Botërori i Rusisë nis sot fazën dramatike të eliminimit direkt, ku çdo pasim dhe çdo gjuajtje drejt portës mund të jetë i fundit, siç ka thënë në konferencën për shtyp portieri dhe kapiteni i Francës, Hugo Loris. Një shprehje për të vërtetuar përgjegjësinë e madhe që kanë ndeshjet tani e tutje, ku korrigjimi është i pamundur.
Por kjo fazë e “Rusi 2018” vjen me risi për lojtarët në fushë dhe ata që do t’i ndjekin ndeshjet nga shkallët e stadiumit, apo nga televizori. Për Botërorin aktual, FIFA vjen edhe me një rregull të ri, përveç VAR-it: nëse ndeshja mbyllet në barazim për 90 minuta, në shtesa skuadrat kanë të drejtën e ndërrimit të 4-t. Ky rregull është praktikuar gjatë Botërorit të Klubeve dhe tani vjen edhe në Kupën e Botës.
Një rregull që ndryshon administrimin e ndeshjes nga trajnerët, pasi tani mund ta bëjnë ndërrimin e tretë edhe në minutën e 80-të apo më parë, sepse e kanë edhe një “gur” tjetër në dorë dhe janë të mbrojtur në rast të ndonjë dëmtimi. Strategjia teknike ndryshon, para se të shkohet te penalltitë. Ia vlen të kujtojmë në këtë rast atë që bëri trajneri Van Gal në çerekfinalen e 4 viteve më parë mes Holandës dhe Kosta Rikës, kur ndërroi portierin Cilesen me Krulin në minutën e fundit të shtesave. Dhe ai ndërrim rezultoi vendimtar për penalltitë.
Portierët e 16 skuadrave të kualifikuara ndërkohë janë stërvitur edhe për penalltitë. Armani i Argjentinës është fotografuar pas stërvitjes duke pritur penallti. Në “Brazil 2014” shkuan me penallti dy ndeshje të fazës së 1/8-ve, një çerekfinale dhe gjysmëfinalja Holandë-Argjentinë. Gjermania, që është specialiste e penalltive, është eliminuar. Anglia ka fituar vetëm një herë me penallti, Franca ka një bilanc të barabartë, 3-3, kurse Argjentina ka 7 kualifikime dhe 6 eliminime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.