Anarshi totale te Tirana. Tifozë që vendosin parulla kundër presidentit të tyre, dënohen nga komisionet e FSHF-së të mos shkojnë në stadium, por sërish gjejnë mënyra për ta thënë fjalën e tyre dhe në fund degjenerim total, deri në futjen në fushë për të rrahur futbollistët me fanellën bardheblu. Për rezultatet sportive më mirë të mos flitet.
Harrojeni Tiranën e dikurshme! Klubin më të titullar në vend, ky i sotmi është për turp. Për të ardhur keq. Tirana është katandisur më keq se një klub i kategorive inferiore dhe po përjeton ditët e saj më të errëta. Ajo që u pa në përfundim të ndeshjes me Kukësin, ku tifozët e saj kapërcyen kangjëllat dhe u turrën drejt lojtarëve në fushë, tregon më së miri krizën e identitetit të klubit bardheblu, që duhej të ishte shembull për menaxhimin, administrimin, bashkëpunimin e gjithë faktorëve dhe natyrisht, për vlerat sportive. Por asgjë nga këto nuk funksionon te klubi kryeqytetas. Alarmi ka kohë që është dhënë, por drejtuesit e Tiranës nuk kanë qenë në gjendje të shmangin të keqen.
Kjo Tiranë “fut ujë” nga të gjitha anët dhe ç’është më e keqja, tani është në luftë edhe me veten. Dhe nuk ka se si një ekip, tifozët e të cilit fyejnë gjatë gjithë ndeshjes presidentin e tyre, të arrijë rezultate. Refik Halili, presidenti i Tiranës, është në konflikt të vazhdueshëm me ata që duhej të ishin oksigjeni i Tiranës, tifozët bardheblu. Këta të fundit, ndoshta me të drejtë, po reagojnë gjithmonë e më fuqishëm, teksa shohin që Tirana e tyre ka humbur gjithçka nga AND-ja e saj, duke nisur nga mentaliteti i fituesit, që trajneri Mema e përmendi pas barazimit me Kukësin. Ata nuk ia falin presidentit dështimet e njëpasnjëshme të skuadrës dhe njollën e rënies në Kategorinë e Parë, edhe pse ai ka investuar jo pak.
Por dhuna kurrsesi nuk është rruga për të zgjidhur problemet dhe reagimi pas ndeshjes me Kukësin është skandaloz për një klub si Tirana dhe tifozët e saj. Për 90 mminuta në stadium nuk u dëgjua asnjë kor inkurajues për lojtarët e Tiranës, por vetëm thirrje kundër presidentit Refik Halili. “Fanatiksat” e dënuar nga Disiplina nuk u futën në stadium të organizuar si zakonsiht, po u bashkuan në një nga tribunën përballë, secili me një portret të presidentit në dorë, duke thirrur “Ik Nga Tirona”. Në fund edhe reagim fizik ndaj lojtarëve dhe disa të shoqëruar nga policia.
“Çdokush qe nuk e meriton emrin Tirone dhe çdokush që ka punuar kundër emrit të saj, me në krye Refik Halilin dhe pseudostafin e tij, nuk e kanë vendin te shtëpia bardheblu... Ne nuk do të lejojmë askënd të përdhosë emrin e modh të TIRONES! Tirona i përket popullit bardheblu dhe atyre që kanë dhënë gjithçka për këto ngjyra...Ju të tjerët, këtu, jeni të gjithë të tepëërt!” Ky është postimi i fundit i grupimit “Tirona Fanatics”, që duket se po përgatit “bëmën” e radhës, ndërsa presidenti Halili pas ndeshjes me Kukësin ka shkuar në dhomat e zhveshjes për të qetësuar lojtarët. Klubi bardheblu është para një udhëkryqi të madh dhe duke qenë se sportivisht e ka humbur sezonin, të paktën duhet të rihedhë themelet e një klubi serioz, siç i ka hije Tiranës. Para së gjithash, duhet të bëjë paqe me veten.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.