Biznes

Rritet kredia e biznesit për likuiditet dhe pasuri të paluajtshme

Përballja me vështirësitë e shkaktuara nga kriza e pandemisë, i ka detyruar bizneset ti qasen të gjitha formave të huamarrjes për të patur para në qarkullim për nevojat e aktivitetit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë të Raportit të Stabilitetit Financiar për 6 mujorin e parë të vitit, tregojnë se për kërë periudhë është zgjeruar portofoli i kredisë së biznesit që përbën  mbi 60% të kredisë totale të dhënë nga bankat.

Kredia për këtë sektor është zgjeruar me 5.9% ose rreth 20 miliardë lekë, dhe në fund të periudhës arriti në rreth 360 miliardë lekë.

Banka sqaron se rritja në këtë kategori ka ardhur nga zgjerimi në stokun e kredisë afatshkurtër (kredi për kapital qarkullues dhe për blerje pajisjesh) dhe në stokun e kredisë për blerje pasurish të paluajtshme.

Kredia për investime në pasuri të paluajtshme dhe ajo për blerje pajisjesh zënë peshën kryesore (secila 27%) të tepricës së kredisë për bizneset, dhe gjatë periudhës janë zgjeruar me përkatësisht 5% dhe 8%.

Vitin e fundit, bizneset kanë marrë 22% më shumë kredi të re për kapital qarkullues dhe 20% më shumë kredi të re për investime në pasuri të paluajtshme, krahasuar me një vit më parë dhe kjo rritje ka dhënë ndikimin kryesor në ndryshimin vjetor të stokut të kredisë për këto kategori.

BSH evidenton në raport se gjatë viteve të fundit janë vërejtur ndryshime në strukturën e kredisë për bizneset. Kategoritë “overdraft” dhe “kredi për blerje pajisjesh” janë rritur në monedhën vendase dhe janë pakësuar në monedhë të huaj.

Në stokun e kredisë për investime në pasuri të paluajtshme është vërejtur zgjerim i kredisë së dhënë në valutë dhe tkurrje e stokut të kredisë në lekë.

Kredia sipas madhësisë së aktivitetit gjatë periudhës në shqyrtim, ka pësuar rritje në peshën e kredisë dhënë biznesit të mesëm, krahasuar me rënien në peshën e biznesit të madh. Biznesi i vogël nuk ka patur ndryshime thelbësore.

Ndërkohë, analiza sipas afatit dëshmon se të tre llojet e bizneseve kanë ulur peshën e kredisë afatshkurtër, ndërsa biznesi i vogël dhe i madh kanë rritur atë afatgjatë. Biznesi i mesëm ka rritur peshën e kredisë afatmesme, përkundër rënies së asaj afatshkurtër dhe afatgjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë