Menaxhim

Rreziku nga ndryshimet klimatike, BB nis zbatimin e projektit për qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e bujqësisë

Nga Gazeta Si- Ndryshimet klimatike janë kthyer në një problem për bujqësinë. Për të kaluar këtë sfidë, Banka Botërore ka nisur zbatimin e projektit për qëndrueshmërinë klimatike dhe zhvillimin e bujqësisë ku do të investohen në disa drejtime rreth 70 milionë euro.

Ky projekt ka 3 komponentë.

Komponenti i parë është një financim i drejtpërdrejt që shkon për infrastrukturën me gati 27 milionë euro për modernizimin e skemës së ujitjes dhe kullimit. Më pas është ngritja e 5 markatave dhe një platforme teknologjike për orientimin e fermerëve për mbjelljen e bimëve sipas llojit të tokës.

Gjithashtu do të përfshijë edhe modernizimin e tregjeve dhe monitorimin e prodhimit apo ngritjen e kapaciteteve institucionale që do ndihmojnë Shqipërinë drejt integrimit.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore Sameh Naguib Wahba tha se Shqipëria është një vend i rrezikuar nga ndryshimet klimatike.

“Programi do të mbështesë modernizimin e ujitjes dhe kullimit, modernizimin e tregjeve, monitorimin e  prodhimit apo ngritjen e kapacitetev  institucionale që do ndihmojnë Shqipërinë drejt integrimit. Ndryshimet klimatike janëë të rrezikshme për bujqësine e ekonominë. Shqipëria është e ekspozuar ndaj rreziqeve të përmbytjeve apo thatësirave”, tha ai.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, e pranishme në ceremoninë e nisjes së zbatimit të projektit në Divjakë tha se projekti vjen si një përgjigje të sfidave që sot bujqësia shqiptare ka.

“Me mbështetjen e BB-së do të tejkalohen këto sfida dhe do të ecet drejt një të ardhme të afërt shumë më të qëndrueshme edhe ndaj problemeve që gjithë bota përballet, ajo e ndryshimeve klimatike".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë