Futboll

Ronaldo nuk shënon, por Juventus fiton, Milan përmbyset nga Napoli

Cristiano Ronaldo nuk shënon, por ky nuk është problem, pasi Juventus di të fitojë. Skuadra torineze triumfon edhe kur kundërshtari është i fortë dhe rival për vendet e para si Lacio në shifrat 2-0. Por nëse në Torino ka festë, Milano është në trishtim total. Pas humbjes së Inter në javën e parë është mundur edhe Milan në debutimin e saj në Serie A. Skuadra e Gattuzos është mposhtur me përmbysje nga Napoli i Ancelotitt 3-2.

Juventus e pati shumë të lehtë ta fitonte ndeshjen me Lacion edhe pse Thomas Strakosha u mundua në maksimum për ta evituar disfatën për lacialët. Torinezët shënuan që në pjesën e parë me anë të Pjaniç. Nga ky moment e gjitha skuadra bardhë e zi po punonte që Ronaldo të gjente golin e parë me Juventusin në një ndeshje zyrtare. Por as goli i 2-0 nuk do të shënohej nga portugezi, që megjithëse e kishte topin në këmbët e tij nuk e shtyu dot në rrjetë, pasi Strakosha ia mohoi një gjë të tillë. Me këtë fitore Juventus merr kryesimin e Serie A dhe  konfirmon veten si pretendentja kryesore për të fituar titullin e tetë radhazi.

Sakaq në “San Paolo” ka qenë një mbrëmje me dy fytyra për të dyja skuadrat. Nëse në pjesën e parë ajo që dominonte dhe fitonte ishte Milan, nuk mund të thuhet e njëjta gjë edhe për fraksionin e dytë. Nga 2-0 që ishte duke kryesuar deri në minutën e 50-të, Milan është përmbysur nga tre gola të shpejtë të napolitanëve që çuan në delir tifozët që kishin tejmbushur stadiumin. Me këtë triumf sërish me përmbysje, Napoli tregon se do të jetë ajo skuadra anti-juve edhe këtë sezon dhe do i provojë deri në fund shanset për ta çuar titullin kampion në jug të Italisë pas kaq shumë vitesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë