Futboll

Rokadë në kombëtaret e vogla, FSHF ndryshon trajnerët e moshave

Në mbyllje të eliminatoreve për kampionatin Europian te moshat dhe Ligës së Kumbeve për ekipin e parë, FSHF ka vendosur të bëjë një mini revolucion. Duke filluar nga ekipi U-15 e deri tek ai U-19 Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që t’i ndryshojë trajnerët.  Erion Bogdani, Xhemal Mustedanagiç dhe Eqerem Memushaj do të largohen nga drejtimi ekipeve U-19, U-17 dhe U-15. FSHF ende nuk i ka bërë të ditur emrat e atyre që do të do të marrin drejtimin e këtyre ekipeve edhe pse në orët e fundit janë folur shumë emra.

Nga tre trajnerët e larguar, boshnjaku Xhemal Mustedanagiç do të vijojë të jetë pjesë e strukturave të Federatës. Ai do të mbajë pozicionin e drejtorit të zbulimit të talenteve pranë FSHF. Ndërkohë për Bogdanin dhe Memushaj nuk bëhet e ditur nëse do të jetë rezervuar ndonjë pozicion tjetër në strukturat e qeverisë shqiptare të futbollit.

Nga kjo lëvizje, i vetmi që ka shpëtuar është trajneri i U-21, Alban Bushi. Tekniku edhe pse nuk mori më të mirën e mundshme nga kualifikueset e fundit, mund të justifikohet, pasi në shumë raste ekipi i tij u cungua nga zgjedhjet e trajnerit të Kombëtares, Kristian Panuçit,  i cili ka marrë shumë lojtarë të tij.

Të tre trajnerët e rinj të përzgjedhur nga FSHF do të prezantohen ditën e martë në ambientet e federatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë