Menaxhim

Rriten sigurimet gjatë janar-korrikut. Kryeson ai i mjeteve dhe mbrojtja e pronës nga zjarri

Nga Gazeta 'SI' - Gjatë shtatëmujorit janar-korrik 2022, të ardhurat nga sigurimet u rritën me 8.5% nga e njëjta periudhë e një viti më parë, duke arritur vlerën e 11.8 mld lekëve. Në numër kontratash, ato u rritën me 17.3% duke shkuar në 705.545 të tilla, po në raport vjetor.

Sipas AMF-së, sigurimet janë përsëri të orientuara nga ato të jo-jetës që përbëjnë 91.54% të totalit të primeve dhe sigurimet e Jetës kanë 8.36%. Sipas vlerës 10.1 mld lekë i përkasin sigurimeve të jo-jetës dhe pjesa tjetër atyre të jetës.

65.14% e sigurimeve i përkasin atyre motorike, 19.14% sigurimit të pronës dhe e fundit, 15.72% për shëndetin. Pas sigurimit të detyruar të mjetit si MTPL, Kartoni Jeshil dhe ai Kufitar, që zënë pjesën më të madhe të të ardhurave, 6.98 mld lekë, e dyta vjen sigurimi i pronës nga zjarri, 1.29 mld lekë.

Gjatë periudhës janar-korrik 2022, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3.7 mld lekë, me rënie 12.77% nga e njëjta periudhë e vitit të shkuar. Ato të sigurimit motorik patën rritje me 5.6%, duke arritur vlerën e 2.5 mld lekëve.

Nga ndarjet e tregut, Sigal vazhdon të kryesojë me numër kontratash dhe vlerë të ardhurash. Ajo mban 47% të tregut në sigurimet e jetës, ndonëse nga e njëjta periudhë e vitit të shkuar ka rënë me pothuajse 10%. Në tregun e sigurimeve të jo-jetës ajo mban 26%, përkthyer në 2.6 mld lekë nga totali i të ardhurave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë