Futboll

Ritet dhe talismanët nga buron suksesi i Pep Guardiolës

Nuk është e vertetë, por unë e besoj. Bestytnitë dhe ritet para ndeshjes kanë nënshtruar edhe ata më të paparashikueshmit, siç është për shembull Pep Guardiola, trajneri i famshëm spanjoll që prej më shumë se një dekade fiton falë organizimit dhe racionalitetit të tij, por edhe sepse është pak supersticioz. “Fiksimet” e tij i ka zbuluar dokumentari “All or Nothing”, që ka pasur në fokus aktivitetin e trajnerit të Mançester Sitit para çdo ndeshjeje.

Para së gjithash, një përqafim me mikun e tij special,  Manuel Estiarten, që shumë në Spanjë e kujtojnë si kampion në vaterpolo gjatë viteve ‘80-90. Ai është ndihmësi i parë i Guardiolës që në kohët kur ishte te Barcelona. Raporti mes trajnerit dhe ndihmësit të tij është thelbësor në sukseset e arritura me të gjitha skuadrat nga Pep. Pa përqafimin “e personalizuar”,  Guardiola nuk mund te zbresë në fushë.

Guardiola dhe ndihmësi i tij Estiarte

E dini çfarë vesh në këmbë Guardiola, kur zbret në fushë? Varet, por për serinë e 18 fitoreve radhazi në gjysmën e parë të sezonit të kaluar talismani u kuptua qartë: Një palë këpucë speciale, dedikuar maestros Johan Krojf. Pas barazimit me Evertonin në javën e parë të kampionatit, mbërritën “Cruijff Boots”, për më tepër me firmën e “Profetit të Golit”. Dhe rezultatet erdhën menjëherë. Por Krojfi nuk është vetëm në këpucët e Guardiolës, por edhe në zemrën e tij. Në zyrën e trajnerit ka një statujë të holandezit, i cili ka kontribuuar në mënyrë esenciale si në kohën kur katalanasi ishte lojtar, kur i besoi regjinë te Barcelona, ashtu edhe për Pepin trajner. Natyrshëm trajneri i Mançester Sitit ka dëshirë ta kujtojë gjithmonë përpara vetes dhe të tjerëve se nga ka lindur suksesi i tij.

Këpucët fatsjellëse të Guardiolës me emrin dhe firmën e legjendës Johan Krojf

Një tjetër “fiksim” i trajnerit katalans është vendi ku ulet në stol. Në 10 vitet e fundit ai i ka ndjekur ndeshjet gjithmonë ngjitur me njërin nga pjesëtarët e stafit të tij, Domenek Torrent. Por tani ka një problem: Torrent është bërë trajner i Nju Jork Sitit. Si do t’ia bëjë Guuardiola? Duke gjykuar nga ndeshjet me Çelsin dhe Arsenalin, ky rit duket se ka qenë më pak i nevojshmi…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë