Nga Bledar Hoti - Refuzimi i dekretimit të Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm ka sjellë një situatë të re të konfliktit mes Presidentit dhe Kryeministrit. Vendimi më i fundit i presidentit Meta është komentuar në mënyra të ndryshme, nëse Presidentit ia lejon Kushtetuta të ndërmarrë një akt të tillë ose jo?
Kushtetuta në nenin 98 të saj përcakton se “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet nga Kuvendi brenda 10 ditëve”.
Argumentet janë të shumta, ku mbi bazën e këtij përcaktimi kushtetues, mediat apo analistë të ndryshëm shprehen se Presidenti nuk ka të drejtë të kthejë apo të refuzojë, por vetëm dekretojë. Madje për këtë është dhënë edhe një qëndrim i mëparshëm i Presidentit paraardhës, Bujar Nishani, i cili deklaroi me rastin e propozimit të paraqitur për të emëruar Fatmir Xhafajn si Ministër të Brendshëm, se nuk mund ta refuzonte, pasi këtë nuk ia lejonte Kushtetuta.
Juristi dhe avokati i njohur, Sokol Hazizaj duket folur Gazetën "Si" në lidhje me këtë konflikt të ri ia hedh “fajin” Gjykatës Kushtetuese, pasi në vitin 2016, refuzoi të shprehej në lidhje me këtë konflikt të tillë.
Ndërsa zgjidhjen e sheh vetëm tek tërheqja e kryeministrit Rama dhe propozimi i një kandidature tjetër për postin e Ministrit të Brendshëm.
Z. Hazizaj, presidenti Ilir Meta refuzoi të dekretonte kandidaturën e propozuar nga kryeministrit Edi Rama, Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm. Në vlerësimin tuaj a është i bazuar ky vendim dhe a e gëzon një tagër të tillë Presidenti në Kushtetutë?
Ende nuk ka dalë në dritë analiza dhe arsyet për të cilat Presidenti i Republikës nuk ka emëruar, apo dekretuar propozimin e Kryeministrit për Ministrin e Brendshëm, për të konkluduar mbi mundësinë ose jo të Presidentit për të ndërmarrë një veprim të tillë. Parë në optikën e Presidentit të kaluar, Bujar Nishani, kjo mundësi nuk ekziston. Parë në optikën e këtij të fundit, kjo mundësi ekziston. Ndaj mosveprimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2016, në optikën e sotme merr rëndësi të madhe.
Pra, Gjykata Kushtetuese me vendimin e atij viti, duke mos pranuar kërkesën e Presidentit të kohës, ka gabuar. Në këtë kuptim çështja sot do të ishte e zgjidhur. Ndaj citoj se ndonëse dekreti Presidentit ka karakter nominal, ku ai dhe vetëm ai emëron dhe shkarkon, procesi është tërësisht politik, dhe si i tillë mendoj se si Meta ashtu edhe Rama, e dinë shumë më mirë ku u pikon çatia, e cila në të vërtetë është duke rënë.
A është vlerësim juridik termi që Presidenca jep si argument për këtë vendim se “Presidenti i Republikës Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t'i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”?
Në rastin e përgjigjes së cituar, Presidenti konceptit të besimit/moralit i ka dhënë veshje juridike, ndoshta për ta bërë konkluzionin e konfliktit, ose pazarit politik sa më të besueshëm ligjërisht. Gjithsesi duhet pritur deri në zbardhjen e arsyetimit të Presidentit mbi mosemërimin e Lleshit. Gjithsesi ricitoj se sa kohë mungon shpirti i rojtarit të Kushtetutës, Gjykatës Kushtetuese, të gjitha mosmarrëveshjet kanë natyrë politike, pse jo dhe meskine e të vogla. Jo rastësisht ndodhin këto, ndaj përhershmërisht kam nxitur mendimin se në shumë dimensione Reforma në Drejtësi ka qenë e papjekur mirë.
Në kushtet kur kemi një Gjykatë Kushtetuese jashtë funksionit si mund të zgjidhet ky konflikt i ri ndërmjet Presidentit dhe mazhorancës qeverisëse, për të interpretuar nëse Presidenti gëzon të të drejtën të kthejë mbrapsht propozimet e Kryeministrit për dekretim ministrash? Kujtojmë se edhe më përpara në qeverinë Nano pati një përplasje të tillë, ku presidenti Meidani mbajti pezull dekretet për ministra, çka detyroi qeverinë e asaj kohe të drejtonte me zëvendësministra. Kjo u bë shkak edhe që në Kushtetutë të përcaktoheshin afatet kohore që Presidenti të shprehej brenda 7 ditëve.
Ndryshon në kohë dhe hapësirë mosdekretimi në kohën e Nanos me situatën në të cilën ndodhemi, jo vetëm për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese, por dhe për shkakun se mazhoranca e asaj kohe ishte në fundin e saj, pra mesazhi ishte i qartë politik për ndryshimin e kaheve.
Ndërsa sot jemi në fillimin e mandatit të dytë, arsye për të cilën qeverisja me zv/ministra është i pakuptimtë. Kushtetuta është dhe duhet marrë ashtu siç është shkruar, duke pranuar qetësisht konfirmimin nga Presidenti të një propozimi tjetër.
Kryeministri nuk ka ende një deklaratë zyrtare për një çështje të tillë, por ai u është drejtuar deputetëve të partisë së tij që të mos reagojnë. Në mesazhin e drejtuar deputetëve të partisë së tij, Rama i shkruan se “Ne jemi shumica dhe ne kemi detyrën t'i dalim Zot njerëzve, vendit, Kushtetutës me maturi dhe vendosmëri. Politika është shah, mos e harroni". Si shkak të kësaj përplasje të fortë mes mazhorancës dhe opozitës, a mund të iniciojë shumica qeverisëse një nismë për shkarkimin e Presidentit të vendit mbi këtë precedent, kjo si ide që mund të vijë brenda radhëve të socialistëve?
Unë mendoj se Kryeministri për nga mënyra autoritare që po qeveris, nuk e lidh qeverisjen vetëm me një emër ministri. Me duket se në rreshtat e mesazhit të tij e ka pranuar këtë nëpërmjet lojës së shahut.
Sa i përket idesë së shkarkimit, citoj se nuk ia vlen të arsyetosh, se është qesharake dhe idiote, të më falni për shprehjen. Kjo pasi Neni 90 i Kushtetutës ia ka hequr këtë tagër Kuvendit, si e tillë mjafton ta lexosh këtë dispozitë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.