Arsim

Në rresht për një, 2 metra larg dhe me maska – del udhëzuesi i rinisjes së shkollës

Ministria e Shëndetësisë ka bërë publik udhëzimin me masat e ndërmarra për rihapjen e shkollave. Sipas këtij udhëzimi, nëpër godinat e shkollës nxënësit nuk do të hyjnë menjëherë, por përmes një grafiku që do të hartohet nga vetë institucioni, për gjimnazistët dhe universitet maskat janë me detyrim, ndërsa për nxënësit e 9-vjeçares rekomandohet mbajtja e tyre gjatë orëve të mësimit.

Gjatë hyrjes në shkollë, nxënësit duhet të shoqërohen gjithmonë nga mësuesi kujdestar, që duhet të sigurohet për respektimin e distancës prej 2 metrash nga njëri-tjetri. Udhëzimi ndalon hyrje-daljet në shkollë brenda të njëjtës ditë të nxënësve. Në momentin që ata do të hyjnë, dera kryesore mbyllet, ndërsa mësimi nëpër klasa zhvillohet me dritaret e hapura.

Numri i nxënësve në një klasë do të përcaktohet në varësi të madhësisë së ambientit, pasi udhëzuesi kërkon qartë që distanca mes nxënësve të jetë jo më pak se 1.5 metra. Në rastet e klasave më numër të madh nxënësish, udhëzuesi ngarkon shkollat që ta zgjidhin përmes sigurimit të ambienteve të reja dhe orareve të ndryshme të mësimit.

Sipas këtij udhëzuesi, kur një nxënës shfaq simptoma si temperaturë lajmëron mësuesin kujdestar dhe nuk paraqitet në shkollë. Menjëherë pas kësaj, mësuesi kujdestar duhet të njoftojë drejtorinë e shkollës dhe autoritetet shëndetësore për rastin dhe janë këto të fundit që do të përcaktojnë nëse do të ketë izolim të mësuesit dhe klasës, apo jo.

Mësuesi duhet të respektojë distancimin fizik brenda klasës dhe është i detyruar që përgjatë të gjithë procesit mësimor të mbajë të vendosur maskën. Në ambientet e brendshme, shkollat duhet të sigurojnë gjithashtu edhe alkool, apo lëndë të tjera dezinfeksuese.

Udhëzuesi përcakton se në rastet kur është e mundur të praktikohet mësimi në ambiente të hapura (oborr shkolle), duke respektuar largësinë dhe rregullat e mësipërme dhe ndalon ushqimin në klasë.

Në rastet kur transporti i nxënësve kryhet me mjete publike, ose furgonë të dedikuar nga vetë shkolla, në rastet e atyre private maskat janë më detyrim mbajtjeje gjatë të gjithë transportit dhe mjejtet duhet të dezinfektohen sipas udhëzimit për transportin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë