Politike

PD: S’ka plan për shkollat. Protokolli i sigurisë, i pazbatueshëm

Partia Demokratike këmbëngul se Qeveria nuk ka asnjë plan serioz për rihapjen e shkollave dhe se me improvizimin dhe paaftësinë po vë në rrezik shëndetin dhe jetën e shqiptarëve.

“Rreth 510 mijë nxënës dhe mësues janë të rrezikuar drejtpërsëdrejti nga infektimi për shkak të papërgjegjshmërisë së kryeministrit në ikje dhe ministreve të tij të paafta të arsimit dhe të shëndetësisë”, deklaroi ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi.

Vokshi thotë se situata përkeqësohet edhe më tej për shkak të mosmbajtjes së premtimit të Qeverisë për të përfunduar rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti brenda para muajit shtator.

“Situata bëhet edhe më kritike me shembjen dhe nxjerrjen jashtë kontrollit të mbi 300 objekteve arsimore për shkak të tërmetit të nëntorit të kaluar. Qeveria nuk e mbajti premtimin për t’i ndërtuar shkollat deri në shtator dhe tani me rrezikun e COVID 19 gjendja është alarmante. Cili është plani i qeverië për të sistemuar mbi 23 mijë nxënësit dhe mësuesit, që nuk kanë më një shkollë për shkak të tërmetit? Si do të bëhet shpërndarja e tyre në klasa për të garantuar distanzimin, kur dihet se klasat janë të mbipopulluara edhe pa shembjen dhe dëmtimin e këtyre 300 objekteve arsimore”, tha ajo.

Përfaqësuesja e opozitë qortoi edhe protokollin e sigurisë së publikuar nga Ministria e Arsimit. Vokshi thotë se ai përmban rregulla të përgjithshme dhe në pjesën më të madhe të shkollave përcaktimet e këtij protokolli janë të pazbatueshme.

“Në udhëzim nuk parashikohet fare se çfarë ndodh me klasën, me shkollën, nëse nxënësit apo mësuesit infektohen. Prindërit, nxënësit dhe mësuesit janë të paqartë për orët e mësimit, për turnet në shkolla, si do të zbatohet distanca 1.5 metra e fëmijëve, çfarë do të bëhet për të garantuar kushtet higjieno-sanitare, në mënyrë që rinisja e mësimit të mos shndërrohet në një katastrofë shëndetësore”, u shpreh Vokshi.

Opozita kërkon gjithashtu edhe shtim të buxhetit për arsimin.

“Qeveria e Shqipërisë është e vetmja në Europë që nuk ka dhënë asnjë qindarkë shtesë për përballimin e pandemisë me rihapjen e shkollave. Fëmijët dhe nxënësit po çohen drejt një rreziku të paralajmëruar pa u siguruar të paktën distancimin social”, thotë Vokshi.

Opozita paralajmëron se “improvizimi i qeverisë së paaftë dhe të papërgjegjshme të Edi Ramës mund të rezultojë në përhapje edhe më masive të virusit përmes shkollave, nëse qeveria nuk ndryshon qendrim dhe nëse nuk merr masa serioze”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë