Analize

Romët, “skllevërit” modern të Europës

Shumica e europianëve tronditen kur dëgjojmë për shkeljet e tmerrshme të të drejtave të njeriut në botë duke filluar nga burgosja e grave që kanë pasur një abort në El Salvador, deri te persekutimi i të gjitha grupeve etnike në Mianmar. Ne e mendojmë veten si njerëz që paraqesin një shembull për pjesën tjetër të botës kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, barazinë dhe mosdiskriminimin. Sidoqoftë asnjë prej fuqive evropiane nuk duket e gatshme të pranojë situatën e ngjashme me qytetarët romë, neglizhimin dhe diskriminimin sistematik të këtij komuniteti, nga politikanët tanë. Romët kanë qenë në Evropë për 1000 vjet por ende nuk e ndejnë veten në shtëpi. Ajo që është vërtet tronditëse është të shikojmë vendimmarrësit që nuk përpiqen të bëjnë asgjë për të ndalur diskriminimin e hapur ndaj romëve dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut.

Si janë romët sot?

Sot, një në tre rom në Evropë është i papunë dhe 90% jetojnë nën nivelin e varfërisë, sipas Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore të Njeriut. Shumë romë vazhdojnë të jetojnë në kampe ose karvane, por është e vështirë të thuhet se prej tyre preferojnë këtë mënyrë jetese dhe sa prej tyre thjesht nuk mund të gjejnë një mënyrë për t’u përshtatur.

Avokatët thonë se romëve u mohohet një shans i drejtë për të siguruar strehim, punësim dhe arsimim. Dhe agjensia e BE-së për të drejtat e njeriut tha se qeveritë duhet të veprojnë për të ndaluar “përjashtimin” e romëve nga shoqëria kryesore.

Sa romë ka Evropë?

Në kontinet jetojnë 10 milion deri në 12 milionë romë, sipas agjensisë së të drejtave të njeriut të BE, e cila tha vitin e kaluar se romët janë pakica më e madhe e Evropës. Shumica jetojnë në Evropën Jugore dhe Lindore, edhe pse mund të gjenden në të gjithë kontinentin.

Cila është gjuha e tyre?

Gjuha rome përfshin dialekte të shumta, të cilat kanë evoluar nga sanskritishtja. Gjuha është kryesisht e pashkruar, për shkak të shkallës së lartë të analfabetizmit në shumicën e komuniteteve rome.

Cila është feja e tyre dhe pse u quajtën ciganë?

Disa janë të krishterë dhe disa janë myslimanë, sepse romët janë konvertuar ndërkohë që kanë emigruar përmes Persisë dhe Ballkanit. Ata u quajtën ciganë sepse kur hynë në Evropë në shekullin e 10-të njerëzit gabimisht mendonin se vinin nga Egjipti. Në fakt, ata erdhë nga rajoni Punjab i Indisë. Termi “ciganë” nënkupton më shumë një mënyrë jetesë, një formë për të thënë se romët nuk i përkasin asnjë shteti.

Pse romët u bënë nomade?

Kjo mund të ketë ardhur për shkak se ishin të pakënaqur dhe të diskriminuar nga evropianët. Ashtu si hebrenjtë, romëve ju është ndaluar shpesh të blinin toka ose të studionin për profesione të qëndrueshme. Pas shumë mundesh, jeta prej nomadësh u bë normë për ta. Disa avokatë thonë se shumë europianë supozojnë qëllimisht se që të gjithë romët zgjedhin të jenë nomadë, duke e përdorur këtë argument për të justifikuar paaftësinë e autoriteteve për të siguruar strehim për këtë komunitet.

Me çfarë diskriminimesh përballen romët?

Romët dikur jetonin në Spanjë, Francë, Angli dhe pjesë të mëdha të rajonëve të sotme të Rusisë. Ata vuajtën përndjekje duke filluar nga ligjet kundër gjuhës së tyre deri tek dëbimi me forcë. Në fillim të shekullit të 15-të, shumë romë u mbajtën si skllavë nga fisnikët hungareze dhe rumune, të cilët kishin nevojë për punëtorë për pronat e tyre të mëdha.

Romët pësuan persekutim edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fati i tyre në disa mënyra ishte paralel me atë të hebrenjve. Nazistët nënshtruan romët në internim, punë të detyruar dhe vrasje. Edhe pse shifrat ose përqindjet e sakta nuk mund të përcaktohen, historianët vlerësojnë se gjermanët dhe aleatët e tyre kanë vrarë rreth 25% të të gjithë romëve evropianë.

Amnesty International thotë se qeveritë evropiane vazhdojnë të diskriminojnë në mënyrë aktive romët.

Paragjykimi modern në Europë

Një nga shembujt më të fundit të paragjykimit ndaj romëve në Europë është largimi i fëmijëve romë nga prindërit e tyre në bazë të statusit shoqëror të familjes dhe varfërisë. Kjo praktikë, e cila është raportuar në disa shtete anëtare të BE-së, është në shkelje e qartë e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve dhe vlerat themelore të Bashkimit Evropian. Një investigim i kohëve të fundit i BBC-së tregon se shumë shpesh fëmijët në institucionet e mbrojtjes së fëmijëve në Hungari përfundojnë si viktima të dhunës seksuale, prostitucionit, abuzimit me drogën e kështu me radhë. Hungaria është një nga ato vende, e cila njihet për ndarjen e fëmijëve romë nga familjet e tyre.

Qendra Evropiane e të Drejtave të Romëve ka hulumtuar trajtimin e fëmijëve romë në institucionet e mbrojtjes për dekada të tëra. Sipas zbulimeve të fundit, në qarkun Nograd të Hungarisë, 80 përqind e fëmijëve të ndarë nga prindërit e tyre vijnë nga familjet rome, edhe pse romët përfaqësojnë vetëm 20 përqind të popullsisë në qark. Kjo është arsyeja pse Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve ka ngritur kohët e fundit një padi kundër ministrisë së burimeve njerëzore të Hungarisë.

Organizatat humanitare i kanë kërkuar Komisionit Evropian të fillojë hetimet kundër Hungarisë, për të monitoruar situatën në të gjitha shtetet anëtare dhe për të përgatitur një raport mbi këtë çështje. Është gjithashtu koha që evropianët, të mos mbyllin sytë ndaj këtyre akteve të tmerrshme dhe të pyesim veten se si do të ishte nëse do të na merrnin fëmijët tanë vetëm se do të ishim të varfër.

Në dhjetor të vitit 2015, një delegacion aktivistëve vizituan Brukselin për t’u takuar me politikëbërësit evropianë dhe aktivistët për të drejtat e romëve. Gjatë kësaj vizite, aktivistët romë nga Republika Çeke, Rumania dhe Hungaria diskutuan perspektivat e tyre mbi kufijtë, ndryshimet e ndërmarra nga BE dhe se cili sihte thelbi i identitetit të tyre. Pothuajse të gjithë njëzëri ata deklaruan se portretizimi i romëve si një komunitet bëjnë që ata mos të pranohen nga rrethinat lokale ku banojnë.

Romët në Shqipëri

Romë vijnë nga një popullsi e cila fliste sanskrinishten dhe jetonin midis Indisë e Pakistanit. Ata u vendosën në shumë vende të Europës dhe ishin ekspertë në punimet e një metali të quajtur athinganoi, prej ku buron edhe  etiketimi “arixhinj”.

Shqipëria nuk i ka numëruar kurrë anëtarët e minoritetit rom me përjashtim të vetëdeklarimit të vitit 2011, por qeveria shqiptare ka deklaruar në një sërë dokumetash zyrtare se popullata rome ne vendin tonë arrin mes 60 mijë dhe 120 mijë vetë. Romët janë vendosur në Shqipëri në shekullin e 13-14, pasi filluan të shpërndaheshin në të gjithë Ballkanin.

Zakonisht ata flasin gjuhën shqipe, megjithëse dallohen nga theksi apo gramatika e përdorur dhe në të njejtën kohë edhe gjuhën e tyre amtare, gjuhën rome, e cila ka ngjashëri me gjuhët e folura në Indinë e veriut dhe Pakistanin lindor. Meçkarët janë fisi më i madh rom dhe më i vjetër në Shqipëri. Ata jetojnë në qytetet e Tiranës, Durrësit, Lushnjes, Fierit dhe Vlorës dhe janë marrë tradicionalisht me bujqësi dhe kultivim në ferma.

Por ky komunitet është një nga më të diskriminuarit, prapambeturit dhe më të varfrit në vendin tonë. Madje para disa vitesh, disa drejtues të Bashkimit Evropian për të drejtat e njeriut i kanë rekomanduar Shqipërisë që të ndalë diskriminimin ndaj komunitetit rom, pasi kjo do të pengojë integrimin e vendit në BE.

Drejtori për Zgjerimin në Komisionin Evropian ka deklaruar se ky komunitet përballet me diskriminimin në masë nga shoqëria shqiptare, aksesin e pakët në arsim, në shërbimet shëndetësore, në punësim dhe strehim. Sipas të dhënave të UNICEF-it në vitin 2007, 62% e romëve në moshë prej 3 deri 16 vjeç nuk shkojnë në shkollë ose në institucione parashkollore.  Studimi i UNICEF-it gjithashtu tregon se numri i vajzave në shkollë prej moshës 6 deri 9 vjeçe është më i madh se tek djemtë, veçse ato braktisin shkollën pas moshës 10 vjeçe. Romët nuk janë përfaqësuar asnjëherë në Kuvendin e Shqipërisë dhe as nuk janë pëfshirë në listat e partive politike që përfaqësojne pakicat kombëtare. Romët kanë qenë  gjithmonë pjesë e strukturës së shoqërisë shqiptare, por janë lejuar të përmbushin rolin e më pak të favorizuar në shoqëri, duke u kthyer në skllevërit modern të kontinentit.

numër i madh romësh mbahen në kushte degraduese pune dhe paguhen më rroga minimale. Cilido qoftë statusi juaj në jetë, është gjithmonë dikush poshtë jush që mund të bëjë punët e pista dhe të mund të shfrytëzohet, dikush që në Shqipëri konsiderohet në shumicën e rasteve si “arixhi”.

Burimet: “Euobserver”, “CNN”, “Amnesty International”, “Le Monde”

Më Shumë