Futboll

Rrëfehet Ronaldo: Te Juve nuk erdha për para, dua Topin e Artë përsëri

Kristiano Ronaldo për herë të parë që pas kalimit te Juventus është rrëfyer 360 gradë. Në një prononcim për revistën e njohur franceze, “France Football” ka folur për të gjitha temat ku emri i tij është përmendur në këto muajt e fundit.

Tema e parë për të cilën Ronaldo u pyet kishte të bënte pikërisht me çmimin që kjo revistë jep çdo vit, “Topin e Artë”. Ronaldo deri më tani është fitues i këtij çmimi dhe ka treguar se çfarë synimesh ka.

“E kam thënë edhe më herët që të fitoj për të gjashtën herë këtë çmim nuk është një obsesion për mua, por një objektiv. Në mendjen time unë e kam të fiksuar që jam futur në mesin e futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave dhe sigurisht që do më pëlqente nëse do e fitoja sërish. Unë jam një njeri që punoj çdo ditë për të shënuar gola dhe që ekipi ku unë luaj të fitojë ndeshjet dhe nuk do më dukej e habitshme nëse do e fitoja ‘Topin e Artë’.”- tha portugezi.

Largimi nga Real Madrid

Për largimin nga Real Madrid, sulmuesi portugez u shpreh se për mënyrën se si shkuan gjërat, ishte vendimi më i duhur. “Ishte një zgjedhje e drejtë. Në Madrid kam kaluar momente të mrekullueshme që më kanë falur emocione të papërshkrueshme. Shokët e ekipit dhe të gjitha ato momente që kam kaluar atje do të mbeten në zemrën time. Gjithashtu edhe tifozët do i kem gjithmonë në zemrën time. Por mendoj se pas 9 viteve kishte ardhur koha për ndryshim. Nëse do kishte qenë për të zgjedhur paratë, unë mund të kisha shkuar në Kinë, ku më ofroheshin shuma të mëdha. Nuk e kam zgjedhur Juventus për paratë, në Madrid unë fitoja më shumë. Por klubi dhe të gjithë këtu në Juventus kanë treguar se më kanë dëshiruar.”- tha Kristiano Ronaldo.

Raporti me ish-presidentin Florentino Perez

Në lidhje me presidentin e Real Madrid, Perez, Ronaldo është shumë i ftohtë, duke thënë se raporti i tyre kishte qenë vetëm si lojtar president dhe asnjëherë miqësor.

“Raporti ynë nuk ka qenë asnjë herë më shumë se profesional. Ajo që në mund të bisedonim nuk ishte diçka që buronte nga zemra. Pas 5 viteve të para në Madrid, kuptova që diçka kishte ndryshuar. Presidenti nuk më shikonte më me të njëjtët sy. Sa herë që dilnin zëra merkatoje për largimin tim, nuk shikoja ndonjë reagim nga ai, por gjithmonë rrinte në heshtje.”- është shprehur Ronaldo për France Football.

Çështja Maygora dhe Ronaldo

Në fund të intervistës, Ronaldo nuk mund të rrinte pa folur edhe për çështjen më të përfolur të ditëve të fundit, “Maygora”. “Këtë çështje ia kam shpjeguar së pari gruas sime, ndërsa djali im i madh është ende në moshë  jo të duhur për ta kuptuar këtë histori. Ajo që e ka vuajtur më shumë këtë histori është motra ime. Ajo bashkë me nënën time janë shumë të prekura dhe të irrituara njëkohësisht. Është hera e parë që kam parë motrën time në atë gjendje dhe më vjen keq shumë për këtë gjë.”- ka mbyllur prononcimin e tij sulmuesi portugez.

 

Më Shumë