Arsim

Rregullorja për rifillimin e shkollës, mësuesit dhe prindërit janë mosbesues

covid, studente, temperatura, rregulla, lajmet, gazeta si

Nga Blerina Goce - “Fillimi i shkollës këtë vit është stres i madh. Vajza u mërzit me mësimin online, por të shkojnë në shkollë me virusin nëpër këmbë, është shumë më keq. Kanë nxjerrë rregulloren se si do të qëndrojnë në klasë, po nuk besoj se do të arrijnë ta zbatojnë”.

Ky është fillimi i ankesës së  Anës, prind i një vajze në klasën e pestë,   e cila i tha Gazetës “Si” e është shumë e shqetësuar në lidhje vendimin e marrë nga Ministria e Arsimit për rifillimin e vitit shkollor në 14 shtator dhe tepër skeptike, për zbatimin e rregullave të vendosura për shkak të situatës së koronavirusit.

Të njëjtin mendim me të ndajnë edhe prindër të tjerë, por edhe mësues të ndryshëm në vend, në sistemin nëntëvjeçar dhe atë të mesëm, të cilët e cilësojnë rihapjen e shkollave një eksperiment.

A.Gj. mësuese në një nga gjimnazet e Tiranës dhe prind i dy fëmijëve në sistemin 9-vjeçar pohon se nuk e ka lexuar rregulloren, pavarësisht se mësuesit e kanë me detyrim leximin e saj. Ajo i tregoi Gazetës “Si” se  nuk kishte marrë asnjë njoftim përmes grupeve në ëhatsapp të mësuesve apo në e-mail, për rregulloren e vendosur.

“Nuk e kam lexuar. Nuk na kanë nisur gjë. E pashë në rrjete sociale këtë lajmërim, pasi në mënyrë të dedikuar si staf, si mësues, nuk na i kanë nisur. Ashtu si unë besoj se nuk e kanë lexuar shumë mësues, të cilët janë me pushime. Kam parë e lexuar diçka në rrjetet sociale, por jo me detaje, sepse janë rregulla të stisur. Sa të shikosh atë rregullore, të ze.”, - shprehet me ironi A. Gj.

Sipas saj, është vështirë të zbatohen gjithë ato masa, të cilat janë shumë teorike dhe aspak me këmbë në tokë, edhe pse, ajo vetë është nga ata prindër, që ka qenë pro rihapjes së shkollave.

“Nuk janë kumbulla fëmijët.  Nuk është kaq e thjeshtë ajo punë e zbatimi të rregullave. Për më tepër, i di mënyrat si shkruhet dhe si sugjerohet në kët raste ndaj nuk e lexoj, se më ngrihen nervat. A thua janë fëmijët gur shahu dhe me një të lëvizuar e një dhënie urdhëri apo tundje gishti dhe do të rrinë tullë. Është e pamundur që fëmija fizikisht ta mbajë maskën të themi, 2 apo 2 orë e gjysmë pa e lëvizur. Edhe çështja e distancës është po ashtu problem: Ti i thua të rrinë në distancë 1.5 m. Por fëmija është në aktivitet dhe do të veprojë. Supozojmë pastaj se ti i ruan distancën; Ai nuk do ta ruajë distancën kur të futet në oborr, ku do të përqafohet, do të luajë, do të zihet me shokët apo do të rrinë kokë më kohë. Nuk janë kaq të thjeshta gjërat.”, pohon A.Gj.

Edhe E.R, mësuese në ciklin parauniversitar dhe prind i një vajze në klasën e gjashtë dhe një djali në klasën e dytë gjykon në të njëjtën mënyrë.

“Këto rregulla janë të gjitha të lodhshme për një fëmijë. Në tërësinë e tyre krijojnë stres. Shkolla nuk është vendi, ku si një copë druri ulesh në një copë dru, merr informacionin dhe kthehesh në shtëpi. Shkolla është shtëpia e dytë e çdo fëmije, ambienti ku ndërveprohet midis tyre, kultivohen miqësitë, shkëmbehen eksperiencat, vrapon i shkujdesur nëpër shkallë etj.”

Sipas saj, rregullorja e re do të jetë gati e pamundur të zbatohet dhe burim stresi për të gjithë.

“Mendohet që fëmijët do të qëndrojnë larg, që sipas rregullores duhet të lajnë duart menjëherë sapo prekin hundën, gojën apo fytyrën etj. Domethënë, rikthimi që aq shumë e deshën prindërit nuk do të risjellë lumturinë e fëmijëve, përkundrazi, si një oomerang do të shndërrohet në burim stresi!”.

Ajo e komenton si qesharake edhe masën disiplinore dhe kontrollin e etikës.

“Nëse prindi vendos të mos e çojë fëmijën në shkollë për ndonjë arsye, nuk mundet se duhet ta justifikojë mjeku I familjes!  Edhe po s’e mbajtën maskën, aq afër sa rrinë fëmijët, do të sëmuren e do ta transmetojnë tek të tjerët, kështu që, sido që ta rrotullosh çështjen, gjithmonë problem do të jetë”, shprehet E.R.

Prindërit dhe mësuesit thonë se  klasat nuk janë aq të mëdha dhe nuk kanë hapësirën e duhur, që të garantojnë ruajtjen e distancës prej 1.5 m mes fëmijëve, ashtu siç është përcaktuar në rregulloren e bërë publike nga Ministria e Arsimit.

“Klasa e vajzës sime te shkolla ‘Fan Noli’ është 5 me 5 dhe në klasë ka 36 nxënës.”, shprehet E.G.

“Nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, sikur mësimi të zhvillohet me dy turne, i bie, që në klasë të ketë 18 nxënës. Si do të qëndrojnë këta nxënës 1.5 m larg njëri-tjetrit?”

A.Gj thekson se, që të ruhet distanca e vendosur sipas rregullores duhen më shumë ambiente, që shkollat tona nuk i kanë.

“Edhe nëse zbatohet kjo teoria e zhvillimit të mësimit me dy turne është shumë vështirë, pasi shkollat tona janë në kufijtë e ambienteve. Mezi rregullohemi edhe kështu. E shoh të vështirë shumë, që rregullat të zbatohen”.

Qesharake duken për disa mësues edhe  disa pika të tjera të rregullores të bërë publike nga Ministria e Arsimit.

“Kam parasysh që kur shkonim në shkollë për konsultimet e Maturës Shtetërore, tre javë para provimeve na masnin temperaturën me termometër digjital, i cili në fakt nuk punonte fare. Ndaj më vjen për të qeshur, kur thonë se do masin temperaturën e fëmijëve në shkolla e të tjera si këto.”

Kanë mbetur vetëm tre javë nga rifillimi i vitit shkollor dhe rregullorja për hapjen e shkollave  krijon shumë shtigje dhe të panjohura për mësuesit dhe prindërit.  A mund të ndodhë realisht që kjo rregullore të zbatohet në një vend si Shqipëria, ku në pjesën më dërrmuese të rasteve, shkollat nuk plotësojnë as kushtet më minimale të higjenës dhe klasat janë fare të vogla dhe me pak hapësirë?!

Me shumë gjasë, në rastin më të mirë, prindërit do t’i kthehen sërish grupeve të ëhatsapp-it, në një kohë kur autoritetet dhe Ministria e Arsimit nuk thonë është se si do të veprojnë, në rast të identifikimit të vatrave të infektimit në shkolla të caktuara, te nxënësit apo në radhët e mësuesve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë