kafenetë pa ambient të jashtëm do të mbyllen për dy javë nga ora 23:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Po ashtu do të mbyllen të gjitha konviktet studentore në Beograd.

Sipas Vuçiç problemi më i madh me Covid-19 është në kryeqytet, ku ndodhen 82.5 për qind e të infektuarve. Presidenti paralajmëroi gjithashtu se nga e hëna, të gjithë ata që nuk mbajnë maska mbrojtëse në ambientet e mbyllura në Beograd do të gjobiten.

Në 24 orët e fundit 6 persona humbën jetën si pasojë e koronavirusit, ndërsa infektimet e reja ishin 359. 

Që prej shpërthimit të pandemisë, vendi numëron mbi 15 mijë raste dhe 287 viktima.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë