Ka bërë bujë rikthimi i ish-presidentit të Milanit, Silvio Berluskonit, në botën e futbollit. “Kavaljeri” vazhdon me të vetat dhe sapo ka marrë detyrën te Monxa, skuadër e kategorive inferiore në Itali, ka vënë rregullat e tij për futbollistët. Ai dëshiron të ketë një skuadër të re, me italianë, lojtarët të jenë me flokë të krehur dhe një shembull korrektësie, madje duhet të kërkojnë të falur kur bëjnë faull.
Gjatë eventit “Ide për Italinë dhe Milanon”, Berluskoni ka folur edhe për projektin e tij për Monxën, që e ka blerë zyrtarisht javën e kaluar, bashkë me Adriano Galiani, ish-drejtuesin tjetër të Milanit. “Për Monxën kemi një program të veçantë, – ka theksuar Berluskoni. – Do të jetë një skuadër me lojtarë të rinj në moshë dhe të gjithë italianë. Duhet t’i kenë flokët në rregull, është një parukier në Monxa që ka thënë se do të punojë gratis për futbollistët. Nuk duhet të jenë me mjekër dhe me tatuazhe, si dhe nuk duhet të mbajnë vëthë. Duhet të jenë një shembull në fushë dhe jashtë saj. Kur të bëjnë faull, duhet t’i shtrëngojnë dorën kundërshtarit dhe duhet t’i kërkojnë falje, ndërsa arbitrin duhet ta trajtojnë si një zotëri. Nëse u kërkohen autrografë, s’duhet të bëjnë shkarravina, por duhet të shkruajnë mirë emrin dhe mbiemrin. Duhet të dalin gjithmonë të veshur si duhet. Dua diçka ndryshe nga futbolli aktual”, – ka përfunduar ish-kryemninistri i Italisë, duke lëshuar edhe ndonjë batutë.

Berluskoni është nga ata njerëz të famshëm që kujdeset shumë për pamjen e jashtme dhe kërkon që edhe njerëzit me të cilët punon të bëjnë të njëjtën gjë. Është e njohur batuta e tij e disa viteve më parë, kur Milanin e drejtonte trajneri aktual i Juventusit, Masimiliano Alegri. I pyetur për ecurinë e skuadrës kuqezi, Berluskoni përgjigjej: “Alegri bën mirë që të krihet dhe t’i mbajë flokët në rregull”. Tani kërkon të hapë një cikël të ri me Monxën, jo vetëm për atë që skuadra duhet të jape në fushë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.