Futboll

Risia e Uefa, një kupë e re për klubet europiane

Duke filluar nga 2021 futbolli europian do të kthehet në origjinë, duke pasur tre kupa kontinentale për klubet. E përditshmja gjermane shkruan se një kupë e re është rrugës për t’u krijuar nga Uefa. Ajo do të përbëhet nga 32 skuadra, 16 nga Europa League që do të mbetet me 32 dhe 16 të tjera që deri më tani kanë mbetur në fazën play-off.

Kthimi në origjinë

Uefa po shikon mundësinë për të iniciuar një revolucion të vërtetë në futbollin europian të klubeve. Nisma e re qeverisë europiane të futbollit vjen pas kërkesave të shumta nga federatat dhe klubet për të pasur sa më shumë vende për të luajtur në ndeshjet europiane. Kështu sipas asaj që shkruan e përditshmja gjermane Bild, përmes një mekanizmi që po studiohet, parashikohet që klubet europiane të luajnë në një kompeticion tjetër ndërkombëtar përveç Champions League dhe Europa League. Sipas asaj që shkruan Bild, bëhet fjalë për një kupë të tretë europiane që nuk do të jetë për ekipet më të forta, por për ato që kanë nivel buxheti më të ulët, ku sigurisht edhe shpërblimet e Uefa do të jenë më të ulta se në dy kupat e tjera.

Revolucioni fillon në vitin 2021

Liga e Kampionëve nuk do të preket dhe do të jetë me të njëjtin format aktual me 32 skuadra. Por ajo që do të modifikohet është Liga e Europës që nga 48 do të ketë 32 skuadra. Por i gjithë ky revolucion nuk do jetë i shpejtë, pasi deri në vitin 2021 ka kohë. Uefa ka zgjedhur sipas Bild që ta aplikojë këtë sistem të ri pas vitit 2021 për të pasur në dispozicion kohën e e përshtatshme për të bërë të gjitha rregullimet e nevojshme. Nëse për 16 ekipe është e lehtë, pasi ato do të kalojnë nga Europa League në këtë këtë kupë të re, për 16 ekipet e tjera do të duhet akoma dhe më shumë punë për të përcaktuar përzgjedhjen e tyre. Në thelb kjo ide në qeverinë europiane të futbollit ka synim rritjen e kapitalit financiar të klubeve. Do të ketë më shumë ndeshje, më shumë të drejta televizive dhe më shumë sponsorizime.  E gjithë java pas vitit 2021 do të jetë e mbushur me ndeshje futbolli dhe nuk pritet të ketë asnjë ditë pushim, pasi nëse fundjava është e rezervuar për kampionatet nacionale, ditët e tjera do të jenë për këto kompeticione europiane. Me këtë sistem të ri të kupave për klubet, por duke shtuar edhe Uefa Nations League, organizimi qeverisës i futbollit europian, po tenton të rrisë numrin e futbollistëve që do të luajnë në nivelet e larta. Ky qëllim i Uefa do të vijë si reaksion i rritjes së numrit të ndeshjeve, pasi me sistemin e ri të turneve nga Uefa, më shumë se 130 klube dhe ekipe kombëtare do duhet të kenë në dispozicion të tyre nga një bosht prej 25 deri 28 futbollistë.

Kthimi i Kupës së Kupave?

Christian Vieri duke festuar fitimin e Kupës së Kupave
me Lacio në vitin 1999

Do të ishte viti 1999, ku me fillimin e mijëvjeçarit të ri, Uefa vendosi që në futbollin europian të ketë vetëm dy kompeticione. Viti i fundit kur është luajtur Kupa e Kupave ka qenë 1999, kur Lacio do të triumfonte përballë Majorkës me dy gola të Vieri dhe Nedved. Në atë kohë, Kupa e Kupave funksiononte me sistemin që skuadrën fituese të kupave nacionale kualifikoheshin në këtë kompeticion. Për një kohë të shkurtër është luajtur edhe Kupa Interttoto. Kjo kupë tretë mbetet ende misterioze për mënyrën e organizimit dhe shpërndarjes së skuadrave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë