Politike

Rregullorja e Kuvendit, deputetët e rinj kundër propozimit të PS

Socialistët janë vënë në lëvizje për të miratuar së bashku me deputetët e rinj të opozitës rregulloren e re të Kuvendit, jo se nuk i kanë votat për ta miratuar të vetëm, por për t’i qëndruar premtimit për një paketë konsensuale.

Projektvendimi qëndron prej dy vitesh në tryezat e grupeve dhe komisioneve parlamentare. Në mbledhjen e fundit, deputetët e rinj të dalë nga listat e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim parimisht ranë dakord me deputetët e mazhorancës për nevojën e ndryshimit të rregullores, por u ndanë me ta mbi draftin e propozuar.

Korab Lita është njëri prej deputetëve që hyri në Parlament pas djegies së mandateve në grup nga ana e Partisë Demokratike. Ai është pjesë e Grupit Parlamentar Demokrat dhe nënkryetar i Komisionit të Ligjeve, që diskutoi në mbledhjen e fundit draftin e Partisë Socialiste për rregulloren e re të Kuvendit.

Gazeta Si kontaktoi me deputetin për të mësuar se çfarë qëndrimi do të mbajë grupi parlamentar i demokratëve mbi propozimin e socialistëve, sidomos sa i takon nenit 118 të tij, ku projektvendimi i shumicës detyron prokurorët që së bashku me kërkesën për arrestimin e një deputetit, të dorëzojnë edhe provat.

“Si grup Parlamentar Demokrat jemi kundër projektit, i cili ka filluar diskutimin, ndërsa qëndrimi im personal si N/Kryetar i Komisionit të Ligjeve në lidhje me nenin 118 është që jo vetëm që s’duhet miratuar, por unë mbështes variantin që imuniteti i deputetit s’duhet të ekzistojë fare. Deputetët duhet të jenë pa imunitet, të jenë përpara ligjit si të gjithë qytetarët”, deklaron Lita.

Rregullorja e re është rikthyer për diskutim nga socialistët. Për herë të fundit ajo u diskutua në muajin janar, kur Partia Demokratike dhe aleatët e saj nuk kishin marrë ende vendimin për djegien e mandateve. Në atë kohë, përfaqësuesit e PD dilnin kundër propozimit, duke akuzuar mazhorancën se po rikthente imunitetin e deputetit dhe flisnin për shkelje ligjore dhe cenim të pavarësisë së punës së prokurorit me propozimin për të kërkuar provat së bashku me kërkesën për arrestimin e deputetëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë